Antiinformaliteti, OFL e Delindës,  perversitet i Ramës!

Antiinformaliteti, OFL e Delindës, perversitet i Ramës!

Nga Armand Maho - 16/05/2022

Në një kohë kur kërkohet me ngulm përkrahja e shtresës së mesme, Rama me një gjest malinj, dhe antishtet lajmëroi dje ngritjen e një njësie, e cila as më shumë e as më pak përngjan me grupet e kontrollit punëtor, a po frontet demokratike të cilat kishin si qëllim ndërhyrjen vend e pa vend në jetët e njerëzve për shfaqje të huaja, për nivelin e jetës, për filxhanët dhe pjatat që kishte në shtëpi dhe kështu me radhë.

 

Pavarësisht emrave të mëdhenj që mundohet ti verë makineria e propagandës njësia antiinformalitet që do kontrollohet tërësisht nga shteti, nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm hajdut që tenton tu futet njerëzve nën çarçafë për ti rrjepur dhe ato pak para që mund të kenë me një anë për një ditë të zezë, që kanë siguruar mbi kokë një çati, apo që tentojnë ti mbijetojnë kësaj dite qameti që po jetojmë nën sistemin vjedhacak të projektuar nga detashmenti po aq hajdut i Ramës.

 

Mania e kryeministrit për të kontrolluar gjithçka duket se po kthehet në perversitet. Pak ditë më parë u kërkoi bankave ti kalonin qeverisë të dhënat mbi llogaritë bankare të individëve. Sot kërkon të rikthejë tatimin për profesionet e lira, publikimin e pagave të njerëzve një herë në vit, por edhe kontrollin e nivelit të jetës për gjithsecilin prej nesh.

 

Le të flasim më qartë. Kryeministri me këto veprime nuk ka si qëllim të luftojë informalitetin, as paranë e pisët. Ata që merren me këto punë dhe kanë nga 20 apo 30 shtëpi në Tiranë e kudo i kanë kopsitur me kohë këto punë. Janë aksionarë nëpër kompani, hotele luksoze e resorte turistike që nuk ka perëndi t’ua faktojë paligjshmërinë e tyre. I sheh rëndom kafeneve të bllokut pa bërë asgjë ku feks që larg luksi i jetës që bëjnë, vetëm se po ti hysh për ti kontrolluar deri në centezën e fundit e kanë të justifikuar.

 

Nisma më e re e kryeministrit ka si qëllim goditjen e shtresës së mesme. Një lloj vettingu alla “Tafa Bunga” por që këtë herë do e shtrijë në çdo qelizë të shoqërisë. E thënë më thjeshtë, pas kësaj gjithsekush që ka bërë dy punë duke këputur ashtën e kurrizit për ti blerë një shtëpi fëmijëve, s’do e ketë të sigurt atë çati.

 

Ose ose  dhe ai të cilit mund ti ketë rënë bretku në emigracion por paratë nuk i ka sjellë nëpërmjet sistemit bankar për të shmangur taksa e komisione dhe me ato dy lek ka blerë një pronë sërish duhet të përballet me njësinë antiinformalitet të Delinës. Kjo gjë vlen edhe për shkollën e fëmijës në rast se e çon në privat, për makinën apo edhe për çdo tentativë tjetër që tenton të ngrejë sadopak nivelin e jetës.

 

E gjitha kjo zarbëhanë do shoqërohet dhe me publikimin e pagave një herë në vit, këtë herë jo në shkelje te ligjit por me firmën e kryeministrit. Pra një shkelje e të drejtave të njeriut të firmosur me ligj. Në rast se dikush nuk do që ti merret vesh paga ku mund ta gjejë të drejtën?

Se ku e ka parë këtë paçavure një zot e di, se cila mendje e mbrapshtë ja fut këto ide një dreq e merr vesh.

 

Jeta paskëtaj në Shqipëri do bëhet edhe më e vështirë. Një OFL e madhe e cila këtë herë do godasë pjesën më të shëndoshë të popullsisë. Do i hapë andralla të paqena dhe do i shtojë akoma më shumë dëshirën për tu larguar nga vendi.

 Çmenduria e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri nuk paskan fund. Sa më shumë të punosh në këtë vend, aq më shumë do përballesh me urrejtjen e Ramës. Sjellja e tij përngjan me ato të pijanecëve mistrecë, parazitë kryesisht që paaftësinë e tyre për të ecur përpara ia mveshin punës së tjetrit. Në fund ata habitshëm  gjithmonë votojnë PS-në. Ky eshtë kontingjenti që kërkon të kënaqë kryeministri ne dëm të atyre që me mëdyshje vazhdojnë mos e braktisin vendin e tyre.

 Qeshëm atëherë kur tha se “skeni parë asgjë akoma”, e dinim që kishim një kryeministër në kufijtë e çmendurisë por një perversitet të këtij niveli s’mund ta imagjinonim. Rama na doli borxhit!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco