Lajmi i fundit

Nga akuzat si vrasës me pagesë te dhunimi i biznesmenit libanez me 'Rrumin', kush është viktima e atentatit në Shijak

Ministri i Ramës për Opozitën

Ministri i Ramës për Opozitën

Nga Grigels Muçollari - 11/05/2022

Që nga koha e qeverisë me bazë të gjerë e kryeministrit Nano, kur kishim më shumë ministra se ditë me diell, nuk kishim dëgjuar ende për një ministër për marrëdhëniet me opozitën. 

Kemi parë në këto vite pluralizëm ministra pa portofol por të pasur, ministra për Europën, për marrëdhëniet me parlamentin, për mirëqenien dhe shanset e barabarta, por kurrë, dhe këtu flas për vete, nuk ma priste mendja se do të shikoja një ministër për Opozitën. Po po, ia arritëm dhe kësaj dite. Partia që qeveris nuk negocion me opozitën pa qenë i pranishëm ky ministër.  

Kryeministri Rama ka përcaktuar si të vetmin kanal komunikimi me Partinë Demokratike, z. Enkelejd Alibeaj. 

Proceset e brendshme në PD dhe shkarkimi i tij me votë nga funksionet partiake nuk llogariten fare. 

Rama ka vendosur ta njehsojë Partinë Demokratike me një individ. Ai për opozitë njeh vetëm z. Alibeaj, të cilit i ka dhënë tagrin e negociatorit. 

Me fjalë të tjera, z. Alibeaj do të negociojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës me Partinë Demokratike, si forca më e madhe opozitare.  

Për të mundësuar negociatat, i ngarkuari i qeverisë për këtë punë thërret deputetët e Partisë Demokratike për të shkëmbyer mendime dhe ide. Mediat e pavarura nga opozita, ato që janë në shijet e kryeministrit, vrapojnë drejt selisë së PD për të marrë prononcimin e ministrit negociator. Ky i fundit del nga takimi dhe nis të flasë në emër të partisë që e ka shkarkuar.

Që politika është ca e lëvizur, këtë e dinë shqiptarët, por që do të shikonim në oborrin e PD, hapur fare, një teatër lëvizës të tipit kllounatë, këtë unë nuk e kam pritur. Përplasje politike brenda llojit ka patur me bollëk, edhe do të ketë, se burrë e grua flenë bashkë e nuk i mendojnë të gjitha njësoj. 

Përplasje qëndrimesh ka në çdo demokraci, aty për aty përshkallëzohen, pastaj ulen tonet. 

Edhe në gjykatë ka dy palë por njëra fiton e tjetra humb. 

Në politikë mosmarrëveshjet i zgjidh shumica. 

Ajo zgjedh kush ka të drejtë. Zgjedhjet brenda partisë janë një zgjidhje demokratike. 

Në PD e kemi zgjidhur me votë këtë përplasje. Shumica foli. Palëve u mbetet të respektojnë vendimin e sovranit.  

Mirëpo jo të gjithë e njohin respektin për votën e lirë dhe Z. Alibeaj është një prej tyre. E ka treguar muaj më parë me qëndrimin që i bëri shumicës së shqiptarëve më 25 prill. Mirë nuk më vjen por është fakt se Edi Rama mori një mandat të tretë qeverisës. 

Një politikan që respekton shumicën, pranon humbjen dhe jep dorëheqjen. Kështu veproi Berisha në vitin 2013. Ndryshe veproi Alibeaj. 

Ai ngulmoi që Lulzim Basha të vazhdonte të humbiste. Nuk vonoi dhe Lulzim Basha humbi sërish më 6 mars. Sërish Z. Alibeaj nuk e lexoi rezultatin e zgjedhjeve. Vijoi në të vetën. 

Në vetëm një vit, Alibeaj ka kundërshtuar çdo proces që ka në themel votën. 

Që nga zgjedhjet e 25 prillit te Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, te referendumi i 18 dhjetorit, primaret e para në PD, zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, zgjedhjet në degët dhe grupseksionet e PD, e për të mbajtur të njëjtin qëndrim antivotë ndaj Kuvendit Kombëtar të 30 prillit. 

Për mua është e qartë, Alibeaj e ka problemin te vota, si në partinë e tij dhe në përballjet elektorale me kundërshtarin. 

Enkelejd Alibeaj do të vijojë të mohojë çdo rezultat që është produkt i votës, jo se nuk di po sepse nuk do. 

Alibeaj është besnik i konceptit të emërimit politik, çka bie ndesh me të gjitha ndryshimet statuore në PD dhe me kulturën demokratike që Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit po kultivon në të mirë të riorganizimit tonë politik. 

Partia Demokratike dhe Alibeaj janë dy drejtëza që ecin paralelisht por nuk priten me njëra-tjetrën.  

Nuk e them me pesimizëm. 

Në gjykimin tim, PD duhet të jetë parti e votës së lirë; parti që nga vetë fjala demo-kratike, njeh verdiktin e shumicës. Deputeti Alibeaj mund të takohet sa herë të dëshirojë me kolegët e tij por këto nuk klasifikohen si mbledhje të grupit parlamentar, se për ato ka rregulla dhe procedurë të përcaktuar në statut. 

Kjo që bën Alibeaj është si të shkosh të çmallesh me kolegët pasi të kanë hequr nga puna. 

Deputeti ka për detyrë të zbresë në zonën e tij zgjedhore dhe të takojë qytetarët që përfaqëson. 

I bëj thirrje ministrit negociator për Opozitën, t'i paraqesë dorëheqjen e parevokueshme kryeministrit Rama dhe të shkojë në zonën e tij elektorale si deputet i Partisë Demokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco