Legjenda e malësorit shqiptar dhe matrioshkave sorosiane

Legjenda e malësorit shqiptar dhe matrioshkave sorosiane

Nga Pranvera Shehaj - 01/05/2022

Diku në Balkan, në një vend ku edhe gurët ngjajnë si thesare që pak t’i prekësh fillojnë e të rrëfejnë mes lotësh për të shkuarën e tokës ku janë, e ashtu mes lotëve të ngjallin dhembshuri, të copëtojnë zemrën, të gjunjëzojnë ndaj sakrificave të asaj toke që kurrë s’u ndal së rrjedhuri gjak, diku në Ballkan, në një vend ku dhe detet rebelohen ndaj autoritetit të maleve, diku në Ballkan, një komb nuk ndalej së gdhenduri legjenda mbi ata gurë. 

E gurët, po aq besnikë sa ndaj natyrës, aq besnikë edhe ndaj të vërtetave, i mbartin këto legjenda për brezat që ikën, për ata që janë, e për ata që do të vijnë, duke i dhënë të vërtetave atributin e përjetësisë. 

I mbajnë të gdhendura këto legjenda e mësohen t’i rëndojnë asaj toke bashkë me to, deri kur çdo bir e bijë e atij vendi të ndalet veç njëherë e të vijë prej cepit të botës ku është degdisur, t’i lexojë, t’i dijë, t’i njohë, e bashkë me gurët të qeshë, të vajtojë a të përhumbet përlotshëm në të shkuarën e asaj toke. 

Mbi këta gurë, gurët e Shqipërisë, të këtij vendi që lëngon e kacafytet në litarët e trashë të dorëzimit pa kushte ndaj "Të mëdhenjve", sërish gdhendet një legjendë. Legjendë jo si ato të bukurat, me trima guximtarë e vasha të ndrojtura hyjdane që mishëronin bukurinë e maleve kryeneçe të këtij vendi, legjendë jo si ato të hershmet, me kreshnikë të patrembur që betoheshin në atdhe, jo si ato që zgjojnë krenarinë e përkatësisë etnike kur flasin për rebelim, për mosbindje, për besnikëri, për trimëri. Kanë kohë që kanë ndalur së gdhenduri këto legjenda mbi gurët e historisë. 

Sot, ashtu si koha që jetojmë, koha ku kanë humbur deri edhe hijëzimet e moralit, nderit, besnikërisë, rebelimit e kryelartësisë, gdhendet legjenda e një malësori, një malësori që kaq ndryshëm nga legjendat e hershme, i duhet ta zvogëlojë e ta përshtasë krenarinë e burrërinë e tij me atë të matrioshkave. 

Matrioshkave jo ruse. 

Seç kanë një përkatësi tjetër, sorosiane thuhet, por më shumë se prej burimit, do t’i quaja sorosiane edhe unë për ideologjinë dhe frymën që përfaqësojnë: frymën e nënshtrimit; frymën burokratike të intimidimit; frymën e dështimit; frymën e përuljes prej dështimit; frymën e shitjes së idealit së pari atdhetar, e më pas moral e ideologjik; frymën e pajtimit pa kushte që legjitimon nënshtrimin e njeriut ndaj njeriut, që për cdo besimtar e di mirë se është një nga mëkatet më të mëdha,
pak i zbutur kur buron prej injorancës, por fatalist kur buron prej frikës a interesit.

Ky malësor, që ashtu si çdo figurë emblematike e filozofisë së lidershipit ndan kombin e tij vetëm në pro e kundër, pa tone a hijëzime të mesme, përsërit historinë, duke ndërmarrë sa i vetëm, po aq edhe i veshur me besim e bindje se ringritja është e vetmja rrugë, një betejë dikur personale e sot ideologjike kundrejt perandorisë.

Për të tretën herë në historinë e këtij kombi vendos emrin dhe portretin e tij përballë Imperium-it. 

Imperium-i, i glorifikuar apo i vërtetë qoftë ai, mbetet Imperium, e Imperium-i të detyron ta duash, ta adhurosh, e pse jo ta shijosh edhe kohën e shërbimit si konkumbinë. 

Se kush janë paraardhësit e betejës së këtij malësori, shqiptarët që duan të njohin veten përmes së shkuarës, duhet ta dinë. Njëri si Prijës i Shqiptarëve e tjetri si Pasha, të dy gdhendën mbi gurët e Shqipërisë dëshminë e natyrës së egër dhe kryelartësinë e burrnisë së moçme shqiptare. 

Sigurisht, nuk harroj ta relativizoj paralelizmin, i cili më shumë se paralelizim figurash, është paralelizim ngjarjesh. Ndryshe nga ata të dy, të cilët në lavdinë e tyre jetuan e dëshmuan të gjitha ngjyrimet e dhimbjes, duke nisur nga tradhtia deri tek vetmia, ndryshe nga ata të dy që shigjetat e kryengritjes ia drejtuan një Imperium-i lindor, faktori kohë bën që ky malësor të bëjë po të njëjtën betejë, kundër një Imperium-i perëndimor, që mes veti lëngon nga përdhosja e ideologjisë prej lobizmit, por prapë di të imponohet e të nënshtrojë rreptësisht shtete që vuajnë nga një inferioritet deri deri sindromik patologjik. 

Së dyti, faktori kohë, bëri që ky malësor të ketë nëpër këmbë të sipërpërmendurat, matrioshkat sorosiane. 

Këto nuk janë as tradhtare, e mirë do ishte se edhe tradhtari i jep pabesisë së tij një motiv, - dëshirën për pushtet apo për të rrëzuar liderin.  Nuk janë as mishërime të helmit a të thikës hamletiane, e mirë do ishte se politika i legjitimon helmet e thikat. 

Shumë më pak se kaq janë ato! Janë një bimë e re e politikës moderne, një bimë që do vetëm të mbijë, pak fare pak të mbijë, mjaftueshëm sa të ngrihet disa milimetra mbi lartësinë e dheut. Të ngrihet sa jo të shkelet pa u vënë re, të ngrihet sa të shihet kur shkelet. 

Matrioshkat sorosiane, të bindura se përhumbja e identitetit të tyre kombëtar, e për rrjedhojë edhe identitetit personal e politik, nuk do t’i bëjë kurrë të zgjedhurit e zgjedhësve për t’i drejtuar, dorëzohen tek një prej formave të Imperium-it. 

Ju e dini, Imperium-i ka disa forma, disa fytyra, disa identitete e disa zëra. Sot, prevalon bindshëm ky Imperium ku matrioshkat janë dorëzuar. E të kënaqura që dobishmëria e tyre ndaj zërit të Imperium-it në Shqipëri justifikon frymëmarrjen e tyre politike, i bën të ndihen gati, të rritura mbi dhé aq sa për t’u dalluar kur shkelen, gati për t‘i prerë rrugën këtij malësori. 

Matrioshkat, në misionin e tyre sa naiv aq edhe të përmjerë nga nuancat e përulësisë që vetë-shitja të jep, e dinë ndërgjegjësisht mirë, se matrioshkat vetëm zëvendësohen.

As marrin pushtet, as u jepet një emër, as ngrihen denjësisht e bëhen të dëshiruara ato …, vetëm zëvendësohen, duke u zvogëluar zëvendësohen, e duke u zëvendësuar hidhen, përdhosshëm, hidhen tej ato.

E kështu kjo legjendë, vazhdon të shkruhet përsa kohë malësori i beson dhe bindshëm ekzekuton, - me matrioshkat e Imperium-it nëpër këmbë, tezën e John Maxwell, se „lidershipi është influencë“, as falet, as shkëmbehet, as negociohet, as merret përvjedhshëm ai. Ka liderë pa pushtet, ashtu siç ka pushtetarë që do vdesin me dhimbjen se kurrë s’mundën të frymëzojnë. Legjendë jo si të parat është kjo, legjendë sa e lavdishme, aq edhe e relativizuar në meskinitetin e kohës. Betejat janë madhështore kur bëhen mes të barabartëve e kur kauzë të tyre kanë dinjitetin, burrninë, emrin, patriotizmin e lirinë. E shtrenjtë është liria në skamje, e pamendueshme është të luftosh për dinjitet kombëtar kur copat e trupit i ke të shqyera, e kur zemra është sa e uritur aq dhe e dobët. Dhe prapë, të luftosh për lirinë mes skamjes, është ndoshta mishërimi më hyjnor i karakterit njerëzor.

Për ta mbyllur ashtu si legjendat zakonisht mbyllen, duhet “me u njoft me fundin e ktij malsori“.

Legjenda gdhendet, ende gdhendet, e shumë që sot e lexojnë i dëshirojnë atij lavdinë, pse jo duke shpresuar në atë lavdi diçka për veti.

E kush gjakftohtësisht lexon për këtë malësor, shkon tek gurët më tej e përpiqet të njoftohet me fundin e atyre që rebelohen bindshëm ndaj Imperium-it. Kupton, qartë kupton, se fundi ka qenë si natyror, ashtu edhe agresiv e fatalist. Veç në secilin rast, fundi i tyre është gdhendur si legjendë, e si të tille i shkruajnë gurët e historisë edhe sot!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco