Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Amoraliteti i përvetësimit të markës 'Parti Demokratike'

Amoraliteti i përvetësimit të markës 'Parti Demokratike'

Nga Erion Piciri - 02/02/2022

Shoqëria moderne e njeh mirë rëndësinë e markës, rolin që ajo luan në identifikimin, pozicionimin dhe besnikërinë e njerëzve ndaj produkteve dhe vetë institucionit. Marka është reflektim i arritjeve dhe historisë, shumatorja e punës, mendjes dhe krijimtarisë së shumë njerëzve, që pasi krijon identitetin e saj publik tërheq si magnet klientë, partnerë apo votues, afron vlerë dhe u jep vlerë njerëzve që asociohen me të.

Njeriu bashkëkohor ushqehet, vishet dhe identifikohet me markat. Popullariteti i markës i plotëson identitetin social dhe kur flasim për partitë i japin njeriut identitet politik. Shumë syresh këtë e kanë identitetin më të rëndësishëm të jetës. 

Në këtë kontekst, marka ‘Partia Demokratike’, për qindra mijëra antarë dhe simpatizantë anembanë vendit, përfaqëson simbolin ku lidhet një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre, mekanizmi me të cilën operuan mbi shoqërinë dhe udhëtuan nëpër sfidat e kohës. Për ta marka ‘Parti Demokratike’ është një pasuri materiale, shpirtërore, sociale dhe politike e paçmueshme. Në fakt ajo është një ndër tre markat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, më e rëndësishmja e së djathtës nga krijimi i shtetit shqiptar. Në 3 dekada, rreth kësaj marke ka pasur miliona referime mediatike, pafundësisht emocione dhe diskutime në familje, punë e shoqëri.

Ky emër është asociuar në mentalin kolektiv me lëvizjen intelektuale, rinore e popullore të përmbysjes së regjimit komunist, shumë fitore elektorale e politike, mjaft nga arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në këto 30 vite. Forca e kësaj marke dhe logoje qëndron tek mozaiku i përbërë nga profilet e figurave themeluese dhe e liderëve markantë ndër vite, e qindra mijëra aktivistëve, që shkruan historinë dhe mbrojtën me kurajo vlerat e lirisë nën sulmet e kundërshtarëve më të ashpër të tyre. Përvetësimi i historisë dhe përfitimi nga një pakicë i këtij mozaiku, pa miratimin apo respektin e rregullave të lojës demokratike është abuzim pushteti dhe amoralitet politik. 

Kjo markë u përket të gjithëve dhe askujt në mënyrë të veçantë. Marka politike ndryshon nga marka e biznesit. Nëse marka e biznesit mund të jetë pronë edhe e një njeriu, grupi apo familjeje, që kanë shlyer punën e të gjithë kontribuesve ndër vite, marka e partisë është pasuri kolektive, fryt i pjesëmarrjes vullnetare të shumë njerëzve, që as janë paguar, as nuk e kërkojnë shpërblimin, por duan që mundi i tyre jetë një investim në të mirën publike, në përfaqësimin e interesave dhe qasjeve ideologjike mbi ecurinë e vendit të tyre.

Për këtë arsye partia konsiderohet një e mirë kombëtare, ku askush nuk mund të largohet forcërisht, me vendime të njëanshme, ku askush nuk mund ta përvetësojë si pronë, ku çdokujt i jepet e drejta ta drejtojë nëse merr mbështetjen e antarësisë dhe qeveris aq kohë sa ka me vete legjitimitetin e tyre. Nuk mund ta marrësh dhe të ikësh, të përjashtosh konkurentët dhe mos testosh legjitimitetin demokratik. Përvetësimi i markës, eleminimi i njerëzve dhe përfitimi amoral nga puna e të tjerëve është akt i barasvlefshëm me grabitjen e pasurisë së përbashkët.  

Ndarja e logos nga themeluesit, nga shumica e atyre që shkruajtën historinë, do bënte edhe zhvlerësimin e kësaj marke të rëndësishme. Kjo do përbënte një humbje kombëtare. Nuk i kemi të shumta institucionet e qëndrueshme në kohë. Kuptohet që të ardhurve të mëvonshëm nuk u dhemb historia, për ta “në djall shkoftë e shkuara”, të kapim ç’të mundim nga kjo që kanë përvetësuar. Veçse në politikë njeriu duhet të tejkalojë veten, principi duhet të mbajë nën fre vesin, përparësi i duhet dhënë ndërgjegjes dhe dobishmërisë ndaj bashkësisë politike.

Ata që marrin përgjegjësitë e postit, ndjejnë për organizatën dhe historinë së djathtës shqiptare nuk e ndezin konfliktin në familjen politike, nuk i vënë njerëzit në pozitat të denoncojnë grabitjen e kësaj pasurie dhe si rrjedhojë përbaltjen deri në rrënimin imagologjik të markës “Parti Demokratike”. Drejtuesit e përgjegjshëm duhet ta shmangin mbajtjen me forcë e marifete të një gjëje që nuk u përket në mënyrë ekskluzive. Veprimet amorale janë edhe kundërproduktive.  

Disa besojnë se përvetësimi i markës do u sjelli votën masive, të vjelin frytet e punës së atyre që duan t’i largojnë. Strategji hileqare që nuk del mbarë. E vërtetë është që në kohë qetësie politike vota shkon mbas logos. Njeriu e ka të vështirë të provojë diçka të re, e merr inercia dhe voton si përherë. Kështu 95% e deputëve aktualë të kuvendit shqiptar janë produkt i dy markave tradicionale politike, PD dhe PS. Madje edhe në Shtetet e Bashkuara, 98% e senatorëve dhe 100% të Dhomës së Përfaqësuesve vijnë nga 2 partitë historike Demokrate dhe Republikane.

Veçse studimet vërejnë edhe një prirje tjetër. Flanigan dhe Zingalle, Samuel Popkin, Larry Bartles, Harshley dhe të tjerë, identifikojnë partishmërinë apo besnikërinë ndaj emrit të partisë si faktorin më të rëndësishëm që influencon orientimin e votës, por theksojnë edhe ndryshimin e preferencës politike në raste krizash të qënësishme.  

Politika nuk është mbledhje mekanike fytyrash dhe numrash, por një sinergji mëndjesh dhe zemrash, njerëzish me memorie dhe emocione, që kur nuk gjejnë përfaqësuesit e tyre nuk mund t’u japin besim të verbër vetëm simboleve. Këtë e tregon rënia e disa markave politike historike në Francë, Itali, Greqi, Ukrainë, Rumani, Bullgari e shumë vende të tjera. Atje ku frenohet demokracia ndodhin përmbysje nga jashtë forcave politike.

Energjia sociale e gjen rrugën e përfaqësimit politik. Kjo duhet shmangur nga përvetësuesit e pandershëm të simboleve të PD-së. Politika e faktit të kryer nuk është metodologji e demokracive autentike. Udhëheqësi shquhet kur sjell harmoni, jo kur i vë flakën e përçarjes shtëpisë së tij. Se si i thonë një fjale ‘lufta brenda llojit sjell rrënimin, lufta me të tjerët forcimin’.

Shqipëria nuk e ka luksin të shkatërrojë markat historike. Uniteti i partive zgjidhet me votë, njerëzit dhe alternativat duhet të marrin pëlqimin e shumicës së bashkësisë. Kështu veprojnë liderët e përgjegjshëm. Përvetësimet e pandershme janë pjesë e së shkuarës, nuk duhet të na qeverisin të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku04/02/2022 13:19

Nga gjithë kjo filozofi e distiluar në koncentrat, a mendon Profesor se Lylyshi kupton ndonjë fjali më të gjatë se katër fjalë? Ai nuk arrin as te tabela e shumëzimit por ka mbi supe hallet e nja 47 milion shqiptarëve të Shqipërisë, të Kosovës e kudo nëpër botë, përveç tyre edhe “hallet” e një familje të zgjeruar, me vjehërr e kunetër, me vëllezër e me bashkëshorte hollandeze (term hidraulik lidhje bashkuese tubash).

Shto koment

Denonco