Basha e ka mbyllur, me 6 Mars luhet karriera e Yuri Kim

Basha e ka mbyllur, me 6 Mars luhet karriera e Yuri Kim

Nga Çim Peka - 31/01/2022

Javën që shkoi, media u mor me faktin se Lulzim Basha nuk mundet të udhëtojë për në SHBA. Vetëm pak orë nga publikimi, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim nxitoi të nxirrte një foto të saj me Lulzim Bashën, ku sipas statusit të saj në Twitter, ata kishin biseduar për investimet amerikanë në Shqipëri.

Nxitimi i ambasadores Kim duket së është i sforcuar për ta nxjerrë Bashën nga situata. Është i sforcuar pasi së pari investimet e huaja në një vend nuk diskutohen me opozitën, por me qeverinë, aq më tepër kur qeveria është mandatuar vetëm para 6 muajsh, dhe teknikisht ka edhe tre vjet e gjysmë në pushtet. Dhe së dyti, media nuk ka thënë se Basha nuk takohet dot me Kim, por se Basha nuk udhëton dot për në SHBA.

Duhet ta pranojmë me keqardhje se është krijuar një kakofoni e shëmtuar me këtë çështjen e vizave, non-gratave, gratave, kush ka vizë e kush nuk ka vizë. Nëse ky debat ka njëfarë peshën në luftën e brendshme politike, ku njëra palë faktin e pamundësisë së Berishës për të marrë një vizë amerikane, e quan si ‘hallin e madh që e ka zënë Berishën’, është pikërisht kjo palë që vetë, pavarësisht se nuk ka një ‘dezinjim publik’ nga Sekretari Amerikan i Shtetit, përsëri nuk mund të marrë vizë për në SHBA.

Në vend të fotove me nxitim, është e rrugës që ambasadorja Kim të ushtronte të gjithë autoritetin e vet, që t'i siguronte Bashës një vizë. Po ashtu, edhe Basha edhe ambasadorja Kim do të duhet të shprehen publikisht se pse Lulzim Basha ka mbi tre vjet që nuk shkel dot në SHBA; ka apo nuk ka një vizë amerikane; dhe nëse jo, pse.

Ne e kuptojmë se në rastet kur nuk ka një ‘dizenjim publik’, çështja e statusit të vizës është një çështje kofidenciale, por duke qenë se të dy ata, si Basha ashtu edhe Kim, çështjen e vizave e kanë kthyer në një kalë beteje politike, do të duhet të shprehen publikisht edhe për vizën e Bashës.

Ish-kryeministri Berisha dhe Presidenti Meta janë shprehur publikisht se paraardhësi i ambasadores Kim u ka vënë në tavolinë që të dyve veç e veç, një dosje voluminoze pastrimi parash dhe financimi rus (kjo e fundit e hedhur poshtë si nga Berisha ashtu dhe nga Meta) kundër Lulzim Bashës.

Po ashtu, këta dy figura, pamundësinë e Bashës për të marrë vizë, e kanë lidhur pikërisht me këtë dosje. I takon zonjës Kim, që në vend të fotografive të sforcuara të përgënjeshtrojë si ish-kryeministrin ashtu dhe Presidentin në detyrë. Në mungesë të një përgënjeshtrimi të tillë, gjithsecili prej nesh është i prirur për t'u besuar deklaratave të tilla.

Nga ana tjetër, në rrethanat kur Presidenti i Republikës ka shpallur datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale, duket se rolet e Bashës dhe Kim kanë ndërruar. Nëse deri tani ishte Basha ai që kishte nevojë për mbështetjen e Kim për të larguar Berishën dhe për të mbajtur partinë, tani duket se është Kim, ajo që ka nevojë për Bashën.

E ardhmja politike e Lulzim Bashës është varrosur me datë 9 shtator, ditën kur largoi Berishën nga Grupi Parlamentar, dhe zgjedhjet e datës 6 mars, as nuk i shtojnë e as nuk i heqin gjë. 6 marsi i duhet ambasadores Kim më shumë sesa Bashës. I duhet pasi, i duhet fraksioni i Bashës të dalë më mirë se grupi i Berishës në zgjedhje për të legjitimuar përfshirjen e saj në zhvillimet politike brenda opozitës.

Një rezultat katastrofik i Bashës, dhe/ose disa bashki të fituara nga Berisha lypin shpjegim nga ana e saj si në Tiranë, ashtu dhe në Uashington. Nëse për Tiranën asaj nuk i kërcet, me Uashingtonin është ndryshe.

Në vitet e para si lider i opozitës, deri në vitin 2018 Lulzim Basha ka qenë tepër aktiv në marrëdhëniet e tij me Uashingtonin. E ka vizituar disa herë, ka paguar lobistë, është përfshirë në diplomacinë parlamentare, takim në Departamentin e Shtetit, madje edhe një fotografi me Presidentin Trump.

Prej 2018, asgjë.

Jo vetëm kjo, por asnjëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Bashës, të cilët nga shtatori i kemi parë si pro-amerikanët më të mëdhenj në botë, nuk i kemi parë as të udhëtojnë dhe as të bëjnë takime në Uashington, sikur edhe në kuadrin e diplomacisë parlamentare.

Ambasadorja Kim mund t'i dërgojë Bashës në zyrë çdo zyrtar periferik që vjen në Tiranë për punë të tjera, por këto takime nuk e mbulojnë boshllëkun e krijuar midis PD dhe administratës apo Kongresit amerikan.

Basha e ka mbyllur, me 6 Mars luhet karriera e Yuri Kim. Prandaj në këto zgjedhje do të shohim me aktive ambasadoren amerikane se sa vetë Ramën e Bashën.

Mos u habisni që në postimet e radhës nga liqeni, Yuri Kim do të publikojë foto duke shkëmbyer ‘mendime të freskëta’ me Spartak Ngjelën e Spartak Brahon.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco