A gabon ndonjëherë Departamenti i Shtetit Amerikan?!

A gabon ndonjëherë Departamenti i Shtetit Amerikan?!

Nga Erion M. Berisha - 23/01/2022

Kohët e fundit është ndezur debat i fortë rreth shpalljes ‘non grata’ të ish presidentit dhe ish kryeministrit shqiptar, Dr. Sali Berisha.

Rënia e Berlinit dhe parashikimi i filozofit të ri Francis Fukuyama

Gabimi që po bëhet sot në Shqipëri mund të krahasohet me gabimin që bëri Departamenti i Shtetit në vitin 1989. Natyrshit që efekti global nuk ka të krahasuar, por vlen të vihet një paralele.

Ja çfarë ka ndodhur me filozofin Francis Fukuyama. Ai është sot një filozof i famshëm por në vitin 1989 ishte thjesht një analist në Departamentin Amerikan të Shtetit. Vetëm pak muaj para rënjes së Murit të Berlinit, ai iu dërgoi një memo shefave të tij, ku thuhej:

 ‘Amerika duhet të përgatitet për situatën e re politike në Evropë pasi jemi në vigjilje të ri-bashkimit të Gjermanisë.’

 Kjo memo u dërgua në fund të muajit Tetor, vetëm pak kohë para se të binte Muri i Berlinit. Të gjithë zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit, të cilët në atë kohë mbulonin Gjermaninë, u xhindosën kur lexuan sesi një analist i ri dhe pa përvojë, kishte guxuar të parashikonte skenare të tilla kaq radikale që, sipas tyre, ‘nuk kishin asnjë mundësi të ndodhnin!’ Historia i dha të drejtë Fukuyamës. Nuk vonoi dhe parashikimi i tij u bë realitet, Gjermania u bashkua dhe blloku komunist ra.

Sot ai është bërë  i famshëm me librin e tij ‘Fundi i historisë dhe njeriu i fundit’ (The end of history and the last man). 

Në një intervistë për Freaconomics në episodin 379, i pyetur se pse ishte i vetmi që arriti të parashikonte ribashkimin e Gjermanisë, Francis Fukuyama tha pak a shumë kështu:

‘Sepse nuk kishte asnjë investim mbi situatën në Europën Lindore dhe Gjermaninë. Prandaj isha  objektiv në vlerësimet për zhvillimet e kohës. Shikoja se ajo që po ndodhte ne Hungari e më tej, në maj të atij viti, ishte diçka e ngjashme me atë që do të ndodhte edhe në Gjermani. Ndërkohë që ekspertët - burokratë të Gjermanisë në DASH, kishin investuar të gjithë karrierën e tyre mbi një situatë të caktuar të status quosë, madje që e kishin kultivuar edhe vetë. Ndaj jo vetëm që nuk ishin objektiv, por kishin interesa të drejt - përdrejta që ajo gjendje të vazhdonte të mbetej e pandryshuar.’

Rasti ‘non grata’ për Dr Sali Berisha

Kanë kaluar mëse shtatë muaj që nga dita e vendimit të Sekretarit të Shtetit Amerikan për shpalljen ‘non grata’ të Dr Sali Berishës dhe familjes së tij.  Megjithë insistimin e personit të dëmtuar vetë, si dhe të qarqeve të caktuara amerikane, ndër ta edhe kongresmenë të nderuar, anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Kongresit, ende nuk ka një përgjigje se mbi çfarë baze reale dhe argumentative është marrë ky vendim(?!).

I lënë në këtë heshtje, pa përgjigje, por thjesht i justifikuar si vendim i marrë a’priori bazuar në raporte mediash dhe NGO-shë, e aq më keq kundërshtarësh politikë, kjo ka lënë një shije të keqe në publikun e gjerë. Masa e madhe e demokratëve shqiptarë, këtë vendim e konsiderojnë si një masë ndëshkimore politike në dobi të forcës politike në pushtet, trashëgimtarja më besnike e anti-amerikanizmit në Shqipëri.

Në këto rrethana, shumëkujt i lind pyetja:

A mos ka gabuar Departamenti i Shtetit kur e ka marrë këtë vendim si në rastin Fukuyama?

A ka patur ndonjë provë me të cilën ta justifikojë këtë vendim kaq drastik?

Për me tepër, a është raportuar nga diplomatët amerikanë në Tiranë, se çfarë përfaqëson ky ‘pensonist’ i mbyllur pas një i-Padi që thjesht dhe vetëm raporton çdo ditë ato që i tregojnë qytetarët për keqbërjet e qeverisë socialiste të Edi Ramës?

A kanë përgjegjësi diplomatët në Tiranë, nëse nuk ia kanë raportuar shefit të tyre se çfarë dëmi i bëhet demokracisë së brishtë shqiptare dhe popullit më amerikan - dashës në botë? Për më tepër, pjesës së këtij populli i cili është edhe më i përvuajturi i shoqërisë shqiptare, në vitet e komunizmit vetëm e vetëm për shkak të mardhënjeve familjare ose idealeve të lidhura me Amerikën?

Ajo që shohim në   masën e madhe pro-amerikane që e pason Dr Berishën, tregon se burokratët diplomatë amerikanë në Tiranë, për motive që vetëm ata i dinë, kanë besuar se me një të rënë të lapsit, ose me një informacion të thatë, ku mund të jetë thënë se ai është thjesht një ‘lost cause’, i kanë bërë një dëm shumë të madh marrëdhënieve të shkëlqyera që Shqipëria demokratike nën drejtimin e dr. Berishës ka ndërtuar me Amerikën. Për pasojë, ata kanë vënë në pikëpyetje besimin se Shtetet e Bashkuara kanë qenë janë dhe do të jenë gjithmonë vendi i lirive dhe i mos-pajtimit më asnjë formë regjimi i cili dhunon votën e lirë, dhunon fjalën e lirë, dhunon zbatimin e ligjit, dhunon të drejtën e sipërmarrjes. E pra këto  fenomene sot janë evidente në çdo hap të jetës në Shqipëri dhe ushtrohen me dorë hekuri nga qeveria socialiste që mori mandatin e tretë thjesht dhe vetëm me manipulim zgjedhjesh nacionale.

 Disa diplomatë në Tiranë dhe bosët e tyre nëpër zyra në Washington, kanë bërë disa kalkulime të gabuara me shpalljen non-grata të Dr. Sali Berishës. Duke qenë se karriera e tyre është e lidhur ngushtësisht me stabilitetin në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit, ata kanë menduar se rruga më e shkurtër për ta është goditja e opozitës për ta neutralizuar atë nga aksionet e qenësishme opozitare.

Në këtë mënyrë, ata vazhdojnë të reklamojnë ‘arritjet’ e tyre në Departament, shtyjnë përpara të ashtuquajturin sukses në reformën në drejtësi, dhe narrativën e luftës ndaj korrupsionit edhe pse asgjë nga ato që thonë ata nuk është e vërtetë. Për habinë e të gjithëve, është vetë Departamenti i Shtetit që në raportet e tij vjetore e rendit Shqipërinë në vendet më të korruptuara ku nuk sundon as ligji dhe as e drejta.  Kjo bie ndesh plotësisht me lëvdatat e diplomatëve në Tiranë rreth ‘performancës së qeverisë’ e cila rri në pushtet me vota të vjedhura.

A e lexojne njëri tjetrin diplomatët në Departamentin e Shtetit?! Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe.

Rasti i Murit të Berlinit dhe qëndrimi i burokratëve të Departamentit të Shtetit, dhe ajo që iu bëri atyre Francis Fukuyama, sado në një përmasë të pakrahasueshme, ngjet plotësisht me rastin e shpalljes ‘non gratta’ të dr. Berishës dhe qëndrimit të kongresmenit Zeldin ndaj këtij veprimi.

Masa e madhe shqiptare, ajo më e dashura e Amerikës dhe amerikanizmit, ka kuptuar se nuk është politika amerikane, anti-pluraliste, as anti-shqiptare, as anti-demokratike. Janë burokratët e vënë nën trysninë e lobeve dhe interesave të caktuara të cilët nuk i bëjnë mirë as Shqipërisë dhe aq më pak Amerikës, kur shkatërrojnë demokracinë e një vendi aq të dashur për atë vend të madh-Shqipërisë. Aq më tepër që është edhe anëtare e NATO-s, e anëtarësuar me vullnetin e vetë SHBA-ve dhe nën drejtimin e Sali Berishës, i pari në tërë vendet e Lindjes që e kërkoi këtë anëtarësim për vendin e tij-tani paradoksalisht i shpallur-non grata.

Rezultatin e këtij qëndrimi burakratik të diplomatëve në Tiranë më mirë se kushdo e artikuloi vetë Edi Rama, në një thirrje për bashkëqeverisje kur deklaroi para publikut shqiptar dhe mbarë botës se:

‘Në Shqipëri tani ka mbetur vetëm një Parti. Ajo është Partia Socialiste. Ajo tjetra është Partia e Drynit.’

Pra nuk ka më pluralizëm, që do të thotë përjetësim i pushtetit socialist të Edi Ramës.

Më dhemb nëse them se pluralizmi politik në Shqipëri, i ndërtuar me aq dhimbje me ndihmën e Amerikës, u shua prej segmenteve të caktuara të administratës së vetë asaj, pra vendit tonë më mik e më të dashur për shqiptarët.

Për këtë dikush do të jetë përgjegjës, herët ose vonë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ardita25/01/2022 12:16

Asnjehere nuk gabon DASH.Ajo pasi i studion jep miratimin per ekzekutimin e vendimeve te ardhura nga departamente te ndryshme te shtetit (CIA,FBI ete tjere departamente) te studiura e te pazuara me te dhena konkrete.
Nuk mendoj se ka ndonje idiot e injorant ne bote qe mund te besojne se DASH gabon,ato jane andra mashtruese qe Berisha e grupi i tij i dhuron besnikeve te paket te tij kryesisht banda e ish nenpunesve te larte te policis shtetit,SHIK-ut e oeganeve te drejtesis0

Shto koment

Denonco