Zgjedhje që nxjerrin cullak fake opozitën!

Zgjedhje që nxjerrin cullak fake opozitën!

Nga Armand Maho - 17/01/2022

Po formësohet dita-ditës dhe po bëhet më e qartë se me sigël apo pa sigël, me vulë apo vulë, lëvizja për rithemelimin e PD-së dhe mbështetësit e saj do të hyjnë në zgjedhjet e pjesshme lokale. Opozita s’mund të bëjë më gabimet e të shkuarës.

Deklarata e Belind Këlliçit, për një kohë të gjatë kryetar i FRPD-së, sot kundërshtar i hapur i Lulzim Bashës, ishte e qartë këtë 14 janar kur tha se: “Ne luftën e kemi me Edi Ramën. Të jeni të bindur. PD e rithemeluar do përgatitet për të pasur kandidatë në çdo bashki”.

Pra, atë që ai u mohoi demokratëve me ndihmë dhe të Edi Ramës do e tregojë ky test. Në këtë garë ish-kryetari duket së largu se është i pashpresë. Për këtë s’ka nevojë t’i hyjë kush llogarive apo lapsit. Një dorë mbështetësish “incognito” që i mbledh në takime të sponsorizuara nga falangat e pushtetit s’mund të bëjnë më shumë se aq. Ata nuk njohin terrenin, skanë lidhje me strukturat, sikterisen nga baza.

Janë i njëjti model me atë që mban fjalime për “qarkullim elitash”. Një tezë e njohur që prej 2014-ës për të përzgjedhur më pas gjuzrat dhe jenisherët. 

Gara është e hapur. Duma, Salianji, Gjekmarkaj, të cilët në prillin e shkuar i morën votat nën siglën e PD-së dhe Sali Berishës, janë të lirë të provojnë të marrin votat sot nën emrin e Bashës.

Por këto pak rëndësi kanë.

Ajo çka ka rëndësi është fakti se shumica e anëtarësisë dhe elektoratit të djathtë ka kaluar aty ku vërtet luftohet me regjimin. Të tjerët kanë preferuar të mbyllen pas dyerve të blinduara. Të përbuzur nga baza, ata po mbajnë mbi supe peshën e urrejtjes që ka shkaktuar në bazë humbja në katër zgjedhje e ish-kryetarit.

Basha nga ana e tij duket sikur s’është në këtë dynja. Vijon me slogane tipike dështakësh, për të ardhme imagjinare, apo për beteja që do të zhvillojë me një ushtri të shpartalluar. Sot ai është nën mbrojtjen hibride të Frrokut, baba Takut apo Takërve të tjerë, të cilëve ikja e Bashës dhe ringritja e opozitës i heq garancinë e të ndenjurit në pushtet për liderin e tyre shpirtëror.

Ata që sot kanë dalë nga aksi opozitar dhe jo vetëm, në rastin më të mirë kanë apo jo vetëm 10% të votave. Natyrisht edhe kjo është në dëm të opozitës po të mendosh se janë vullnete të hedhura në kosh dhe nuk prodhojnë mandat.

Zgjedhjet e pjesshme duket se do zhvillohen shpejt dhe kjo do nxirrte cullak dhe farsën që përsërit shpesh kryetari i shkarkuar se ka shumicën solide për të mbajtur partinë.

Janë gjashtë bashki, ku katër prej tyre i përkasin bastionit tradicional të djathtë, Shkodra, Vora, Dibra dhe Rrogozhina.

Afërmendsh në bashki si Durrësi dhe Lushnja, Rama do investohet që të mos i lëshojë. Kjo sepse në Durrës ka një mega-projekt korrupsioni prej 2 miliardë eurosh dhe makineria manipulative e Dakos apo Çelës do japë maksimumin. Ndërsa Lushnja do konsiderohej si disfatë e rëndë për mazhorancën dhe do zhbënte zgjedhjet e 25 prillit. Për këtë askush s’mund të ketë iluzione.

Por ama me njerëzit e duhur, e djathta e rrezikon fort në Shkodër, Dibër apo dhe në Vorë e Rrogozhinë. Kur themi e djathta apo opozita afërmendsh s’mund llogarisësh Bashën, i cili duket qartë se çfarë kahu ka marrë tashmë. 

Në ambientet e selisë që ai po mban peng qarkullon në formë thashethemi dhe një version i tillë. Zgjedhjet e pjesshme lokale janë dhe një mundësi e mirë për t’i dhënë fund një herë e mirë debateve.

Opozitarët duhet të ftohen në votime dhe të kenë mundësinë të zgjedhin, duhet të tregojnë se ata janë sërish aty, pavarësisht propagandës së regjimit. Sa për ata që pretendojnë se kanë shumicën pa u provuar me votë, askush s’duhet të ndjehet në siklet. Janë pjesë e pazarit me pushtetin dhe kjo s’ka pse t’i interesojë askujt, aq më pak demokratëve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco