Si humbi e ardhmja, dhe një foto tashmë e vjetër

Si humbi e ardhmja, dhe një foto tashmë e vjetër

Nga Akil Kraja - 15/01/2022

Njoftohemi që forumi rinor i PD u bë me dy profile në rrjete sociale, sigurisht njëri legjitim dhe tjetri i mbajtur me forcë, njësoj si selia qëndrore. Tek profili i dytë, shkruhet se duhet të zgjedhim të ardhmen, që së bashku me rininë, ta ndërtojmë atë sa më mirë.

Aty deklarohet se paska ardhur rradha e të rinjve dhe se përmes aftësive e vullnetit për të kontribuar, timoni i opozitës do ti kalojë rinisë. Dhe këtu m'u kujtua kjo foto që daton prej vitit 2014. Ishte prezantimi i koordinatorëve të rinj. U quajt, prezantimi i një PD-je të re. Pak a shumë sic po bëhet dhe aktualisht... 

Si një i ri, do të isha i padrejtë të shprehesha se nuk kam patur një pozicion të privilegjuar prej atij momenti, ashtu siç mund të them se nuk kam përfituar kurrë privilegjin më të vogël nga ai investim publik. Kjo më ka dhënë forcën e të qënurit gjithmonë i lirë në çdo veprim e gjykim. 

Një liri që më nxiti disa javë para votimit të 13 qershorit, të isha ndër të parët të mbështesja tezën e "rithemelimit" në një shkrim botuar në shtyp. Pas 8 vitesh humbjesh të njëpasnjëshme, mos-ndryshimi nuk ishte zgjidhje. Mungesa e meritokracisë, arroganca dhe mos-qasja ndaj alternativa e risive inovative, e mumifikuan menaxhimin e PD-së në një model arkaik, të ngurtë, të vjetër, dyshues, shpesh herë të prapambetur, plot frika e hezitime. 

Një mentalitet që e shoh të rishpaloset dhunshëm gjatë javëve të fundit. Kuvende të rreme, blindime dyersh në fshehtësi, barrikadime me kriminelë, një gjuhë degraduese ndaj trashëgimisë sonë politike si dëshmi e një "cancel culture" të kamufluar. Skandale të ndjekura nga akrobaci mohuese, deklarata mekanike pa përmbajtje, ripërsëritje e të njëjtit refren viktimizues se prej 2013-ës zgjedhjet vidhen pa patur asnjë faj ne vetë... Gjithçka dëshmon për një pamundësi të pakalueshme në prurjen e risive që presim nga një lidership i ri perëndimor. 

Dhe këtu më erdhi në mendje kjo foto. Një "deja-vu" e një premtimi të ripërsëritur se me rininë do të ndërtohet një e ardhme më e mirë. Por nëse e shohim nga pas, faktet flasin ndryshe. Me të rinjtë demokratë është abuzuar shumë në të shkuarën. Mes koordinatorëve të vitit 2014, një pjesë emigroi jashtë vendit, një pjesë mbeti jashtë listave, dhe pjesa tjetër doli jashtë politikës. Mungesa e respektit ndaj të rinjve dhe ndaj kontributeve të tyre, mungesa e transparencës dhe meritokracisë, mos-konsiderimi i propozimeve të tyre, janë të gjitha dështime të opozitës së 8 viteve të shkuara. 

Ish-kryetari i opozitës dështoi të ndryshonte politikën shqiptare sepse ishte ai që u ndryshua nga ajo. Ai dështoi të mblidhte rreth vetes të ngjashmit si ai sepse besoi këshillat se Rama mundej duke luajtur lojën e tij. Dhe kështu përfunduam me një lojtar të ri, që luan një lojë të vjetër. 

Pak nga pak, vlerat europiane të dialogut u nënshtruan ndaj forcës imagjinare të bunkerizimit. Mirazhi i një juristi të formuar në perëndim u venit krejt pakuptuar pas hijes së një aparitçiku burokrat. Besimi se zhvillimi vjen nga forca e ideve, i la vendin ngurtësisë arrogante të vulave. Endrra perëndimore u zëvëndësua nga një real-politike thellësisht orientale. Idealet rinore, nga pazaret e vjetra... 

E ardhmja që na u premtua humbi, ndaj sot, ajo nuk mund të jetë një zgjedhje.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco