Zoti Escobar, populli opozitar protestues është shumicë dhe nuk është non grata

Zoti Escobar, populli opozitar protestues është shumicë dhe nuk është non grata

Nga Elida Buçpapaj - 14/01/2022

Letër e hapur z.Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA

I nderuar z.Escobar, po e lexoj me shumë vemendje intervistën tuaj tek Zëri i Amerikës dhe, me keqardhje, po konstatoj se, mesa po duket, ju nuk e keni marrë informacionin sipas rrjedhës që pati protesta e 8 janarit, pra thjesht ju kanë keqinformuar.

Organizatorët e protestës kanë shpallur në mënyrë të vazhdueshme se do të jenë gandistë, paqësorë, ndërsa në deklaratën e zonjës Ambasadore në Twitter u gjykua se protesta ishte e dhunshme, nga ku mendoj se ju si DASH merrni të dhëna.

Besoj se e keni parë se Tweet-i i zonjës Ambasadore pas asaj deklarate u shoqërua me komente të mbushura plot indinjatë nga pjesa më të madhe e atyre që reaguan, pati nga ata që e bënë edhe përgjegjëse të dhunës.

Se dhunë pati. Regjistrimet live nuk mund të censurohen. Një grup, si paramilitarët, me maska nga brenda selisë ushtruan dhunë kundër protestuesve, duke përdorur spraje me gaz, duke i goditur e përgjakur protestuesit me shkopa bejzbolli, e tjerë, ndërsa fatmirësisht askujt nga enturazhi i Lulzim Bashës nuk iu prek asnjë qime floku. Kundër protestuesve ushtroi dhunë masive Policia, sapo rezultoi e pranishme, me ujë e gaz lotësjellës kundër elektoratit dhe simpatizantëve të PD, pa votën e të cilëve PD nuk do të ekzistonte. Shumë e trishtë.

Zonja Ambasadore Yuri Kim dikton dhe provokon, duke përfituar prej rëndësisë që kanë SHBA për shqiptarët.

Zonja Ambasadore e ka tejkaluar çdo kufi të sjelljes appropriate të një diplomateje të shtetit me të cilën shqiptarët i lidh liria, demokracia dhe interesi jetik kombëtar. Zonja Yuri Kim e ka tejkaluar Mariza Lino-n e 1997, duke mbështetur regjimin e Edi Ramës që përbën rrezik për stabilitetin rajonal.

Zonja Yuri Kim do të mbetet si shembulli më provokativ i një zyrtareje publike sapo vuri këmbë në Tiranë, kur skuadronet e policisë do të dyndeshin në mesnatë për të rrëzuar Teatrin Kombëtar, një monument i identitetit kulturor, që mbrohej prej dy vjetësh ditën dhe natën nga artistët dhe qytetarët e thjeshtë duke u kthyer në një kauzë kombëtare. Kjo zonjë, me cinizmin më të paimagjinueshëm, vendosi në rrjetin social të Ambasadës një lule me ngjyrë mavi, simboli direkt i Edi Ramës, i cili ka uzurpuar çdo shtyllë të shtetit, përfshi edhe grupthin e Lulzim Bashës.

Ambasadorja Yuri Kim në faqen zyrtare të Ambasadës të SHBA i provokoi Shqiptarët edhe një ditë pas festimeve të Ditës të Flamurit, duke ua uruar 29 nëntorin, ditën kur në Shqipëri mori fund demokracia dhe për popullin shqiptar nisi kalvari nën diktaturë. Natyrisht rrjeti social i reagon sipas meritës, por zonja në fjalë nuk njeh limite.

Për të ndryshuar 180 gradë gjendjen emocionale në kahun pozitiv, janë lajme shumë të mira emërimet nga Presidenti Biden i dy diplomatëve të lartë të karierës z.Christopher R. Hill, me kontribute te shquara si Ambasadori i SHBA në Beograd dhe z. Jeffrey Hovenier, Ambasadori i posa emëruar në Prishtinë, një emër i respektuar që e njeh terrenin dhe ka luajtur rol në negociatat që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Duke iu kthyer intervistës e shoh shumë të justifikuar shqetësimin tuaj për dhunën e 8 janarit, por gjithë opinioni publik pa në kohë reale se frymëzuesi i dhunës ishte Lulzim Basha, i cili kishte ditë që parapërgatitej, nisur nga bunkerizimi i ndërtesës, nga prania e grupit paramilitar me maska, të fotografuar natën nga gazetarët si silueta të zeza mbi taracën e ndërtesës. Do të ishin këta që do të përdornin kundër protestuesve më 8 Janar nga brenda godinës pa pikë mëshire gazin lotësjellës.

Asnjë ekip televiziv nuk u lejua të futej brenda gjatë ditëve të bunkerizimit të selisë të PD, çka do të shërbente për ta parandaluar dhunën, ndërkohë televizionet e Tiranës që paguhen me pare korruptive, janë kthyer në Spin Doctor për të krijuar realitete parafabrikate të kundërta me 180 gradë nga realiteti dhe e vërteta.

Më 1997 Hollywood-i prodhoi Wag the Dog, me Robert De Niro e Dustin Hoffman, ndërsa tani në Tiranë një skenar i ngjashëm po luhet live me personazhë realë.

Duke iu kthyer 8 Janarit, kush e ndoqi në kohë reale përmes televizorit e pa se oborri përpara selisë të PD, me qëllim për të penguar protestuesit, ishte i mbushur me vetura që mbetën të paprekura, nuk pati asnjë thyerje xhami të tyre, asnjë shpuarje gome, asnjë gërvishtje, asnjë makinë të djegur. Ka xhirime pa fund dhe ju keni mundësi të keni në dispozicion regjistrime të hollësishme të zhvillimit të protestës, po ashtu ka reportazhë me fotografi, megjithë vështirësitë që hasën gazetarët e terrenit, kameramanët dhe fotografët të cilēt u sulmuan brutalisht edhe nga paramilitarët e Lulzim Bashës brenda ndërtesës, edhe nga policia si me ujë të ftohtë dhe gaz lotësjellës.

Por ajo që duhet theksuar është  se protestuesit ishin të gjithë simpatizantë dhe votues të PD, që nuk meritonin të përballeshin as me dyer hekuri dhe as me skenarë të frikshëm ku ishin të parashikuar deri edhe vrasje politike!

Gjithë ngrehina monstruoze e shtetit të korruptuar të Edi Ramës, si një familje mafioze, kërkon me çdo kusht eleminimin e Sali Berishës, me qëllimin kryesor eleminimin e opozitës. Edi Rama ka thënë shprehimisht, “nga politika do të largohem kur të dua vetë”, pra nuk e fut asnjëherë në llogari Sovranin.

Në lidhje me Berishën, si simbolikë, Sali Berisha është personi që ka farkëtuar aleancën Shqipëri-SHBA, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave, Rrugën e Kombit, ka sjellë në Tiranë Presidentin George W.Bush, Shqipërinë e ka vizituar dy herë si Mik i tij personal ish presidenti George H. W. Bush, që i dërgoi kasapit të Ballkanit, më 1992, Paralajmërimin e Krishtlindjeve duke i vënë Vijën e Kuqe, pra nuk ka asnjë politikan shqiptar që të mund të krahasohet me të, pra është një proamerikan i vërtetuar me veprime, pavarësisht se është shpallur non grata dhe ka bërë plot gabime.

Natyrisht nuk jam avokate e Berishës, jam kritikuese e tij, por në kontekstin konkret Berisha sot nuk përfaqëson Berishën, por popullin e vërtetë opozitar, dmth elektoratin e PD dhe vice versa, pa të cilën sistemi demokratik përfundimisht merr fund.

Departamenti i Shtetit po ashtu duhet të ketë informacione të sakta rreth asaj që ka ndodhur në Shqipëri prej 9 shtatorit 2021 kur Berisha filloi Catharsisin e tij përmes Foltoreve.

Në fakt, askush nuk e imagjinonte rrjedhën e Foltoreve, ishte pothuaj sureale, dalja e opozitës nga apatia dhe karantina ku e kishte futur Lulzim Basha peng i kapur nga një kryeministër që e ka kthyer Shqipërinë një klepto-kakistokraci të mirëfilltë, ku mbretëron neptizmi, klientelizmi, korrupsioni, konflikti i interesit, krimi i organizuar, ku çdo styllë e shtetit është në duart e Edi Ramës, ku Ministri i Brendshëm që mbyti me gaz protestuesit është bashkëshorti i ish gruas së Kryeministrit, fakte që edhe në triller Hollywood-i do të dukeshin fantazi e shfrenuar.

Është ky kryeministër, Edi Rama i cili do ta merrte në mbrojtje Saimir Tahirin, Ministrin e Brendshëm të asaj kohe, akuzuar për lidhje me mafien, ndërkohë që ky kryeministër do të shpallte në kërkim me Interpol si most wanted policin e antidrogës që e denoncoi faktin se persona të përfshirë në krimin e organizuar përdornin veturën shtetërore të Ministrit të Brendshëm! Siç e shihni në qeveritë e Edi Ramës të gjithë duhet të kenë dirty hands, ky është emëruesi i përbashkët, Edi Rama në fillim i korrupton dhe pastaj i kap dhe i përdor.

Tani në Shqipëri ka plasur një skandal i ri, i inceneratorëve, një aferë korruptive me vlerë mbi 400 milionë Euro, ku janë faktet për fushë se si qeveria e Edi Ramës ka blerë me miliona Euro heshtjen e televizioneve dhe të gazetarëve, pra de facto pushteti i katërt pothuaj ka vdekur. Gazetari që i publikoi këto fakte tha se familjen e kishte siguruar në Gjermani, pasi s’kishte shans tjetër. Unë iu shkruaj nga Zvicra, por shteti i zi i Edi Ramës po i shtrin tentakulat edhe në Perëndim. Para ka pa fund dhe stilin e përkryer, blen, korrupton, përdor.

Në intervistën tuaj, konstatoj diçka shumë të rëndësishme, që është thelbësore në një shtet demokratik dhe për një parti demokratike. Ju thoni tekstualisht dhe ndaj të njëjtin mendim me ju se “i takon votuesve shqiptarë të përcaktojnë se në ç’pozitë janë partitë politike në Shqipëri”!

Kjo është kuintesenciale. Në rastin konkret elektorati i PD e ka vendosur me Kongres të jashtëzakonshëm dhe referendum. Prej 11 dhe 18 Dhjetorit, Lulzim Basha është i deligjitimuar.

Këtu po ndalem edhe një herë. Fati i Berishës është i një individi, ndërsa fati i opozitës lidhet me të ardhmen e Shqipërisë. E ardhmja e Shqipërisë do të ishte e rrezikuar me një opozitë kukull të drejtuar një Lulzim Bashë marionetë!

Duke e analizuar situatën, sipas proverbit të njohur se çdo e keqe nuk vjen vetëm për keq, duhet të falenderojmë zotin Sekretar të Shtetit Anthony Blinken, që me vendimin e tij, dashur pa dashur, ndikoi që shqiptarët të zgjoheshin dhe të ndodhte ajo që ndodhi. Zhvillim pozitiv në të mirë të stabilitetit dhe demokracisë.

Ju mund të mblidhni plot informacione nga shqiptarë të ndershëm, demokratë e socialistë, të cilëve u intereson e ardhmja e vendit të tyre, për të vërtetuar se e gjithë lëvizja e organizuar nga Berisha, i gjithë turi i Foltoreve, është zhvilluar me disiplinë dhe në mënyrë shembullore. Berisha ka pranuar publikisht se është ai vetë krijuesi i marionetës Lulzim Basha dhe ka kërkuar ndjesë pa prà. Mund të kishte ndodhur që populli opozitar të mos e kishte besuar, por ja që e besoi. Në ceremoninë e ndarjes, zonja Angela Merkel, ish Kancelarja e Gjermanisë, midis të tjerave tha diçka shumë të vërtetë, se për një lider puna është tek besimi, besimi është themelor, besimi i elektoratit. Lulzim Basha nuk gëzon besimin e elektoratit. E ka humbur me votë. Tani luan me kartën e skenarēve për largimin e Berishës sipas direktivave të Edi Ramës. Është i humbur!

Nëse Lulzim Basha do të tentonte ta përjashtonte Sali Berishën përpara zgjedhjeve, e ardhmja e tij politike do të mbyllej atëherë dhe jo më 9 shtator, ditën që mori vendimin personal, pa u konsultuar apo pa marrë votimin dhe as aprovimin e kryesisë të partisë. Demokracia nis tek vota dhe merr fundt kur e drejta e votës mohohet.

Prej 9 shtatorit nisi ringjallja e opozitës shqiptare, faktorizimi i saj përmes Foltoreve deri tek valorizimi i votës në Kongresin e Jashtëzakonshëm të 11 Dhjetorit dhe pastaj në referendumin e 18 Dhjetorit, ku gjithçka u zhvillua me transparencë të plotë. Krejt ndryshe ndodhi nga grupi i marionetës Lulzim Basha, i cili u tall me opinionin nën pelerinën e zonjës Yuri Kim, në një Kongres farsë, ku në sallën e Pallatit të Kongreseve me kapacitet 1980 ulëse, Lulzim Basha dhe stani i tij i servilëve pretendonte të kishte ulur 5004 delegatë! Vetëm në Korenë e Veriut mund të ngjajnë monstruozitete manipulimesh të tilla ose në një sistem tipik mafioz.

Pra në Shqipëri po ndodhin ngjarje, që e poshtrojnë dinjitetin njerëzor, që do ta linin me gojë hapur edhe vetë Eric Arthur Blair alias George Orwelli-n.

As opinioni i shëndoshë shqiptar dhe veçanërisht opozita shqiptare e mirëfilltë nuk e pranojnë më këtë realitet orwellian, të imponuar nga një regjim i korruptuar deri në grykë.

Opozita shqiptare e mirëfilltë nuk është Sali Berisha, paçka se kjo opozitë i shkon pas dhe beson tek ai. Është populli shqiptar, ai që rrëzoi diktaturën dhe që është gati të rrëzojë edhe këtë regjim që sundon në Shqipëri, i cili bie ndesh çdo standarti që i takon të jetë një shtet anëtar i NATO-s, ku një pensionist merr 150 $ në muaj, ndërsa seria e atyre Spin Doctor që dalin nëpër televizionet e Tiranës për të llomotitur çfarë i urdhëron ministri i propagandës Squealer me direktiva direkt nga Edi Rama, fitojnë mijra e mijra Euro! Dhe dihet se derri Squealers shpërndan vetëm dizinformacion.

Keni shumë të drejtë që e konsideroni Partinë Demokratike partner të rëndësishëm, ndërkohë PD nuk identifikohet më me Lulzim Bashën, as me Sali Berishën, megjithëse ai është një nga themeluesit e saj, por me elektoratin, me protestuesit, me shumicën. Lulzim Basha është një puppet në duart e Edi Ramës, si instrument i bindur për zhdukjen e pluralizmit.

Këto ishin planet e Edi Ramës, i cili mjerisht ka në krahun e tij zonjën Yuri Kim, por kurrë jo SHBA. Kombi shqiptar është më amerikandashësi në botë, kombi shqiptar e ka kult mikun, sakrifikon edhe jetën për institucionin e Mikut, por zonja Yuri Kim e ka shkelur këtë institucion, ajo është non grata, për sjellje aspak diplomatike, në dëm të interesave amerikane dhe atyre kombëtare shqiptare. Ju them se zonja Yuri Kim i kërcënon gazetarët, kam në dorë një rast konkret, deri në Perëndim. Ndërsa Sali Berisha, paçka se është shpallur non grata, ai gjithë jetën e tij politike ia ka kushtuar forcimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA dhe mbrojtjes te interesave kombëtare të Shqipërise si vend anëtar i NATO-s.

Nolens volens, me Sali Berishën identifikohet opozita shqiptare e cila është në një lëvizje demokratike për të demokratizuar partinë dhe pastaj për të mbrojtur idealet euro-atlantike të shkelura me këmbë nga një regjim jo demokratik. Ju keni si shembull edhe ngjarjet në Kosovë, aleanca e sëmurë midis PDK dhe LDK-së (që ngjan me aleancën diabolike midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës), arriti dhe e rrëzoi qeverinë 50 ditore të Albin Kurtit, por verdiktin e Sovranit nuk e ndali dot.

Edhe protestuesit e 8 Janarit janë populli opozitar, nuk janë non grata! Janë shqiptarë të ndershëm, që duan një Shqipëri demokratike. Ata duhet të mbështeten. Ata nuk ndalen.

Ata nuk duan dhunë, ata janë të plotfuqishëm me votën e tyre. Dhunën e do marioneta Lulzim Basha dhe natyrisht ai që e kurdis, Edi Rama, fatkeqësia e shqiptarëve, i gatshëm që ta çojë rajonin në luftë, për të ruajtur pushtetin e tij, si uzurpator i lirive të shqiptarëve, si uzurpator në tentativë, por pa sukses, edhe i opozitës!

Sinqerisht,
Elida Buçpapaj

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

B14/01/2022 14:11

Ky Eskovarja Harrow te na tregonte barin,si ajo mëllinja. Po vazdoj keshtu kjo politike e amb.amerikane te jete dhunuese e demokracis ne Shqiperi eshte faj i DASh,shqiptaret do ftohin marrdhenjet me USA,BOLL me ca ambasador palaço.

shqiptari14/01/2022 12:49

esko leshi ik o te q... kurven bashke me kim jongen qerohuni nga shqiperia kurva sorosiane

Taksapaguesi shqiptar 14/01/2022 11:35

Zonja Buçpapaj keni thene nje te vertete ashtu sic eshte. Por Escobar eshte pjese e "Amerikës së Sorrosit" dhe përdor të njëjtin closet me Kimeten që ha oriz të kuq. Mgjth ja vlen përpjekja juaj.

Demokrati14/01/2022 11:15

Znj.Buçpapaj:Mendoj se ky shkrim duhet dërguar për botim në shtypin amerikan dhe europian.

Agim14/01/2022 11:08

Bravo,nje pershkrim i drejte i realitetit te sotem.
Demokracia sot eshte ne rrezik si asnjehere me pare.

Abalone14/01/2022 07:56

Një shkrim i mrekullueshëm, analizl reale dhe e guximshme! Nuk ka vdekë Shqipëria, sa të kemi intelektualë të tillë! BRAVOOOO!

Shto koment

Denonco