Basha si fundi i një dështimi!

Basha si fundi i një dështimi!

Nga Armand Maho - 09/12/2021

Është e dhimbshme që 31 vjet pas themelimit të PD-së, sot kjo forcë politike ka në krye të saj një individ që nuk njeh institucionin e dorëheqjes. Lulzim Basha nuk u ndërgjegjësua asnjëherë se ishte përfaqësuesi i një simboli, që në dhjetorin e 90-ës kishte si devizën e saj kryesore “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo e “E duam Shqipërinë demokratike”.

Që të bëhet Shqipëria demokratike, duhet që më së pari frymën e demokracisë ta inspirojë pikërisht partia që u lind nga ajo revoltë e atij deti njerëzish.

Por, a po e bën ajo këtë? Në fakt ai simbol i dy gishtave, “V for Victory”, me të cilat ata shoqëronin thirrjet e tyre, s’ka qenë asnjëherë më i poshtëruar se sa sot. Një simbol që s’e ka për gjë ta përdorë dhe Edi Rama në shenjë talljeje e sarkazme, frymëzim ky që i vjen nga një humbës recidivist siç është kryetari aktual i PD-së.

Kjo sepse Lulzim Basha nuk u mundua asnjë moment të vetëm të ngrinte një parti. Ai u përpoq me të gjitha mënyrat që të kopjonte modelin Rama. Por, duke harruar se kryetari i PS-së drejton një partia me bosht bolshevik, që është krejt e kundërta e shpirtit të lirisë dhe konservatorizmit që inspiron e djathta. A ishte Rama që në fushatë e këshilloi Bashën më shumë se një herë që të shkëputej nga Berisha dhe Meta? Nuk ju duket se kreu i PD-së e zbatoi me përpikmëri këtë direktivë, me qëllimin ndoshta për ta mbajtur të djathtën në një opozitë të përjetshme!

Shikoni çfarë ndodh?

Të mërkurën e 8 dhjetorit, Basha do e përforconte dhe më shumë teorinë, se inkursionin e tij për ta personalizuar partinë, mbështetet nga Rama. Eventin do e zhvillonte tek ArTurbina, mes ca gjimnazistëve që i shitën si anëtarë të forumit, 16-17 vjeçarë që s’e dinin se përse kishin ardhur, aq më tepër të kuptonin përsiatjet filozofike për demokracinë të Markut, Açkës apo ndonjë tjetri.

Vetë Basha në atë takim foli për qarkullim elitash në një kohë që s’ka sjellë asnjë figurë të re në Partinë Demokratike. Edhe në ato pak raste kur ka tentuar ta bëjë këtë, përzgjedhja ka rezultuar dizastër. Në fakt, çdo përzgjedhje që bëhet në bazë llogarish dhe pazaresh duke shmangur garën kështu përfundon.

Në narrativë për të goditur liderin historik të PD-së, u fol për kult individi. Kjo në një kohë kur partia është shndërruar në një masë amorfe, e cila merr formën e enës që në këtë rast është kryetari. Të gjithë flasin me gjuhën e tij, e mbrojnë me gjuhën e tij dhe përsërisin tezat e tij. Kush është nga ata që ka një arsyetim ndryshe për atë çka po ndodh përveç faktit “se kështu do Amerika”.

Akoma më qesharak është fakti se këto akuza vijnë nga një njeri që ka përfituar pikërisht nga hapja e partisë. Ai ishte Basha një prurje dhe përfituesi më i madh nga hapja në vitin 2005?

Nga ana tjetër me përjashtim të atij spektakli i zhvilluar në sofrën e Ramës, në cilin event, protestë apo fushatë elektorale keni parë që të flasë dikush tjetër veç Bashës. A ishte personalizimi i arritjeve të PD-së në 2005-2013, që ka të bëjë me liberalizimin e vizave apo anëtarësimin në NATO simptoma se PD është ngërthyer keq nga sindromi i kultit të individit?

Dhe me qesharakja ishte kur në art turbinën e Veliajt u fol për dekomunistizimin. “O tempora, o Mores” (Çfarë kohësh, çfarë zakonesh) do thoshte Ciceroni. Dekomunistizim në një parti që ka humbur busullën dhe çdo ideal mbi të cilin u krijua! Ku kryetari ka fshirë jo vetëm nga teksti, por dhe nga memoria fjalën dorëheqje. Ku janë përjashtuar figura dhe potenciale vetëm se nuk ishin dakord me linjën e tij. Ku injorohet vota e 5 mijë anëtarëve dhe kryetari kapet pas vulës si i mbyturi pas fijes së barit. Në një kohë kur nuk lejohet qarkullimi i elitave, dhe stanjacioni është evident? E keni dëgjuar ndonjëherë të flasë për talljen që i bëhet figurave nacionaliste, por mban evente pikërisht aty ku stigmatizohet dhe ironizohet një figurë si Qazim Mulleti

Është qartazi e dukshme se Basha nuk ka lidhje me asnjë prej parimeve të demokracisë. Është evidente se mendja e tij mund të endet në të tjera lëndina, si fjala vjen në mënyrën e drejtimit të modelit Rama. Të ketë një shoqatë të tijën, pa kokëçarje qoftë dhe në opozitë për të mbyllur pazaret rast pas rasti. Çfarë rëndësie ka se ajo është mundi, djersa dhe gjaku, po të doni, i më shumë se 700 mijë shqiptarëve. Prandaj kësaj letargjie i duhet dhënë fund më 11 dhjetor, dhe kjo nuk është përgjegjësi vetëm e Sali Berishës. Është përgjegjësi e çdo delegati i cili ka firmosur ose jo për datën 11. Është përgjegjësi akoma më e madhe jo vetëm e atyre që kanë dalë hapur kundër veprimeve të tij, por mbi të gjitha të asaj pjese që i mbajnë anën, por në fakt nuk e dinë as vetë përse, qofshin këta anëtarë të thjeshtë, drejtues strukturash apo deputetë. Në rast se duan vërtet ta shohin PD-në në piedestalin që i takon, duhet ta pranojnë se epoka “Basha” ka marrë fund!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

MANI USA09/12/2021 21:24

HEU, BASHA FUNDI I NJË DESHTIMI!" EU, PASHA TUNDI OR RUNDI I NJË RESHTKRIMI!!
"NËSE ME TRADHTON NJË HERË, DY HERË, TRI HERË; SI ËSHTË E MUNDUR, TUNDUR,
QË TË KESH SY E FAQE, MËSY OJ HELAQE; QË TË TENOJË, KËRKOJË, TË TRADHTOSH
TË NA SHKATRROSH, TERË QENJËN NJERËZORE, TERË RRENJËN BREZORE; AH MOR,
TERË IDENTITETIN, INTEGRITETIN, MBARË KOMBËTARË, MBARË SHQIPTARË; AH ORE,
NE NUK JEMI SIKUR NJË KOPE DELE, QE NUK VEMI SI TROFE; TEK DJALLI BIR DJALLI;
QË NA KALLI O, NXIR STRALLI; TIM E FLAKË OJ, TI SHTRIGA MË E LIGA PLAKË, AHIII SI,
KALLUKANXHA E PËRZENË NGA VARRI, HALLUGANXHA ZËNKA ZJARRI; AS NË TOKË O
AS NË QIELL; HEJ, AS ME LOKË MORE AS ME DIELL! A PËR TRADHTRARIN, BARBARIN,
GJAKATARIN, SHKAKAVRARIN; KJO TOKË OJ, NENË LOKË; NUK KA VARR; A KA VETËM
ZJARR: PËR TRADHTARIN, GJAKATARIN, TRADHTIE, TRAGJEDIE, MBARË SHQIPTARE!!"
MANI USA

Shto koment

Denonco