Ata (baza) kanë të drejtë dhe kur s’kanë të drejtë

Ata (baza) kanë të drejtë dhe kur s’kanë të drejtë

Nga Luçiano Boçi - 05/12/2021

Ishte kjo shprehja-udhëzim e përsëritur disa herë në mbledhjet tona të dikurshme që na nxiste të zbrisnim në bazë.

Ngjan si lojë fjalësh, por nuk është aspak e tillë. Thjesht shpreh shkallën sipërore të domosdoshmërisë së trajtimit me respekt të bazës së Partisë Demokratike, nga drejtuesit e saj.

Alias “baza ka gjithmonë të drejtë”.

Përherë jam përpjekur të gjej pajtim me këtë definicion “ngacmues”.

Dakortësia ime ka rezultuar e plotë.

Po!!!

“ATA (baza) kanë të drejtë dhe kur s’kanë të drejtë”!

Edhe kur na i thonë troç gjërat larg stepjes se mos na ngel hatri; edhe kur na i shkruajnë në fcb, pavarësisht pëlqimit tonë; edhe kur na “shajnë” ndonjëherë me zemërim; edhe kur na kërkojnë llogari; edhe kur na bëjnë ironi.

Kjo “dhënie të drejte” nuk është përulje, por është respekt.

Sepse çdo sukses, çdo betejë, çdo sakrificë ka kaluar e kalon përmes tyre.

ATA kanë të drejtë sepse ATA kemi thirrur e na janë përgjigjur sa herë jemi përplasur me kundërshtarët, sa herë kemi zgjedhje, sa herë na duhet mbrojtje, sa herë kemi protesta.

Kanë ardhur në mes të shiut, të ftohtit, dëborës, vapës e diellit. Të pa veshur mirë, me para borxh, me qindra halle mbi supe.

Ata kanë përjetuar burgosjen, gazin luftarak, papunësinë, luftën politike për hir të PD, pse jo për hir tonin.

Na janë bindur pa u ankuar, na kanë dëgjuar pa vënë në dyshim fjalët, na kanë votuar symbyllazi pa asnjë paragjykim.

Jo se janë ushtarë jo aspak. E as tifozë. ATA janë ashta e PD. Janë forca e vërtetë e saj dhe bindja.

Prandaj ATA kanë të drejtë dhe kur s’kanë të drejtë e jo më tani kur kanë të drejtë.

Pikërisht, tani që kanë vendosur, sipas asaj që i takon me ligj suprem (statuti), të na thërrasin ne të gjithëve në Kuvendin Kombëtar të datës 11 Dhjetor.

Është e vetmja herë që ATA kanë marrë këtë vendim.

Kjo thirrje e tyre nuk është as e zakonshme dhe as e rastit.

ATA kërkojnë besim, kërkojnë lidership, kërkojnë betejë me të keqen, kërkojnë të mbrojnë vlerat demokratike dhe standartet e lirisë politike.

ATA kanë moral të plotë ta bëjnë një gjë të tillë.

Përpjekjet për t’i vizatuar ATA me fabulat e së kaluarës, duke i cilësuar e anatemuar si anëtarë partie “me shfaqje të huaja”, të cilët për një gotë raki dalin nga rruga e partisë e më pas sekretari i partisë, pas një autokritike me shkrim, i zgjat dorën e ngrohtë, janë të denja për romanet-përralla të realizmit socialist.

Thirrja e tyre nuk është as skemë, as kurth e as lojë.

Është e sinqertë, e vërtetë dhe një lloj betimi besnikërie e pathyeshme e tyre ndaj PD.

Detyra jonë është t’i bindemi.

Një herë të vetme t’i bindemi.

Jo se thjesht i takon me statut.

Jo se janë 3/4, shumë më shumë se 1/4 statutore.

Jo sepse janë më këtë apo atë lider.

Por sepse, pavarësisht nga mosha, koha e militimit, krahina apo qyteti nga vijnë, simpatia apo antipatia momentale, entuziazmi apo zemërimi, ATA të gjithë që kanë firmosur, ose nuk kanë firmosur, janë vetë PARTIA DEMOKRATIKE.

Sepse, bindja ndaj thirrjes së tyre unikale e emancipuese, na bën nder dhe i jep vlerë të qenurit përfaqësues i tyre!

Ç’rëndësi ka që janë kaq shumë sot?!

Edhe sikur më pak të ishin edhe më pak se 1/4, përsëri nuk duhet humbur si rast, si detyrim, si respekt.

E rëndësishme është grishja e tyre. Morali i tyre është imponues.

11 Dhjetori është dita e tyre.

Prandaj ATA kanë të drejtë akoma më shumë, tani që kanë të drejtë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari06/12/2021 12:03

Z. Boci! Eshte absolutisht sic thoni Ju. Varet a e kupton kete qe thoni Ju bardhoshja gazi? Kane ardhur ne PD me luge ne brez keta or lum miku, ndaj nuk ua ndjen fare. Por harrojne nje gje: Themeluesit e PD jane ende gjalle dhe nuk do te lejojne te neperkembet partia qe vete ata themeluan

Shto koment

Denonco