A është legjitim Kuvendi i 11 dhjetorit 2021? Po ai i 18 dhjetorit?

A është legjitim Kuvendi i 11 dhjetorit 2021? Po ai i 18 dhjetorit?

Nga Kastriot Islami - 03/12/2021

1. Meqenëse është vendosur nga anëtarësia dhe kryesia e PD, të mbahen dy kuvende, racionalisht e qetësisht mund të arrihet në përfundimin se shumica dërmuese e anëtarëve të Kuvendit kanë gjykuar se thirrja e Kuvendit është e domosdoshme. Por s’është bërë e mundur që Kuvendi i “domosdoshëm” të jetë i përbashkët?! Përgjegjësia për këtë bie kryesisht mbi Kryesinë e PD që fillimisht e refuzoi thirrjen e Kuvendit të “domosdoshëm” dhe më tej s’arriti as të gjejë në negocim me ¼ e sovranit, as një datë të përbashkët për kuvendin e “domosdoshëm”. Anëtarët e Kuvendit (¼ e ndoshta më shumë) arritën, konform kërkesave të statutit, të përcaktojnë datën 11 dhjetor 2021, si mundësia e vetme statutore që iu mbeti për të thirrur Kuvendin Kombëtar, aq më tepër që kjo iu refuzua fillimisht nga Kryesia?!

2. Kur Kryetari e Kryesia u njohën me faktin që anëtarësia, sipas të drejtave statutore, thirrën në datën 11 dhjetor mbajtjen e Kuvendit të “domosdoshëm”, bënë thirrjen e Kuvendit të “tyre”, pra pasi e kishin refuzuar fillimisht dhe me tej duket e konsideruan të “nevojshëm”, por në një date tjetër, në 18 dhjetor 2021; që u perceptua si sfidë nga anëtarësia që kishte vendosur të thërriste Kuvendi sovran në 11 dhjetor 2021! Ky akt i kryesisë nuk është perceptuar nga anëtarësia të paktën si vendimi i duhur, por as edhe si një vendim i mençur!

3. Referuar statutit të PD, më konkretisht nenit 43- pika 2, rezulton, se “Kuvendi Kombëtar i PD... mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar”. Kjo pjesë e statutit i jep të drejtë ¼ të anëtarëve të Kuvendit të kërkojnë thirrjen e Kuvendit, edhe kur thirrjen e tij e refuzojnë Kryesia e Këshilli Kombëtar, të cilat e kanë këtë drejtë bazuar në statut. Referuar statutit, për ¼ e anëtarëve të Kuvendit s’ka asnjë detyrim tjetër statutor; as për të kontrolluar legjitimitetin e firmave as për t’i bërë ato publike para ditës së mbledhjes së Kuvendit.

4. Statuti parashikon vetëm një moment për të bërë transparente emrat e të gjithë firmëtarëve (saktësisht të ¼ të anëtarësisë së Kuvendit), vetëm në ditën e mbledhjes së Kuvendit, përmes komisionit me 5 anëtarë të verifikimit të mandateve. Normalisht procedurat e nevojshme për këtë rast do të duhet të ishin përcaktuar përmes akteve nën-statutore, për të cilat statuti ngarkon Kryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD dhe të cilët natyrisht mbajnë aktualisht përgjegjësi për mungesën e tyre. Përfundimi nga kjo analizë është i qartë: thirrja e Kuvendit më 11 dhjetor 2021 është legjitime. Sepse thirrja e tij nga ¼ e anëtarëve të Kuvendit (thuhet se kjo shifër është më e madhe) është e bazuar në nenin 43, pika 2 e statutit të PD! Dhe nga statuti nuk kërkohet asgjë tjetër!

5. Shtrohet më të drejtë pyetja: Po Kuvendi i 18 dhjetorit 2021, i thirrur më pas, nga Kryesia e PDSH, me propozim të Kryetarit të PDSH, a është legjitim?

Së pari duhet kujtuar se fillimisht Kryetari e Kryesia e PD refuzuan thirrjen e Kuvendit, duke ndryshuar qëndrim pasi ¼ e anëtarëve të Kuvendit vendosën firmat për të mundësuar thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Thënë ndryshe, vendimi i Kryesisë së PD për thirrjen e Kuvendit tregon të paktën një mungese vijimësie/konsekuence politike.

Së dyti, për Kuvendin e 18 dhjetorit 2021 mund të thuhet se është me legjitimitet të dyshimtë:

-sepse, ndonëse vendimi i Kryesisë duket se bazohet në nenin 43 pika 2 e statutit, ai është më shumë ilegjitim sepse nga disa anëtarë të Kryesisë, të Këshillit dhe të Kuvendit është deklaruar se shumica e anëtarëve të Kryesisë aktuale të PD janë jo legjitimë, përderisa s’janë zgjedhur sipas kërkesave të statutit, me kandidatura alternative e me votim të fshehtë, për rrjedhojë çdo vendim i tyre do të ishte ilegjitim;

-po ashtu, një akt i tillë është jo i mençur, duke sfiduar ¼ e anëtarësisë (por edhe shumicën sovrane) të Kuvendit që e ka vendosur Kuvendin e 18 dhjetorit në përplasje me Kuvendin “sovran” të 11 dhjetorit si dhe vendimet e tij;

-për më tepër, një akt i tillë s’merr parasysh faktin që Kuvendi legjitim e “sovran” i 11 dhjetorit 2021, bazuar në nenin 43 pika 3 ka kompetenca të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e PD, por edhe për zhvillimin/vazhdimin e Kuvendit në 18 dhjetor 2021, që në këto rrethana mund të rezultonte një Kuvend me “efekte nul”?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp04/12/2021 15:12

Z.Islami, edhe Unë bje ndakort me Ju. Kuvëndi i 11 Dhjetorit është legjitim.Por janë disa ditë deri te kuvëndi i 18 Dhjetorit. Gjatë këtyre ditëve por edhe më parë Z.Basha dhe të tjerë ,po thërrasin anëtar të Këshillit Kombëtar dhe pasi bisedojnë 'tet a tet'kalojnë e firmosin edhe një herë për 18 Dhjetorin.Në datën 11 respektojnë statutin dhe historinë e PD, në të dytin respektojnë strukturat e PD, besushmërinë te fjalët e Z.Basha dhe pritshmëritë se kush po na gënjen, Departamenti i Shtetit apo Z.Berisha. Në kuvëndin e tretë,dilemat do jenë davaritur, sepse, ose Z.Berisha fiton në Paris, ose Departamenti i Shtetit 'fiton' në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dhe që të jemi të pa anshëm , duhet ta themi. Në këtë 'luftë gjelash' Berisha- Basha, pamvarësisht 11 Dhjetorit ,në 18 Dhjetor Z.Basha duhet ta 'ngrijë' postin e Kryetarit të PD dhe ti delegojë N/K kopetencat. Provat që i kërkohen D.SH ,Z.Arben Kraja i ka 'sheshit', ti administrojë dhe t'ua delegoi Prokurorit Special dhe BKH për ti hetuar dhe mos të vihet në rolin, që ligji nuk ja ka ngarkuar. Pse vullneti personal i një administratyori të SPAK siç është në fakt Z.A.Kraja, përcaktoka suksesin e Reformës në Drejtësi?.

Shto koment

Denonco