Dështimi e ka emrin ‘mungesë karakteri’

Dështimi e ka emrin ‘mungesë karakteri’

Nga Astrit Veliaj - 29/11/2021

Këdo të pyesësh për tiparet e liderit do të theksojë personalitetin dhe forcën e karakterit, imponimin e respektit përmes peshës së fjalës dhe të veprës, mendësinë e fituesit, autenticitetin dhe fortësinë e bindjeve, zotësinë për të dalë faqebardhë nga çdo situatë e komplikuar. Askush nuk e shikon liderin si humbës e hileqar, oportunist dhe hezitues për t’i dalë luftës në ballë, që trukon dhe demoralizon çdo grup njerëzish ku vihet të drejtojë. Qëndrueshmëria e mesazhit dhe aksionit, si dhe marrja e përgjegjësive në rast dështimesh ndërton figurën e besueshme të prijësit. Kjo amalgamë tiparesh themelore e çon drejt fitores.

Për hir të pushtetit nuk mund të luash njëherësh anarkistin dhe pacifistin, idealistin dhe tranzaksionistin, njeriun e besës dhe të pabesisë, të liderit dhe kukullës, se i bie të kesh një frakturë të parikuperueshme karakteri. Nuk mund të betohesh se nuk do lejosh zgjedhje me këtë qeveri e pastaj tërhiqesh me bisht ndër shalë kur të afrojnë pazar. Nuk mund të thuash se vendimet e dështuara i more nën trysninë e paraardhësit kur je votuar masivisht dhe je krenuar si kryetar fuqiplotë i partisë. Nuk mund të pohosh se ta hodhi kundërshtari për mungesë përvoje kur ke 15 vjet në funksionet më të larta të vendit. Kjo qasje të zhvlerëson si njeri dhe si kryetar, tregon se je i padenjë si udhëheqës i njerëzve. Sado i dashur të jetë froni dhe i ngrohtë të jetë gëzofi i bosit, njeriu nuk mund të bëhet gaz i botës dhe ta poshtërojë kaq shumë veten.

Rezistenca ndaj joshjes së pushtetit është testi i kockëzimit të karakterit, i farkëtimit të tipareve të liderit. Më e nderuar është të pranosh dështimin se të pranosh përdorimin si vegël. Lideri edhe mund të ringrihet, mjeti përdoret dhe hidhet. Gabimet rikuperohen, por thyerjet e karakterit nuk riparohen. Ka një rrugë si mund të mbetesh në politikë - duke i qëndruar deri në fund asaj që ke thënë dhe ke bërë. Popullariteti ulet e ngrihet, postet shkojnë e vijnë, por paqëndrueshmëritë e karakterit nuk të falen, pabesitë të izolojnë si njeri, se askush nuk shkon në luftë me njerëz që nuk kanë asgjë të shenjtë, që tjeter thonë e tjetër bëjnë, nuk u ndahet mëndja si tua hedhin shokëve dhe partnerëve.

Njeriu përcakton pozicionin dhe i qëndron me vullnet të hekurt. Fundja i qëndron edhe radikalizmit se ndoshta rikthehet koha e Leninit. Flip-flopping-u të shkatërron reputacionin. Njerëzit çmojnë vendosmërinë dhe ta falin gabimin, por përçmojnë dobësinë dhe mungesën e guximit për të pranuar të vërtetën dhe t’i dalë zot veprimit. Gandi u zotua t’i qëndronte përjetë non-violencës edhe sikur e gjithë bota t’i dilte kundër. E pagoi me jetë parimin, por sot merr të gjithë vlerësimin. Investimi më i mirë i politikës mbetet trashëgimia, fjala dhe qëndrueshmëria kur rritet presioni dhe vjen stuhia. Kjo është sprova e karakterit, që po nuk e pate formësuar në rininë e hershme, nuk e blen apo huazon dot në moshë madhore në nëntokën e politikës vendore. Për të gjetur shpirtin e humbur të politikës duhen mënjanuar nga përfaqësimi dobësitë njerëzore dhe rikthyer nga liderat me forcë karakteri, që nuk lëvizin nga bindjet dhe parimet e një jete.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco