Foltorja, e mirë jo vetëm për PD, por edhe për partitë e tjera

Foltorja, e mirë jo vetëm për PD, por edhe për partitë e tjera

Nga Nga Hysni Gurra - 25/11/2021

Qysh pas zgjedhjeve të 25 prillit, e kam shkruar dhe thënë me miq se, Sali Berisha nuk do të pranojë kurrë Lulzim Bashën më në krye të PD.

Dikush më thoshte ia fut kot, dikush shihte me habi, dikush qeshte etj.

Po pse mendoja ashtu?

Mendoja ashtu pasi pas 25 prillit, për mua qysh më 2017, por për shumicën, Shqipëria ra totalisht si sistem politik pluralist.

Partia Demokratike nën udhëheqjen e Bashës u kuptua qartazi nga masa se ishte vrastarja e shpresës së shqiptarëve.

Kush e njeh Sali Berishën do të duhej ta kishte kuptuar se nuk do ta toleronte kurrë shpërbërjen e partisë që themeloi ai, së paku në sy të tij.

Më pas, kur Lulzim Basha përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar i PD, nuk e fsheh, kam thënë shyqyr.

Shyqyr në kuptimin, e një gabimi fatal që bëri ai.

Ajo video e regjistruar ku përjashtohej Berisha është, ndoshta, akti më i vlerësuar nga ana ime për Bashën.

Me atë akt, ai, mbështetësit e tij, ca apartçikë të huaj, treguan se janë liliputë e miopë politikë.

Ai akt ishte e vetmja mënyrë për të lëvizur malin nga vendi, dhe kjo ndodhi.

Sali Berisha nisi foltoren.

Foltorja tregon se ai njeri është një nga, në mos i vetmi, politikan në rajon me një nuhatje politike të jashtzakonshme.

Foltorja është një nga ngjarjet më të mëdha të epokës pluraliste në Shqipëri.

Përveçse ka pushtuar temat e ekraneve shtatë ditë të javës, Berisha në foltore hedh teza të jashtëzakonshme.

Teza politike që vetëm një politikan i kalibrit të tij mund t’i artikulojë.

Cilat janë sipas mendimit tim dobitë shoqërore të “foltores”, dobi të cilat e tejkalojnë gardhin një partie politike, PD.

1-Shantazhi është forma më e poshtër e të bërit politikë.

2-Zhvleftësimi i votës dhe shpresa se rrotacionit ndodh vetëm se ashtu duan ndërkombëtarët, duhet të merrte fund.

3-Servilizmi i pështirë i klasës tonë politike ndaj ambasadave, duhej të merrte fund.

4-Modeli i të rinjve në politikë, si të rinjtë që ka rektruar rilindja dhe Basha, është modeli më dekurajues për të rinjtë e ndershëm, të lexuar e me dinjitet në këtë vend.

5-Merr fund modeli i propagandës nëpërmjet zyrave të PR të qeverisë e opozitës, është modeli më i keq që ka lulëzuar në Shqipëri që nga 2013 e tëhu.

Foltorja ka shtruar teza të cilat nuk do të ndikojnë vetëm Partinë Demokratike, por jam i sigurtë se ajo do frymëzojë e do shërbejë si precedent edhe për Partinë Socialiste.

Në interes të Shqipërisë është edhe një Parti Socialiste e hapur, jo vetëm Partia Demokratike.

E fundit.

Shtetet e Bashkuara janë vend i madh. Vend, fatmirësisht, që na do neve si popull, ose thënë ndryshe, interesat e saj në rajon konvergojnë me interesat tona. Tani pas “faktit”, pas foltores, ata e shohim qartë se populli shqiptar, dhe jo pak, por afërsisht gjysma, është me foltoren. Dhe SHBA-të nuk janë vend kamikaz, që për një plesht të djegin gjithë jorganin, ata kanë interesa afatgjata në këtë vend dhe sigurisht e kuptojnë që këto interesa nuk mund të shkojnë kurrë para me një lider pa mbështetës nga pas, siç është Lulzim Basha.

Dhe sigurisht, asgjë nuk do të ndodhë pasi Lulzim Basha të largohet nga PD-ja. Kur është dashur, SHBA-të e kanë gjetur gjuhën e komunikimit edhe me talebanët, edhe me Kim Jong Un, edhe me Asad, e jo më mos ta gjejnë me Sali Berishën, i cili nuk ka cënuar e nuk ka prishur kurrë interesat e tyre në këtë vend që quhet Shqipëri.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco