Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha takim me drejtuesit e Departamenteve

Kur Ilir Beqja shijon spektaklin e Drejtësisë së re

Kur Ilir Beqja shijon spektaklin e Drejtësisë së re

Nga Enton Abilekaj - 24/11/2021

Shfaqja me domethënese për Reformën në Drejtësi është konferenca e sotme me donatorët. Bledi Çuci, nuk mund t’i bënte dhuratë më të bukur Ilir Beqjes, se sa ta prezantonte në ditën e parë të punës, si njeriun e besuar për të menaxhuar ndihmat e BE dhe SHBA. Madje, ambasadorët ishin aty, për ta përshëndetur këtë gjetje gjeniale të qeverisë. Folën për donacionet dhe për luftën e ashpër kundër korrupsionit që do bëhet nga Drejtësia e re, ndërsa Ilir Beqja miratonte.

Me 2 padi në SPAK, që prej muajsh po hetohen, për dëme qindramilionë eurosh, me një dështim spektakolar në zgjedhje, ku nuk arriti të merrte as mandatin e vet në Shkodër, Beqja rikthehet në tryezën e zotërinjve, si vendimmarrës dhe administrator i qindramilionë eurove të tjera. Jo vetëm kaq, por tutorët e Drejtësisë që po e heton, janë aty për ta mbështetur.

Ata që hyjnë nëpër dyert e SPAK si në zyrën e tyre, që flasin për çdo çështje në takime private me prokuroret specialë, jane duke uruar per detyren e re, ish-ministrin e paditur për 2 koncesione, njërin prej të cilëve, me vlerë 120 milionë euro, ia ka dhënë pronarit të një kioske në Berat. Prokurorët që i ka zgjedhur maxhoranca, që i urdhërojnë ose i shantazhojnë me telefon nga Kryeministria, që edhe kur duan të bëjnë ndonjë veprim të guximshëm, presin ambadasoren amerikane në zyrë, sigurisht që pas kësaj nuk mund të çojnë në Gjykatën Speciale, Ilir Beqjen.

Çështjet e tij do të mbyllen dhe pastaj ai e ka rrugën e hapur për t’u bërë edhe ministër i Drejtësisë, që ta drejtojë vetë, me dorë të hekurt Reformën në Drejtësi. Kohë në dispozicion ka plot, pasi vetëm shtyrja e Vettingut do të jetë 3-vjeçare. Reforma 5-vjeçare, e paprecedentë për emrin reformë, do të zgjasë të paktën 3 vjet, me kërkesën e maxhorancës dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Pavarësisht se Kushtetuta e parashikon të përfundojë në mars, të mos ketë më komisione të Posaçme dhe Vettingu të kthehet në normalitet, pavarësisht se në 2016 u premtua se rezultatet do të ishin të shpejta dhe “peshqit e mëdhenj” do të përfundonin në rrjetë, po kërkohet akoma më shumë kohë, jo për të ngritur ndërtesën, por për të shtuar gërmadhën.

Pallati i Drejtësisë vazhdon të jetë bosh. Peshkimi i cironkave dhe zmadhimi i tyre me efekte speciale për t’u dukur peshq të mëdhenj, konkuron nga falsiteti dhe ilariteti me fotot e dëshpëruara për pëlqime të instagramit. Peshqit e mëdhenj, jo vetëm nuk janë kapur, por kanë marrë në kontroll rrjetat dhe peshkojnë gjahtarët, duke na treguar pa filtra luftën për kontrollin e Drejtësisë. Luftë që po bëhet brenda grupeve të maxhorancës. Është pikërisht për shkak të kësaj lufte të brendshme të maxhorancës dhe jo për ecurinë e reformës, që po kërkohet të shtyhet Vettingu, i garantuar në Kushtetutë nga KLGJ dhe KLP.

Përfshirja me zell e ambasadorëve në këtë betejë brenda PS për të patur sa më shumë institucione dhe të emëruar në kontroll, ishte sot më evidente se kurrë. Ata, si zyrtarë të bindur të qeverisë, u reshtuan në krah të një personi në hetim dhe i premtuan mbështetje me fonde, besim në menaxhimin e tij, ndërsa Akademia e Transparencës, e thelemeluar në 15 janar nga Ambasada e SHBA dhe USAID, publikon propozimin që E-Albania të marrë çmim ndërkombëtar.

Me e keqja është që në këtë betejë të brendshme të PS, po i kërkohet edhe opozitës të sillet si fraksion në mbështetje të Edi Ramës. Dhe më e keqja akoma është që Partia Demokratike zyrtare po e konsideron si një mundësi, duke parë një përfitim politik, ose jopolitik, ende të pakuptueshëm nga publiku.

Me shëmtinë e vet, me shëmtinë e së vërtetës, shfaqja e sotme e ambasadorëve, shërbeu për t’i vënë kapakun dyshimeve se parodia e shëmtuar që na është dhënë sot është vetëm imitacion i Reformës në Drejtësi të premtuar 5 vjet më parë. Nëse do të ketë fatin e imitacioneve lindore që shiten në Perëndim, mund të shërbejë të paktën për tu afruar me BE. E sigurtë është që nuk do t’i shërbejë vendosjes së Shtetit të së Drejtës./DOSJA

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp25/11/2021 14:54

Përzgjedhja e Ilir Beqaj si 'babagjysh' i fondeve që i akordohen vëndit nga BE,me siguri ka miratimin e donatorëve, lobimin e tyre te Kryeministri direkt, ose I.Beqaj është përzgjedhje e Ministrit të Brëndshëm ose presion i këtij të fundit mbi Kryeministrin. Fondet e deritanishme të BE për bujqësinë, "Mis Bananja" ,sot Ministre i kaloi për kulla, në Tiranën e Erion Veliaj.Pati 'llafe' por në vënd të hetimeve dhe përgjegjësive, u ngritë "akademia e çobanëve". Nesër për fondet e pritshme do sajohet akademia e radhës.BE po sillet në bashkëpunim me autoritetet shqiptare si prostitutë. Prostituta thotë ,çfarë keni ju me 'mallin' tim. Opozita duhet të kërkojë ngritjen e Komisioni hetimot për menazhimin e fondeve nga BE dhe jo vetëm. SPAK duhet të filloi hetim kryesisht. Por dhe të shpejtojë hetimet dhe proçedimet penale ndaj kallzimeve për Ilir Beqaj. Ambasadorja Kim u ngrit dhe u largua nga 'tubibi' kur e mori fjalë Ilir Beqaj. Ky gjest e ka një domethënie. Reformës në Drejtësi mesa duket po i vihen gurë nën rrota nga klane me influencë të BE, në Shqipëri.

Shto koment

Denonco