Anti-demokracia si anti-amerikanizëm

Anti-demokracia si anti-amerikanizëm

Nga Akil Kraja - 23/11/2021

Të përfshihesh në përballjen Berisha - Basha është e paevitueshme nëse ndjek aksionin opozitar në vend. Opozita ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e qeverisjes në vend, dhe kjo do të thotë që ti vendos Shqipërinë para partisë. Për më tepër, angazhimi në një forcë politike i korrespondon një angazhimi ndaj një vizioni. Dhe sa më gjithëpërfshirës të jetë ky vizion, aq më të larta janë shanset që ai të materializohet. Vetëm kështu mund të arrihet votë-besimi demokratik i shumicës. Aksiomë bazike e një force fituese. Fiton kush garon më i bashkuar, humbet kush rezulton më i përçarë.

Krimi në shoqërinë shqiptare është tanimë i kudondodhur. Në politikë e administratë, por dhe në të përditshmen e qyteteve tona, ashtu si dhe në art, ‘realizmi kriminal’ është kthyer në një model suksesi. Por krimi nuk korrupton njerëzit, por vlerat e tyre. Rritja e konfliktualitetit si një pamundësi për të dialoguar; emigrimi masiv si një refuzim për të marrë përgjegjësi; neglizhimi dhe mungesa e protestave për çështje të interesit publik; pranimi i korrupsionit apo të paligjshmes si diçka normale; kultivimi i një ekonomie të parave të pista... Këto janë shenja të një degradimi shoqëror të thellë. Konkurrenca dhe meritokracia duket sikur diktohen tanimë nga më i forti korruptues, e jo më nga i afti i drejtë. Boshti i vlerave shqiptare po nivelohet nga poshtë. Shkelësi, hileqari, mashtruesi po mposht garuesin, sipërmarrësin, profesionistin. Kapaciteti ynë për të jetuar si një komunitet vlerash përbashkuese është vënë seriozisht në pikëpyetje nga gangrena e kulturës së të fortit.

Ndërkohe që e majta ramiste është përgjegjëse për këtë tjetërsim moral duke promovuar kriminelë e të korruptuar në çdo nivel të shoqërisë, e jo vetëm në parlament, opozita nuk është pa përgjegjësi. Gjatë tetë viteve të shkuara, ajo nuk arriti të promovonte mjaftueshëm të drejtën, të aftin, garën e lirë dhe meritokracinë. Dekriminalizimi ishte një betejë e drejtë por që nuk mjaftoi. E për pasojë, duke rënë në grackën e politikës së më të fortit, ajo u largua nga politika e moralit. Kjo mungesë konsistence në risitë e saj, bëri që opozita të sillej në aksionet e saj më së shumti si një forcë e vjetër. Duke i shërbyer më shumë fshehjes së dobësive sesa artikulimit të inteligjencës së saj, ajo u transformua pak e nga pak në një forcë anti-politike. Është kjo “anti” karakteristikë që e pengoi të kthehej fituese, lartësuese, moralisht e besueshme dhe përbashkuese për 50+1% të shqiptarëve. Masakrat elektorale ndodhën, sepse opozita nuk arriti dot të diferencohej mjaftueshëm në sytë e një elektorati që priste dhe më shumë.

Anti-politike, po. Një cilësim që mund t’i aplikohet lajmit të anti-kuvendit të 18 dhjetorit. Një akt anti-demokratik përderisa përballë kërkesës së bazës, imponohet një vendimmarrje arbitrare nga qendra. Ky është centralizim, jo demokratizim i PD-së. Demokracia është garë, konkurrencë, ballafaqim vlerash me qëllim për të zgjedhur më të mirin. Si e tillë, një votë demokratike nuk mund të jetë veç pozitive. Ndërkohë, demokratëve i’u propozua një anti-votë nga e cila kërkohej të nxirrej në pah negativja, e keqja dhe ndasia. Gabime të së shkuarës? Dy në tre anëtarë të kryesisë së re (20 nga 34) janë të emëruar pa asnjë konkurrencë. Dhe atëherë kur firmat e votat janë, ato mohohen në bllok si një blof. Dëshmi e një kulture anti-garë? E kotë të thellohemi tek procedurat statutore. Vendimmarrjet anti-procedurale janë tanimë rutinore. Rikujtojmë shkeljet e shumta të rregullores së Komisionit përzgjedhës të kandidatëve për deputet. Pasqyrë e një kulture anti-meritokratike, hijet e zonjës ‘kaprata’ vazhdojnë ta përndjekin grupin parlamentar të PD-së dhe në këtë legjislaturë. Fundja, në tetë vitet e shkuara, a pati ndonjëherë një skuadër të mirëfilltë? Realiteti anti-ekip i përgjigjet fakti se aktualisht nuk ka asnjë të strukturim zyrtar për çështjet e arsimit, energjisë apo shëndetësisë. Në respekt të plagës që përfaqëson për demokratët, nuk vlen të zgjatemi tek anti-marrëveshja e 17 majit. Por mund të rikujtojmë qëndrimin anti-reformës territoriale. E panevojshme gjithashtu të thellohemi në vendimet anti-demokratike si djegia e mandateve dhe bojkoti i vendoreve. E gjitha, për t’u ulur në të njëjtën tavolinë anti-negociatash zgjedhore me Damian Gjiknurin... Çfarë fitoreje, apo mos duhet thënë anti-fitore?

Trajta “anti-politike” e opozitës së tetë viteve të shkuara vjen nga frika. Frika, nga dobësia. Dobësia nga mungesa e lidershipit. Që të fitosh besimin e njerëzve kërkohet këmbëngulje, kurajë, konsistence në akte që prodhojnë një vizion përbashkues e një moral të paqortueshëm. Kjo është ajo ç’ka që kërkojnë qindra mijëra shqiptarë që emigrojnë sot drejt Evropës e Amerikës. Ata kërkojnë te jetojnë në një shtet që u del zot vlerave në të cilat ata besojnë, që mbron qytetarin, që shpërblen meritokracinë dhe punën e ndershme, mbron konsumatorin e biznesmenin, po aq sa të drejtin dhe të aftin. Të bashkuar në diversitet, BE-ja funksionon ekskluzivisht mbi parimin e konsensusit ndërkohë që Shtetet e Bashkuara zbatojnë demokracinë pjesëmarrëse për Prokurorët, Sherifin apo dhe Mjekun ligjor të qarkut të cilët zgjidhet përmes një gare elektorale. Shqiptarët meritojnë po kaq.

Duke marre pjesë në kuvendin e 11 dhjetorit, ambicia e çdo demokrati është t’i shërbejmë ambicieve dhe ëndrrës sonë për një Shqipëri të begatë dhe si e gjithë Europa. Duke kërkuar një demokratizim të dytë dhe një rithemelim të forcës sonë politike, ne i shërbejmë pluralizmit shqiptar. Kjo pasi vetëm një parti realisht demokratike, mund të jetë dhe një forcë realisht pro-perëndimore, europiane e amerikane. E kundërta është po kaq e vërtetë. Duke refuzuar përballjen me të tashmen dhe duke fshehur dobësitë tona pas forcës morale të partneritetit historik amerikan, lidershipi opozitar veçse përçon dyshim, frikë dhe pasiguri. Ndaj sa më shumë të përdoret termi anti-amerikan, aq më i madh bëhet problemi që kërkohet të fshihet. Kjo nuk i shërben as Shqipërisë, as rajonit tonë të brishtë dhe aq më pak partnereve tanë euro-atlantik. Ata nuk mund të jenë kurrsesi mburojë për dështimet tona, individuale apo kolektive. Ndaj më 11 dhjetor, unë jam në krah të demokracisë, perëndimit dhe të një kapitulli të ri për forcën politike që përfaqësojmë.

*Anëtar i Këshillit Kombëtar, PD

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana24/11/2021 15:23

Nje analize me te vertete me kembe ne toke per gjendjen aktuale dhe perspektiven e afert e afat - mesme te partise demokratike .

DEMOKRATI I BAZS23/11/2021 15:47

TË JESH SOT KUNDËR SALI BERISHËS DHE LËVIZJES DEMOKRATIKE FOLTORJA DO TË THOTË TË JESH ANTI-DEMOKRAT, ANTI-SHQIPTAR DHE ANTI-AMERIKAN!
PAS RRËZIMIT TË PENGUT LULZIM BASHA NGA FRONI I PD DO TË RRËZOHEN ME RADHË EDHE TË 3 PENGMARRËSIT E TIJ: EDVIN KRISTAQ RAMA, ERJON PLEH VELIAJ DHE YURI ÇING LI MING KIM! DO TË RRËZOHET EDHE AZIATIKJA KIM, PASI E KA SHNDËRRUAR AMBASADËN E SHBA SI JO SI NJË AMBASADË AMERIKANE POR SI NJË AMBASADË KINEZE OSE KOREANO-VERIORE!
PASTAJ TË GJITHA INSTITUCIONET E DREJTËSISË, TË MINISTRISË SË BRENDSHME DHE TË POLICISË SË SHTETIT DO TË RIBËHEN SIPAS SISTEMIT TË DREJTËSISË DHE POLICISË FRANCEZE OSE AMERIKANE!! TË PAVARUARA NGA POLITIKA, JO VEGLA TË POLITIKËS DHE TË PUSHTETIT POR INSTITUCIONE TË PAVARUARA LEGJITIME NË FUNKSION DHE NË MBROJTJE VETËM TË SHTETIT DHE TË QYTETARËVE!
KËTO 30 VJET TË IKURA KOT, DO TË JENË NJË MËSIM I MADH PËR TË GJITHË BREZAT QË DO TË VIJNË!! SHQIPËRIA DO TË BËHET VËRTETË E LIRË, DEMOKRATIKE DHE EVROPIANE! SHQIPËRIA DO TË BËHET NJË SHTET DINJITOZ!
SALI BERISHA AS NUK SE ÇFARË TË HUMBASË MË, AS NUK KA SE ÇFARË TË FITOJË PËRVEÇ PËRJETËSIMIT TË EMRIT TË TIJ NË ALTARIN E NDRITUR TË KOMBIT SHQIPTAR! UNË E BESOJ! DEMOKRACIA SHQIPTARE DO TË FITOJË DHE DO TË TRIUMFOJË!

Shto koment

Denonco