Platforma e sotme e Berishës e përfshin brenda saj edhe Lulzim Bashën

Platforma e sotme e Berishës e përfshin brenda saj edhe Lulzim Bashën

Nga Ndriçim Kulla - 22/11/2021

Zgjedhjet e rrufeshme të parakoshme të PD-ës menjëherë pas humbjes zgjedhjeve parlamentare të 26 prillit i vunë vulën raportit të kryetarit të saj Lulëzim Basha me politikën.

Çfarë është për të politika? Pse i ka hyrë rrugës së saj dhe çfarë kulture dhe perceptimi ka ai për politikën? Do dëshiroja që të ma arsyetonte sot dikush, sidomos nga ata që janë avokatë të tij edhe në vazhdim; pse duhet të qëndrojë ai më në krye të PD-së? Ku është veza e kuqe që ai paska bërë, apo mund të na bëjë në të ardhmen?

A mund të na japë dikush, apo qoftë edhe nga ai vetë një rast të dytë në vendet me demokraci të vërtetë perëndimore, ku një drejtues i një partie si Partia Demokratike të ketë kaluar nga humbja në humbje tre herë, të ketë gabuar rëndë politikisht dy herë dhe përsëri të turret me vrap për t'u rizgjedhur kryetar i partisë, ndërkohë që e ka shpurë në katastrofë fatin e elektoratit të djathtë me keqdrejtimin e tij? 

Që në qershor të vitit 2017 kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha duhet të ishte dorëhequr, ose të ishte shkarkuar. Dhe tek mungesa e këtij fakti, secili prej nesh duke e parë të vërtetën në sy, kush më shumë dhe kush më pak ka përgjegjësinë e tij objektive, që nuk gjeti dot hapësirë brënda vetes, natyrisht sipas përgjegjësive publike, që ta  kthenim përmbys realitetin e shtrëmbër, që imponoi me dredhi në vijimësi politika e Lulëzim Bashës. 

Megjithatë më mirë vonë se kurrë. Në këtë krizë të thellë ku kryetari i partisë ka copën e madhe të luanit të përgjegjësisë, sot PD-ja është ngritur për t'u përgatitur në mënyrë që të luajë rolin e saj konstruktiv për të bërë opozitën e vërtetë.

Por do ishte më e thjeshtë për të ecur në rrugën e riorganizimit dhe ringritjes së saj në rast se kryetari i saj formal do jepte dorëheqjen demokratikisht dhe do t'i bashkohej kësaj lëvizje ripërtëritëse. Platforma e Sali Berishës i cili ka marrë me iniciativën e tij barrën e kësaj lëvizje gjithëpërfshirëse nënkuptohet, e ka qartësisht brenda edhe Lulëzim Bashën së bashku me të tjerë ideatorë, të cilët në shumë vizione të tyre nuk kanë të njëjtat qasje me promotorin e kësaj lëvizje.

Sali Berisha falë eksperiencës së tij në drejtim dhe në politik ka një ide të qartë në këtë drejtim, që quhet projekt dhe po e zhvillon dita ditës, duke shtuar mbështetjen publike, ku për të mirën e demokracisë është e nevojshme që t'i bashkohen edhe alternativa të tjera paralele në mënyrë që, duke u bashkuar të plotësojnë idetë e z.Berisha të manifestuara në Foltore.

Ndërsa kritikat e sotme për lidershipin dhe vetveten duhen parë si një rivlerësim normal për të gjetur rrugën e humbur të së ardhmes. Ndryshimi jo vetëm i Statutit dhe Programit të partisë, por edhe i metodave të punës së derisotme nga ana e drejtuesve dhe strukturave të partisë me në krye z.Basha, do të mënjanojë vazhdimin në rrugën e vjetër, që pruri në mënyrë të pashmangshme rezultatin e 23 Qershorit dhe rezultatin fatal të 25 Prillit. 

Shikoni sa i ndryshëm që është  autokratizmi i Bashës në parti, që sillet si njeri me të drejta të pa kufizuara, duke pushuar drejtues, zyrtarë dhe deputetë të Partisë Demokratike  dhe duke kërcënuar se do përjashtojë nga PD-ja edhe vetë liderin historik madje z.Berisha, sepse i kundërvihen projektit politik humbës të tij, duke shpalosur me trasparencë një projekt konstruktiv dhe tolerant, që përfshin edhe alternativën e Bashës dhe mjaft njerëzve të tjerë! 

Kjo platformë e re është gjithëpërshirëse. Është përtej Berishës dhe Bashës dhe katërcipërisht në interes të shqiptarëve, sepse kthen opozitën rë rolin e saj të vërtet nga roli i saj fasadë tetëvjecar që krijoi dhe ruajti dashur pa dashur statuskuonë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

DEMOKRATI I BAZS25/11/2021 11:02

E ke gabim i nderuar z. Kulla! E ke shume gabim! Përkundrazi, platforma demokratike që sot Dr. Berisha po shpalos nëpër foltoret e tij më bazën e demokratëve është e vërtetë, dhe i përjashton kategotikisht personazhet sorosiane qesharake, dështake dhe të pabesueshme të tipit Basha!!
Një dështak dhe i pabesë nuk është kurrë një shëmbull i mirë!

altini22/11/2021 19:10

Vërtet e mendon atë që shkruan o artikullshkrues? Gjuha e ashpër e përdorur ndaj Bashës, me ose pa të drejtë, nuk tregon se ka vend për të me rikthimin e Berishës. Jo se është qameti, por më mirë të themi të vërteta, sesa të shesim p…. lart e poshtë nëpër portale.

Shto koment

Denonco