Si po tentohet t’i jepet vokacion 2 tezave spekulative në PD

Si po tentohet t’i jepet vokacion 2 tezave spekulative në PD

Nga Bujar Nishani - 18/10/2021

Në zhvillimet e debatit politik të kohëve të fundit, po tentohet t’i jepet vokacion dy tezave, ajo që “si ka mundësi që Partia Demokratike e Shqipërisë ekziston ende, kur shumë parti që lindën në Evropën Lindore pas rënies së komunizmit, nuk ekzistojnë më” dhe teza tjetër, që artikulohet prej disa personazheve në ekrane televizive, se “të vjetrit në politikë” - duke pasur në fokus individë me karrierë 20 apo 30-vjeçare, “duhet të largohen për t’i lënë vendin të rinjve”.

I mora këto dy teza t’i analizoj për faktin se së pari janë tërësisht spekulative, por dhe tregues i problemeve të rënda kulturore dhe të integritetit që mbartin përçuesit e tyre.

Ata që çuditen nga vijimi i ekzistencës dhe mbështetjes masive për Partinë Demokratike që vijon prej 30 vitesh në pluralizmin shqiptar, çuditërisht nuk pyesin se si vijon të ekzistojë ende Partia Socialiste, parti e themeluar prej 80 vitesh, mbartëse e 50 viteve diktature të egër vrastare e varfëruese për shqiptarët.

Ndryshimi i fundit i emrit prej saj ishte vijimësi i ndryshimit të emrit disa herë në këto 80 vite ekzistence, pa ndryshuar asgjë tjetër.

Kjo hipokrizi ekstreme i bën krejt të parëndësishëm ata që “çuditen” nga vijimi i mbështetjes për Partinë Demokratike.

Nevoja për reformimin dhe modernizimin e saj, padyshim sot është më e nevojshme se kurrë më parë !

Ndërsa të gjitha ata që artikulojnë largimin automatik nga politika për këdo që ka 20 apo 30 vite që merret me të, kanë probleme të rënda kulturore dhe integriteti.

Kanë problem kulturor pasi në një shoqëri të lirë dhe moderne askush nuk duhet të pretendojë të imponojë pikëpamjen e tij mbi tjetrin pa u provuar në ballafaqim, konkurim dhe matje idesh, pikëpamjesh, modelesh.  Gjykimi mbi to bëhet nga shoqëria me mjetin më sublim që mbart ajo. Vota !

Ata nuk e kuptojnë dot se politika është profesion si çdo profesion tjetër.

A mund t’i thuash një gazetari se meqë ti ke 20 vite që merresh me gazetari, ik tani se boll u more me këtë punë?!

A mund t’i thuash një pedagogu universitar që ka 20 vite që bën atë punë, mjaft më se je bërë i mërzitshëm, ik tani, hapi rrugë të rinjve që diplomohen çdo vit fakulteteve tona?!

A mundet t’i thuhet një mjeku në spital “ ke shumë kohë këtu, jemi lodhur duke të parë çdo ditë në sallën e operacionit, ik tani të hyjë një fytyrë e re këtu?!”

Ky pra është një kufizim i madh kulturor që i mundon ata individë pedantë. Por ana tjetër e medaljes është dhe më difektoze për ta, sepse është çështje integriteti.

Ata nuk e perceptojnë dot politikën si kontribut.  Për konceptin dhe mentalitetin e tyre politika është një mundësi veç për të zhvatur diçka.

Domethënë vijnë disa, zhvatin sa kanë mundësi e duhet të ikin që të vijnë ca të tjerë e të zhvasin dhe ata ca.  Ky është një problem i madh i integritetit të tyre.

Këta individë jo vetëm që janë jo seriozë por dhe problematikë e kërcënues për interesin publik pasi janë produkt i kufizimeve të mëdha kulturore dhe difekteve karakteriale, përveçse janë dhe frikacakët më të mëdhenj ndaj fuqisë së votës!

Në botën e qytetëruar, modele të tillë kanë mbetur gjithmonë anash!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana18/10/2021 18:03

Po mire te pakten qe shkruan e ben sikur i jep mend opinionit publik ....; por nuk arrij ta kuptoj fjalen " e madhe " qe ke vendosur ne titullin e shkrimit tuaj : " ...Vokacion ..." ...???!!!
Nderkohe sa per politiken si " profesion " edhe kete gje nuk e kuptoj se kur u bone ti politikan , nderkohe qe fjalet pa kuptim ne politike si rregull i perdorin profesionistet me nivel te ulet ..?!
Mire qe nuk ke perdorur edhe fjalen tjeter si psh : " Lançoj .." tezen e dyte ....

Shto koment

Denonco