'Foltoret' po e lëvizin PD-në

'Foltoret' po e lëvizin PD-në

Nga Tritan Shehu - 17/10/2021

Pa asnjë dyshim “foltoret” po e lëvizin PD-në. Po e nxjerrin nga një “status quo” paralizuese, asfiksuese, e pashpresë. Në fakt po bëjnë që anëtarët, militantët, mbështetësit, por jo vetëm kaq, edhe shumë qytetarë “indiferentë” të diskutojnë, të debatojnë qoftë dhe me pasion, të mendojnë tashmë në mënyrë më aktive.

Pavarësisht nga shkaku iniciues, gjenerues i këtij procesi, ai tashmë po shtyn në drejtimin e duhur jo vetëm PD-në, por dhe opinionin publik shqiptar, po e zgjon dhe po e vë atë përpara mundësisë për t’u ngritur nga “shtrati”, që po të vazhdonte akoma kështu do të bëhej “shtrati i vdekjes” i demokracisë shqiptare.

Tashti e rëndësishme është që ky proces të vazhdojë duke kaluar më tej në institucionet e PD-së, aty ku merren dhe vendimet. Dhe këtu bëhet fjalë për Kuvendin Kombëtar të PD-së, si një domosdoshmëri për të sanksionuar ato norma demokratike, forma bashkëjetese për të gjithë, të domosdoshme për të bërë që zhvillimet në PD t’u paraprijnë atyre në Shqipëri.

Dhe të tilla ka shumë:

Fraksionet në parti, referendumet vendimarrëse, decentralizimi, forcimi i rolit të degëve e drejtuesve të tyre, vota e anëtarit mbi të gjitha, dorëheqja e pakthyeshme e Kryetarit të PD-së në rast humbjeje zgjedhjesh, rregulla të qarta statuore-organizative, politikë garantuese e demokracisë së brendshme të bazuara mbi votën, organe të PD-së që nga Kryesia dinamike, të afta në vendimarrje si nga ndërtimi numerik deri te përbërja e tyre, josureale në dimensione, por efiçiente, linja të qarta politike për çështjet kryesore etj, etj.

Nuk kam fjalën këtu për emra të përveçëm, për mua ato janë të dorës së dytë, por për parimet që duhen implementuar, të cilat garantojnë edhe cilësinë e drejtuesve apo kontrollin mbi ata.

Dikush mund të thotë se këto duheshin realizuar më parë. E drejtë, por një fjalë thotë: “Më mirë vonë se kurrë”! Megjithëse kjo është e vërtetë, përsëri nuk duhet t’i ngushëllojë edhe “të vonuarit” e sotëm, ata që vazhdojnë të presin në heshtje, të shtyrë nga reflekset e autocensurës. Tashmë koha nuk pret, sepse ky regjim duhet përmbysur, ndryshe….

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana17/10/2021 17:33

Sa per kete pseudodemokrat , PD-ja nuk vjen kurre me ne pushtet ; te pakten te mos dali ne foltoret e doktorit .....10 here me mire manjani se ky ....

Shto koment

Denonco