Me Amerikën e virtytit dhe partneritetit

Me Amerikën e virtytit dhe partneritetit

Nga Astrit Veliaj - 14/10/2021

Alibia ‘amerikane’ e zaptuesve të Partisë Demokratike meriton të trajtohet në disa plane, se pasojat janë jo vetëm partiake, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, kulturën politike dhe mbrojtjen e interesave tona publike. Zgjidhja e një çështjeje krijon precedentin, që na çon drejt modelit, i cili konturon Shqipërinë e së nesërmes.

Kjo e bën rastin të rëndësishëm për analizim më të thellë. Nëse kapja totale e PD-së, eleminimi i demokracisë institucionale dhe trashëgimisë së saj, po merr një përgjigje të qartë nga populli demokrat, ajo që mbetet ende e mjegullt është përdorimi i emrit të respektuar të Amerikës për hesape politike vendore, interesa të fshehta dhe instalimit të një kulture të dëmshme varësie totale ndaj partnerëve të huaj.

Një teatër i ngjashëm, me të njëjtin aktor, ka ndodhur edhe vite më parë. Dikur nxirrte alibi me të huajt liderin historik të partisë për marrjen me dhunë të pushtetit, sot nxjerr alibi amerikanët kur dëshiron të përvetësojë një parti me rëndësi kombëtare. Ky deformim karakteri individual nuk mund të lejohet të deformojë karakterin e opozitës dhe mendësinë e të bërit politikë në vend.

Për këtë duhet kuptuar se ç’përfaqëson Amerika, si raportohet ajo në politikën e jashtme, në çfarë mase vendime të dikujt tjetër duhen aplikuar në vendin tonë dhe se si vende të tjera i rregullojnë këto raporte me partnerët e tyre të fuqishëm, për të mbrojtur shëndetin e sistemit të tyre shtetëror.

Në krye të herës duhet pranuar se shtrati filozofik i etërve themelues të Amerikës për ndërtimin e një sistem konstitucional të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, që neutralizon abuzimet politike dhe mbron të drejtat natyrale e virtytet kombëtare përmes një rendi të demokracisë ligjore, përbën  një model të dëshirueshëm edhe për ne. Këtu duhet përqendruar debati - të konsolidojmë sistemin ku gjykon drejtësia apo t’i hapim rrugë ndikimeve të pushteteve politike. Në vende ku mungon supremacia e virtytit, çalon sistemi i balancimit dhe reagimit civil, situata mund të kthehet në një rrezik për njeriun dhe demokracinë. Këtë nuk duhet ta lejojmë.

Dredhitë se amerikani na kërkon dënime pa nxjerrë prova, janë marifete njerëzish të pandershëm politik. Qasje të tilla duhen refuzuar si të papërputhshme me virtytin amerikan të ndershmërisë, drejtësisë dhe transparencës. Në kohën tonë asgjë nuk duhet pranuar pa rezerva. Postulati mesjetar i fesë ‘beso dhe mos vëzhgo’ ka rënë një herë e përgjithmonë. Çdo ushtrim autoriteti, qoftë edhe përtej Atlantikut, duhet marrë me rezerva.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara mbeten një superfuqi vlerash në histori, implementimi i vullnetit të tyre të mirë paraqet edhe mangësi. Uji i kulluar i lartësive mund të bëhet pis kur zbret në ultësira. Sa më shumë t’i largohesh qëndrës aq më shumë zbehen vetitë themelore, kontrolli dhe autenticiteti. 

Studiues të ndryshëm kanë vënë re mangësi në politikën e jashtme amerikane përgjatë viteve. Një prej tyre, John Kane nga prestigjiozi Griffith University, vë në dilemë mitin e forcës së virtytshme të Shteteve të Bashkuara në marrëdhëniet me jashtë.

Në një artikull studimor ai shikon dobësitë ndër vite për të harmonizuar vlerat dhe forcën, nga lufta e Vietnamit dhe deri tek ajo e Irakut, duke qënë jo në pak raste me pasoja të rrezikshme (Kane, John, Dec., 2003, ‘American Values or Human Rights? U.S. Foreign Policy and the Fractured Myth of Virtuous Poëer’, Presidential Studies Quarterly, Volume 33, Issue 4, p. 772-800).

Pamjaftueshmëritë amerikane në politikën e jashtme i dedikohen edhe faktit se zhvillohen kryesisht larg vëmendjes së opinionit publik. Nëse për çështje të brendshme, studiues të shumtë arrijnë në konkluzionin se politikat prej dekadash shkojnë në drejtimin nga dëshiron shumica e qytetarëve (Shapiro dhe Page, Monroe, Ericson, Burstein, Manza dhe Cook, Ëright dhe McIver, Harteley dhe Russet  e shumë të tjerë), kur bie fjala tek marrëdhëniet me jashtë rol luajnë lobimet e njerëzve me ndikim.

Laërence Jacobs dhe Benjamin Page në një studim të tyren arrijnë në konkluzionin se ‘Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara influencohet kryesisht dhe vazhdimisht nga liderë biznesi të orientuar ndërkombtarisht dhe më pas nga ekspertët’, ndërsa duke iu referuar opinionit publik, ai shihet sipas tyre të ketë shumë pak ndikim (Jocobs, L.R., Page, B.I., 2005, Ëho Influences U.S. Foreign Policy’? American Political Science Revieë,  Vol. 99, No 1, p. 107). Kjo lë vend për ndikime të pandershme dhe përdorimin e forcës dhe imazhit amerikan për interesa grupesh okulte dhe liderësh politikë lokalë.

Për këtë arsye ne duhet të punojmë për shëndetin e sistemit tonë, të ndalim dënimet politike dhe të mbështetemi tek një drejtësi e paanashme, se siç thoshte Hamilton-i, ‘gjyqësori nuk ka forcë apo qëllime, por vetëm gjykim’.

Ka ardhur koha ta shohim botën pa komplekse dhe me më shumë besim tek ajo çfarë jemi dhe kemi zhvilluar si shoqëri, këtu dhe në mbarë botën. Jo çdo perëndimor përfaqëson shpirtin civilizues të Perëndimit, aq më pak ata që kërkojnë dhunimin e demokracisë institucionale dhe shkeljen e të drejtave njerëzore. Si mund të pranohet mohimi i votës dhe i të drejtës së përfaqësimit politik të zgjedhësve, përkrahja e veprimeve autokratike të një kryetari dhe kundërvënia ndaj demokracisë direkte të një partie?

Në botën perëndimore si qëllimet dhe mjetet duhet të jenë demokratike, ligjore dhe etike. Respektimi i demokracisë nis me forcën e shembullit, e aplikon tek vetja përpara se t’ua kërkosh të tjerëve. Standardet e dyfishta zbehin rolin e mbrojtësve të demokracisë dhe krijojnë përshtypjen se i lejojnë vetes parime të ndryshme nga ato që u kërkojnë të tjerëve. Kjo nuk mund të pranohet. Prej këtej duhet të nisi një qasje e re, një afërsi më e madhe me modelin, me Amerikën e virtytit dhe një partneritet që refuzon nënshtrimin.

Nuk po flasim këtu për një sovranitetit, që na çon drejt izolimit dhe pushtetit të paprinciptë të një klani a një njeriu, si në kohën e komunizmit, por për aftësinë për të ngritur institucione që hyjnë në partneritete, respektim pikëpamjesh dhe influence përmes fakteve dhe interesave të përbashkëta.

Aleancat apo anëtarësimet nuk duhen parë si momente kapitullimesh. Në NATO dhe në Bashkimin Europian vendet anëtare humbasin diçka nga sovraniteti i tyre, por marrin një vend në tryezën e vendimmarrjes kolektive, duke pasur edhe të drejtën e fjalës, të drejtën e vetos, por edhe të drejtën të tërhiqen në çdo kohë nga një bashkësi ku u preken interesat. Njëkohësisht, nga lufta e Kosovës bota ka hyrë në një fazë të re të përkufizimit të sovranitetit, ku të drejtat e njeriut marrin përparësi mbi të drejtën suverane të shteteve mbi një territor të caktuar. Mbi këto principe duhet ndërtuar shteti ynë modern.

Sado të afërta të jenë marrëdhëniet me një shtet tjetër, interesat nuk mund të jenë identike. Me një mekanizëm të njehsimit të vendimeve asnjë politikan a qeveritar shqiptar nuk do ishte tërësisht i lirë të merrte vendimet e duhura. Amerika me Izraelin kanë një marrëdhënie të fortë, por themeluesi i shtetit hebre Ben Gurion do nënvizonte faktin se mbrojtja më e mirë e interesave tona është të bazohemi tek vetja. Dhe nuk e kishte keq.

Duke fuqizuar të duan dhe respektojnë edhe partnerët. Në qeverinë e një vendi mik neser mund të vijnë politikanë, që mund të përdorin frikësimin për arritjen e një qëllimi politik. Gjithkush mund të kujtojë raste në të shkuarën. Sado miq t’i kemi njerëzit nuk mund të lejohen të zënë vendin kryesor në familjen tonë.

Mëvetësia nuk jepet për asnjë çmim. Reflekset historike të vasalitetit nën perandori duhen kthyer në partneritet bazuar tek vlerat e virtytet e përbashkëta. Shqipëria ka peshë të patjetërsueshme si partner për atë çfarë përfaqëson si popull dhe si vend, si gjeografi dhe histori. Më shumë civilizim dhe dinjitet i jep vlerë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

MANI USA16/10/2021 22:23

ATHUA MË E MOÇME ËSHTË VEJA APO PULA! A, DUHEJ TA MESOJË PULA VENË, APO
VEJA PULËN! CILA E KA LINDUR CILËN: A AMREKA DEMOKRACINË, APO DEMOKRACIA
AMERIKËN! APO: A DUHEJ RESPEKTUAR NËNA TË BIJËN, APO E BIJA NENËN! HEJ ORE,
KISHTE QENË NJË VAZË, SI E TËRBUAR, E VERBUAR; QË TALLEJ E PËRRALLEJ OH, ME
NËNËN E VETË; QË E LINDI, E RRITI, E NGRITI DHE, NË DRITË E SHNDRITI; HËJ, AJO SI
BUDALLAQE, TUTALLAQE, PO I THËRRET NËNES EDHE GJENËS MORE KRENES AH, TË
RILINDJES DHE RINGRITRJES, INDIVIDUALE, SHIKO IDEALE; MBARË NJERËZORE OUH,
MBARË BREZORE; MBARË KOMBËTARE, MBARË SHQIPTARE! SA ÇUDIE AH, OJ DUDIE,
MOJ HUTIE! QURA E NËNES, SHTRIGULA E GJENËS; PO THOT EU, I MADHI ZOT, A SOT:
" ËH MOJ NENË; UNË MBAJ MEND SI SOT, KUR KE LINDUR TI, BEBE E POSALINDUR?!"
MANI USA

Skrapari14/10/2021 19:43

Po me pelqen shume kohet e fundit z. Veliaj(Astrit). Ku ka qene deri dje ky burre i ditur qe nuk ja degjuam zerin te pakten njehere ne parlamentin e kaluar? Te jene shkrime te tija valle?

Shto koment

Denonco