Vetingu: keq, apo keq e me keq?

Vetingu: keq, apo keq e me keq?

Nga Artan Hoxha - 12/10/2021

Spastrimi i korpusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kryesisht përmes verifikimit të ligjshmërisë së burimeve të pasurisë, por edhe të verifikimit të figurës morale dhe performancës profesionale, i ashtuquajturi VETING, ka mbetur në mes të udhës.

Mandati kushtetues pesëvjeçar i organeve të shkallës së parë të vetingut - Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), përbërë nga 4 komisione me nga 3 vetë secili dhe Komisioneri Publik (KP), përbërë nga dy komisionerë dhe dy rezervë, mbaron në pak muaj ndërsa janë kaluar në siten e këtij niveli diçka më pak se gjysma e gjithë gjyqtarëve e prokurorëve dhe kanë mbetur për t’u kaluar thuajse po aq në numër, ndërkohë që një pjesë janë vetëlarguar me dorëheqje pararendëse.

Në përllogaritjet më optimiste, përfundimi i plotë i detyrës nga ky nivel i vetingut do të kërkonte të paktën edhe tre vite zgjatje mandat, ndërsa me ritmin e deritanishëm, të paktën katër, duke e çuar mandatin e këtij niveli në tetë deri nëntë vite nga fillimi. Për rrjedhojë, niveli i dytë i vetingut, ai i Komisionit të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese (KA), me mandat fillestar nëntëvjeçar me gjasa do të kërkonte një zgjatje prej dy a tre vitesh.

Situata kur procesi i vetingut ende nuk ka përfunduar, ndërsa mbaron mandati i organeve të këtij procesi, është parashikuar në nenin 179/b/8 të dispozitave tranzitore kushtetuese. Kështu, në mbarim të mandatit përkatës, rolin e KPK për gjyqtarët e mbetur e luan Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj), rolin e KPK për prokurorët e mbetur e luan Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), rolin e KP e luan drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (ndryshe e mirënjohur si SPAK) dhe rolin e KA e luan vetë Gjykata Kushtetuese (GjK). Gjithsesi këtu nënkuptohet një mbetje e vogël dhe e rastësishme e procesit diku nga fundi i tij, pra pak raste të nisura, por ende të papërfunduara me vendim, e jo thuajse gjysma e rasteve ende të panisura.

Në draftin e parë të paketës kushtetuese për reformën e drejtësisë, dhjetor 2015, mandati katërvjeçar i organeve të vetingut, parashikuar i rinovueshëm pa kufizim herësh e me shumicë të thjeshtë parlamentare, u kritikua rëndë nga Komisioni i Venecias, i cili rekomandoi që procesi i vetingut duhej të ishte “një masë e jashtëzakonshme dhe strikt e përkohshme”.

Në draftin e dytë të paketës kushtetuese, mars 2016, projektimi i kohëzgjatjes deri 11 vite e procesit dhe e mandateve përsëri u kritikua rëndë nga Komisioni i Venecias, i cili rekomandoi një proces sa më të shkurtër, që shmangte lëngatën e gjatë dhe pasigurinë, me kohëzgjatje 3-5 vite, kohë që mund të zgjatej vetëm nëse kjo do te ishte e domosdoshme, por gjithsesi, jo si zgjatje mandatesh e organeve të vetingut por që rastet e papërfunduara të trajtoheshin nga organet e zakonshme e të përhershme të sistemit të drejtësisë dhe jo nga ato fillestare, të posaçme e të përkohshme të vetingut.

Ajo ç’ka ka ndodhur e pritet të ndodhë është kundër e përtej të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Procesi nuk ka qenë as efikas, as efiçent, as i drejtë, as koherent, as i paanshëm e së fundi as “strikt i përkohshëm”, por shumë i gjatë, i zgjatur e i zvarritur, me të gjitha pasojat negative e të rënda mbi sistemin e drejtësisë, përfshirë mungesën e gjatë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë, ende të paplotësuara, gjendjen e pasigurisë dhe sjelljen tip “kap-ç’të-kapësh”.

Në këto rrethana e në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias po kërkohet edhe zgjatja e procesit të vetingut, edhe zgjatja e mandatit të organeve të vetingut pra, që procesi të vijojë me KPK, KP dhe KA e të mos i kalojë organeve të reja e të përhershme të drejtësisë, KLGj, KLP, SPAK, GjK.

Problemi më i parë është tejzgjatja e procesit. Që ai do tejkalojë afatet e parashikuara, kjo është tashmë e pashmangshme. Por, përpara se të kërkohet zgjatja e mandatit duhet pare e vlerësuar mundësia e shtimit të burimeve njerëzore e materiale në dispozicion në mënyrë që kohëzgjatja e procesit të jetë më e shkurtra e mundshme.

Lidhur me kalimin apo jo të kompetencave për procesin e mbetur, ndonëse arsyet e Komisionit të Venecias janë të shëndosha e të qenësishme për ta kryer transferimin, krahas faktit që ka mbetur thuajse gjysma e procesit e jo ca raste të nisura, por ende të papërfunduara, vështirë që në atë kohë të merrej me mend se në ç’derexhe do ngriheshin e funksiononin organet e reja të drejtësisë, veçanërisht KLGj e KLP, aq sa performanca e KPK, KP dhe KA duket krahasimisht e shkëlqyer ndaj, transferimi i kompetencave do të ishte shumë më shumë i dëmshëm se sa vijimi e përmbyllja e tyre aty ku nisen.

Të paktën të bitiset siç nisi, keq, jo keq e me keq.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari12/10/2021 12:17

Ooooooo Lylush zbrit ne baze ore heiiiiiii te shikoshe pidhin e mizes sa sgume te duan demokratet.Akoma ti o qyq mendon se dikush do te te vije te te ngreje breket qe i kene fund te kembeve.Te genjen mendja o pafille qe do t'a rezosh Ramutn ti, po ti po vete 9 vite qe po ha sallator te zier "ai miku s'do pellembe po do vardem".

Shto koment

Denonco