Nxënës të dashur! Mirë se vini në strehën e paditurisë

Nxënës të dashur! Mirë se vini në strehën e paditurisë

Nga Ndriçim Mehmeti - 27/09/2021

Si asnjëherë në historinë e arsimit shqiptar pas vitit 1945, dita e parë e shkollës do të jetë në fund të shtatorit. Kjo sepse ne si asnjë vend tjetër kemi marrë masa kundër pandemisë, analfabetizmit, bëjmë mësim plotësues (kuptimin e të cilit nuk e di askush) dhe e gjitha kjo për hatër të fëmijëve, në interes të prindërve, në shërbim të mësuesit, e me demek në fund për rritjen e cilësisë së arsimit. E meqenëse jemi në fushën e eksperimenteve vit pas viti me arsimin, do të bëja një propozim me shumë modesti:

Ndryshoni parullën bajate të përvitshme: Nxënës të dashur mirësevini dhe bëni një shtesë të vogël: Mirësevini në strehën e paditurisë.

Kështu do të ishte më e ndershme, më e fisme. Nxënësve tanë të dashur le t’u themi të vërtetën. T’u themi që shkolla edhe këtë vit, nuk do të ketë as ujë të rrjedhshëm dhe as ngrohje. Do të vijoni mësimin nga mëngjesi deri në darkë, duke mallkuar mamin dhe babin që nuk jua vuri emrin Ana apo Andi, por ua vuri emrin Xhesi dhe Xheku, kështu që zahmet e keni të shkoni në shkollë në 4 pasdite e të dilni në 7 të darkës.

Për laboratorë kimie, fizike, biologjie, kompjutera, tableta, laptop, mësim të plotë, as që bëhet fjalë. Ju jeni vetë të zgjuar, inteligjentë të lindur që me 30 minuta e thithni mësimin në ajër, madje pa e hapur fare gojën mësuesi. Detyrat bëjini vetë e kontrollojini vetë, se mësuesi nuk kohë të merret me ju. I ngrati do të rrijë tërë ditën në shkollë, por as vetë nuk do ta kuptojë përse-në. Mos merrni çatë me vete. Kot do ta keni. Do t’i nxirrni librat, sa për të shënuar faqet që do të mësoni, se më shumë nuk ka çfarë.

Prindër të dashur! Vijoni si gjithë këto vite të fundit të paguani ngado për shkollimin e fëmijëve tuaj: Mësuesit, drejtuesit e shkollës, trajnerin e futbollit, basketbollit, volejbollit, kurse pa fund, transportin e fëmijëve, rojën e shkollës, oficerin e sigurisë dhe së fundi edhe administratorin e shkollës, si një gjetje origjinale e Lali Erit. Dhe sakën se çoheni e kërkoni kushte më të mira për fëmijët tuaj, ngrohje, ujë, tualete të pastra, shkollim cilësor, aktivitete argëtuese. Mos e bëni në asnjë mënyrë. Këto janë të drejta që i takojnë atyre që dinë t’i kërkojnë jo juve, që i keni lënë fëmijët në mëshirë të fatit, se shtet dihet që nuk ka. Ju mjafton t’i thoni peqe –lepe drejtorit, ndonjë lek nën dorë mësuesit kujdestar, ose atij që “nuk lëshon notë”, siguroni mesataren, që të mos prishet aveniri i fëmijëve, për të tjerat ka Zoti kismet edhe për ju.

Mësues të dashur! Edhe ju vijoni siç keni bërë deri më sot. Mos u ankoni fare për kushtet mizerabël në të cilin ushtroni profesionin, as për mungesën e mjeteve të punës, as për skllavërimin që ju bëjnë duke iu përdorur si punëtor pa pagesë për punën që bëni. Në fund të fundit, 20-27 mijë lekë të vjetra ju mjaftojnë për rritjen cilësore të jetesës suaj. Me këtë pagesë për orët shtesë, ju mbuloni fare mirë faturën e energjisë, ujit dhe ju mbete për të darkuar me familjen njëherë në javë. Nuk keni pse të protestoni edhe pse çdo 4 vjet ju tallin, ju mashtrojnë për rritjen më të madhe të pagës në 30 vjet. Por ata që jua bëjnë premtimin meritojnë një bravo të madhe, sa kohë ju e përtypni e ripërtypni talljen e tyre dhe madje me shumë dëshirë.

Drejtues të dashur të arsimit në gjitha nivelet! Edhe ju vijoni të ankoheni pa masë në mbledhjet me deputetët dhe hierarkët e lartë socialist, që ju lanë në mes të rrugëve dhe nuk ua njohin kontributin, militantizmin, arrogancën, forcën që treguat duke lënë pa punë, cilido që ju urdhëroi partia ta flaknit në rrugë. As mos e vrisni mendjen si ecën arsimi, cilësia, problematikat, analfabetizmi funksional. Të gjitha këto janë dokrra. Shikoni ku ka tendera, përftime, libra për të shitur, ndonjë dritare, pllakë mermeri të shkollës, çoni në shtëpi ndonjë kompjuter, merrni ndonjë lek për regjistrime, rritje notash, e kësi gjërash. Arsimi dhe hallet e tij janë krejt të huaja, të papranueshme për moralin e lartë të rilindjes. Padituria, skamja, lënia në errësirë e të rinjve, është detyrë mbi detyrat, në çdo ditë të javës.

Njerëz të shoqërisë civile! Edhe ju si shokët dhe shoqet më sipër nuk keni përse e prishni terezinë, as me vatrën e dijes e as me strehën e paditurisë. Në fund të fundit misioni juaj fisnik është sesi të shkruani, merrni dhe përfitoni projekte e donacione, që ju lumturojnë juve dhe familjen tuaj, që sigurojnë ndërrimin e gardërobës, një vend pëllumbash në administratën shtetërore, për gruan/burrin, dashnorin/en, djalin, vajzën, me pak fjalë sigurimin e tarafit tuaj me të ardhura, pa shumë djersë.

Qytetarë të dashur! Të gjithë kemi për detyrë të mbrojmë, zhvillojmë e kujdesemi për arsimin, si e vetmja mënyrë për të dalë nga varfëria, për të parë fëmijët tanë me sy jo njëherë në vit apo më shumë, por çdo ditë. Është mundësia për të zhvilluar vendin dhe për të gëzuar ato ditë që na ka dhënë Zoti, si shumë të tjerë rreth nesh. Vatra e dijes shkolla, ka marrë flakë në sytë tanë. Gjuhët e saj kanë mbërrit në trarët e lodhur të strehëzës së ndërtesës që mezi mbahet tashmë. Në një kohë të shkurtër kjo strehë do të shembet dhe pasojat e këtij shkatërrimi, do t'i kemi në kurriz si shoqëri, tash e 30 vitet e ardhshme. Kemi shumë pak kohë për të shëruar diçka, përndryshe, nesër nuk mund t'i ankohemi askujt, për gjëmën që e bëmë vetë, krejt me dashje e qëllim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp27/09/2021 16:23

Faleminderit Z.Mehmeti për "këshillat e vlefshme". Në arsim sidomos, kemi prekur fundin. Ku i di të gjitha këto?. Sikur ke punuar në arsim dukesh. Nëse ke punuar aty, ke bo nji gabim. Deklarata e Konfidencialitetit që duhet të kesh firmosur si punëmarrës, apo detyrimi që rrjedh nga Kontrata e punës ,jua ndalon të nxirni 'sekretlliqe' nga sektori. Ndaj mos na e mërzit as ministren e as qeverinë. Por mos krijo probleme as me opozitën. Se në këtë lëmsh të madh m....i të krijuar si kudo , kanë pjesën e tyre të gjithë. Ndaj askujt nuk i intereson ndryshimi. 'Lëmshi' ka krijuar kore dhe era nuk ndihet fare.

Shto koment

Denonco