Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Arsimi si ‘bari i keq’ në programin e qeverisë

Arsimi si ‘bari i keq’ në programin e qeverisë

Nga Ndriçim Mehmeti - 17/09/2021

Na qëlloi këto ditë të kishim në dorë programin e qeverisë. Sikundër çdo profesionist, “gjuha shkon ku dhemb dhëmballa”. Të them të drejtën me shpejtësi shkova tek rubrika e arsimit. Mendova (ndonëse nuk kisha asnjë shpresë) se edhe pse nuk dinë ndonjë gjë të madhe vetë, mbase kanë kopjuar diku ndonjë gjë të mençur, për të na i servirur si punën e tyre. Në fakt ishte krejt e kundërta. Rilindasit e mëdhenj të shek. XXI, edhe kësaj here nuk kishin lanë vend për surpriza, hamendësime apo pritshmëri të tjera. Janë aty ku duhet të jenë.

Pse rubrika e arsimit, në programin e qeverisë, nuk është gjë tjetër veçse një bar i keq?

Nëse nisemi nga ky etiketim, gjithkush mund të thotë se bari në tërësi të kujton diçka që nuk shtyhet apo përtypet, si ushqim apo bimë që i zë frymën një produkti të mirë të kultivuar me kujdes. Bari mund të jetë edhe i këndshëm në sytë e njeriut për ta kundruar, por në rastin tonë, arsimi është në programin e qeverisë një ‘bar i keq”, që nga mënyra e vendosjes, paraqitjes tejet të vyshkur, të thatë, pa asnjë lëndë ushqyese, i ndjekur prej diellit përvëlues të gënjeshtrave, një bimë që bëhet pluhur, porsa përpiqesh ta mbash në dorë e të kuptosh me çfarë bimësie ke të bësh. Të njëjtat premtime bajate, të shkruara keq, me pika të shkëputura, me fjali pa kuptim, me rreshta të huazuar aty këtu. Nuk kuptoje dot se si mund të zërë një vend qendror, në programin e një qeverie rritja e cilësisë së arsimit, përmes zgjerimit të klasave sportive. Mund të ngjasojë si ideja e disa vendeve që fillimisht aplikuan futbollin dhe që mendonin se zvogëlimi i përmasave të fushës, do të sillte rezultat pozitiv për ekipin e tyre. Nëse e kemi kaq për zemër sportin, fare mirë bëjmë një ministri më vete (ne kemi provuar me ministri koti në tetë vite kështu le të eksperimentojmë e dhe 4 të tjera) dhe i japim sportin “vendin që meriton”, si shtylla e cilësisë së arsimit dhe mirëqenies së vendit tonë.

Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti, që pikërisht në programin e qeverisë (dhe jo në programin e kurrikulës së arsimit parauniversitar, ku në fakt duhet të ishte), gati sa nuk shënohet me shkronja të arta, se: “në vitin 2021-2022, nis mësimi i gjuhës angleze si lëndë e detyruar nga klasa e parë e arsimit bazë”. Dhe nëse realizohet, çfarë ndryshon për mirë në arsim? Si do të bëhet me gjuhët e tjera, që janë përcaktuar si gjuhë të huaja të para për nxënësit? Përse duhet të fillojë mësimi në klasë të parë dhe përfitimet në aspektin cilësor që do të ketë nxënësi dhe në një perspektivë, ekonomia dhe shoqëria shqiptare, në cilin dokument strategjik janë parashikuar? Ne flasim për një Shqipëri të fortë, për një Kosovë në qendër të politikës së jashtme, për një faktor shqiptar me rritje të prestigjit dhe fuqisë së vet në rajon dhe mirë bëjmë. Por kur shqiptarët nuk njohin, keqpërdorin, nëpërkëmbin, dhe abuzojnë duke shtrembëruar gjuhën e tyre amtare, përse duhet të kujdesemi kaq shumë për gjuhën e një vendi të huaj, që sado i fuqishëm qoftë, nuk do të kënaqej kurrë me një qytetar të një vendi tjetër që mburret se di më mirë gjuhën e të fortit se gjuhën e vet?

Gënjeshtra, papërgjegjshmëria, tallja deri në pafundësi zënë njëra-tjetrën. Premtohet për shkolla të reja, me një infrastrukturë moderne, por çdo ditë dëgjojmë lajme për mbylljen e shkollave, në Vlorë, Kukës, Patos, për shkak se janë jashtë funksionit të tyre si godina shkollore dhe përbëjnë rrezik për nxënësit. Këto shkolla me kapacitete të konsiderueshme të nxënësve, mos vallë nuk hyjnë në programin absurd të qeverisë?  Sigurisht që shakaja më e madhe është rritja e pagave të mësuesve. Çfarë thoshte Lindita Nikolla 4 vite më parë në programin e qeverisë për arsimin të prezantuar në shtator 2017, në lidhje me pagat e mësuesve? “Fillimisht pagat do të rriten deri në muajin prill 2018. Çdo vit do të bëhet rritje e pagave të mësuesve derisa të arrihet në shifrën 40% më shumë, brenda mandatit 4-vjeçar të qeverisë. Kjo do të thotë se pagat për mësuesit e arsimit të ulët nga 38 mijë pritet të jenë 53 mijë e 200 lekë të reja. Ndërkohë për mësuesit e ciklit 9-vjeçar pagat pritet të rriten me 17 mijë lekë. Nga 43.000 që janë sot, pagat për këtë kategori mësuesish pritet të bëhen rreth 60 mijë lekë”. Kjo rritje u harrua, ndërkaq që e njëjta skemë dhe skenë përsëritet përsëri.

A do të ishte më mirë që programi qeverisë të mos fliste për arsimin?

Unë them se do të ishte më e ndershme dhe se askush nuk do ta vinte re. Ne nuk është se ndërmorëm ndonjë aksion të rëndësishëm për arsimin me përjashtim të shkëndijës që u shuajt shpejt, lëvizja studentore e dhjetorit 2018. As mësues, as sindikata, as pedagogë, as prindër, as OJF, nuk e vunë ndonjëherë ujin në zjarr për arsimin. U hesht për një kohë të gatë dhe vijon të heshtet. Në vitin 2013 programi i qeverisë, dukej pak më serioz. Kishte shifra, afate, të dhënë, premtime, që nuk u mbajtën asnjëherë, por që në formë e përmbajtje, dukej se kishin njëfarë serioziteti. Prej 2017, rilindasit e shek. XXI, harruan premtimin për 5% të PPB, për arsimin, reformimin e arsimit profesional, shtimin e të rinjve në arsimin profesional, punë dhe profesion për të gjithë, mësues të mirë[aguar, depolitizim, autonomi të universiteteve etj, etj. Pastaj prej 2014 e në vijim të gjitha u harruan. Në 2017, programi qeverisës fliste pa shifra, ngrinte në qiell digjitalizimin, për të cilin u shpenzuan miliona eruo dhe mësimi onllajne, përfundoi me një komunikim me radiomarrëset e vitit 1997, mes mësuesve dhe nxënësve. Prej 2017 e deri më sot, qeveria nuk guxon të flasim më për krahasimet me vendet e OECD, për PISA, për digjitalizim, për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, por vendos fjalë të shkëputura të korridoreve të saj, apo emaile të përgjysmuar të ish-këshilltarëve “konstruktivistë”, të degraduar prej moshës e euforisë dhe i kthen në programe “ambicioze qeveritare”. Dhe tekefundit nuk është se bën keq me këtë sjellje. Çfarëdo që të themi, qoftë me dashamirësi e qoftë me zë kritik, kryeqeveritari dhe sundimtari fuqiplotë i vendit dhe jetëve tona, do të na përgjigjet: “Ne jemi më të mirët, sa kohë gënjejmë natën dhe ditën dhe përsëri na duan më shumë se ç’e duam ne veten tonë”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco