Basha ka një mënyrë për të ndihmuar PD-në…

Basha ka një mënyrë për të ndihmuar PD-në…

Nga Leonard Quku - 17/09/2021

Zjarri i ndezur në Partinë Demokratike, pas vendimit që Basha mori për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, nuk është i thjeshtë të shuhet. As pretendimet se ky vendim është marrë nën presionin e amerikanëve, nuk mund të justifikojë atë çka po ndodh. Një vendim s’mund të jetë i drejtë kur merret nën shantazh. Të fshihesh me tezën se mbyllja e debatit pas dyerve të zyrës u bë për të shmangur përçarjen e partisë, dhe më pas të lëshosh deputetët besnikë studiove për të sulmuar liderin historik në narrativën e tij për të kundërshtuar një vendim të padrejtë sipas tij, është të injektosh në një parti të djathtë vesin e pabesisë.

Shumëkush pyet se cila është zgjidhja, kur në kushtet aktuale Partia Demokratike ka mbi shpinë SHBA, dhe Ambasadën Amerikane, për t’u distancuar nga lideri historik i saj. E ka një përgjigje, dhe ajo është marrja e përgjigjësive nga ana e kryetarit deri dhe në largimin e tij. Sepse në rast se Sali Berisha u shpall non grata nga lobimet për t’i spastruar rrugën Edi Ramës, Lulzim Basha nga dita në ditë po shpallet non grata nga baza e Partisë Demokratike. Pa mbështetjen e Amerikës dhe mund të vish në pushtet, siç tregoi rasti i Albin Kurtit në Kosovë, por pa mbështetjen e bazës ngelet thjesht një kryetar fantazmë, i një partie që ka elektoratin e Fatmir Mediut apo Vangjel Dules. Dhe gjasat që të shkojnë drejt kësaj situate nuk janë të pakta.

Basha për këtë ka shembull zgjedhjet e vitit 2017. Duhet thënë se atëmot SHBA-të nuk u angazhuan si tani në mbështetje të Ramës, përkundrazi. Pasi mori pushtetin në vitin 2013, duke gënjyer si dhe ku të mundë, në fund vinte pas një katërvjeçari të mbushur me jo pak skandale. Kanabizimi, ngritja e laboratorit të kokainës në Xibrakë, dekonspirimi i Tahirit, vrasja e pazbardhur e Artan Santos, pastrimi i parave, futja në parlament dhe vendosja në krye të bashkive njerëz me rekorde kriminale apo lidhjet direkte me krimin e organizuar ishin disa nga arsyet për të cilat aleatët kishin filluar ta shihnin jo me pak dyshime piktorin “ekstravagant dhe kontravers”.

Madje mund të thuhet se të vetmen betejë politike që Basha ka fituar përballë Ramës e kishte në vitin 2016, kur u miratua ligji për Dekriminalizimin, kjo dhe me ndërhyrjen energjike të ambasadës amerikane. Për të dalë nga çadra ai përkrahu paketën e amerikane të Hot Bryan Yee, duke refuzuar paketën McAllister. Në atë vit iu dha mundësia për një vizitë në SHBA ku doli në foto me presidentin Trump. Por këto nuk mundën të justifikonin veprimet e tij që hodhën në erë aksionin demokrat. Marrëveshja me Ramën, hartimi skandaloz i listave, gjuha aspak bindëse në fushatë, heqja dorë nga akuzat ndaj mazhorancës, bënë që baza ta braktiste. Rama duke parë këtë situatë nuk u angazhua aq fort në manipulime si në 2021, natyrisht duke pasur dhe frikën e një raporti shkatërrues për mazhorancën e tij apo ndonjë të papriture të pakëndshme që mund t’i vinte nga institucionet ndërkombëtare. Fundja kur luftën e braktisi vetë Basha dhe fitoren e kishte të sigurt, çfarë i duhej ajo rrugë. Rezultati ishte dërrmues për PD. Më shumë se 200 mijë demokratë nuk dolën në votime dhe e djathta do katandisej me 43 deputetë, më pak edhe se në vitin 1997.

Por natyrshëm lind pyetja. Kur Basha, mori këtë rezultat skandaloz atëherë kur kishte dhe Berishën në krah, si mund të mendohet një rezultat pozitiv pas dy apo katër vjetësh për këtë forcë politike? Lufta me Sali Berishën në bazën e demokratëve është shkatërrimtare. Ai duhet ta kishte parashikuar këtë situatë dhe të përballej siç i ka hije, por jo me marifetet e pandershme siç ishte shkrirja e Këshillit Kombëtar 1 vit e gjysmë para përfundimit të mandatit, për të vendosur të besuarit e tij, me frikën se ky forum mund ta shkarkonte. Gjithsesi hesapet u bënë pa hanxhinë.

Sali Berisha nuk ka ndërmend të ndalet dhe akuzat e hedhura nga ai në drejtim të kryetarit, kur thuhen prej liderit historik të PD-së marrin një tjetër dimension. Në këtë pikë, Yuri Kim nuk e ndihmon dot Bashën. Ajo s’mund të shpallë non grata 75 mijë anëtarë dhe qindra mijëra të tjerë mbështetës të kësaj partie.

Kryetari aktual ka tradhtuar keqaz besimin. Në rast se baza nuk ka folur deri më tani për dështimet përballë Ramës për shumë arsye ku një ndër to ishte dhe heshtja e doktorit, sot ata po ulërijnë. Prej kohësh dyshimet për një shitje të PD-së për interesa personale bëheshin në çdo tavolinë, dhe tek kafja e selisë. Demokratët kërkojnë të dinë se me çfarë e kërcënon Rama, Lulzim Bashën për vendimet skandaloze që merr dhe betejat që i lë përgjysmë. Këtë përgjigje s’mund t’a japë as Gjekmarkaj, as Rushaj, as Duma e askush tjetër. Janë të bindur se me këtë kryetar asgjë nuk do ndryshojë, dhe për katër apo tetë vitet e ardhshme do vazhdojnë të shohin se si Rama i tall, si Balla i përbuz, si Spiropali i intimidon me lavdet e saj për Skënderbeun e madhërishëm. Kjo do të thotë t’i vrasësh shpresën. Atyre i kanë marrë komandantin peng, i cili për hir të interesave të tij po i shërben me zell interesave të pengmarrësit.

Ata mund t’a durojnë arrogancën e kupolës, padrejtësitë skandaloze në promovimin e emrave pa asnjë kontribut, apo dhe thundrën e pushtetit pa pasur mundësi të përgjigjen, por jo shitjen e partisë tek Rama. Tashmë pika e vlimit nuk mban më dhe atyre s’u ka mbetur tjetër zgjidhje. Bashës të paktën një herë në jetën e tij i lind detyra të marrë vendimin në interes të asaj partie e cila e bëri tre herë ministër dhe një herë kryetar Bashkie, duke i siguruar një jetë prej sheiku. Të japë dorëheqjen, si zgjidhja e vetme për të mos e shkatërruar përfundimisht. Dhe kjo është diviza që presin sot demokratët anë e mbanë vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Luti18/09/2021 08:30

Ik o lulo perfundoj koha jote,e shkelqeve me ato qe bere ,sma kishte mor mendja qe do arrije deri ne kete faze,eh…bishtin dardha eka mrapa..ca boka njeriu per pare Shet dhe femijen thote nje fjale e urte dhe jo berishen,,,,,turp lulo te kemi dashur me shpirt por na zhgenjeve rond ,ik .ik gezoje jeten me paret e kunatit dhe te tuajat qe ike fituar me,,,,,,ti e di,,turpi mos tu ndafte gjithe jeten.

Skrapari17/09/2021 17:48

Ilacin kesaj semundje qe ka mberthyer PD, ja gjen vetem Doktori, askush tjeter.

Daj Jaku17/09/2021 10:00

Nuk mund ta bëjë Lulushi dorëheqjen sepse nuk e lejon EDrama, kot nuk quhet peng. Minimumi është që i hiqen në çast ato 25 milionë dhënë nga EDrama kunatit të Lulush Bashës.

Shto koment

Denonco