Shqiptarëve duhet t’u flasim ditën për diell, jo natën për hënë

Shqiptarëve duhet t’u flasim ditën për diell, jo natën për hënë

Nga Flutura Açka - 17/09/2021

Fjala në Kuvend e deputetes së PD, shkrimtares Flutura Açka.

​Një përshëndetje të ngrohtë kam për ata kolegë që kanë hyrë si njerëz të nderuar në këte sallë dhe do të jenë përherë të respektuar në sytë e mi.

​Për pjesën tjetër, për ata që nuk e kanë vendin në këtë sallë, por duhej të ishin diku tjetër; për ata që e kanë kapërcyer këtë prag me sponsorizimin e bandave dhe të krimit apo duke vjedhur e blerë si Çiçikovë shpirtëra të varfër shqiptarësh; për ata që kapardisen ekraneve nga mosndëshkimi dhe imuniteti; për ata që firmosën, bashkë me ata që e shembën, Teatrin Kombëtar dhe shumë nga trashëgimia jonë kulturore; për ata që vazhdojnë të bëjnë teatër me qytetarin e thjeshtë e të pambrojtur, kam një tjetër lloj përshëndetjeje.

​Më vijnë në mend fjalët e ish-drejtorit të një shkolle riedukimi të kohës së diktaturës, i cili, i bërë def nga prapësitë e gocave dhe çunave të tij problematikë, kur i rreshtonte çdo mëngjes para shkollës, e niste fjalën e tij me përshëndetjen epike: faqezinj e faqezeza!

​Para se të vazhdoj me çështjen për të cilën jemi mbledhur, dua të bëj një sqarim publik për grisjen e votës sime gjatë votimit të emrit tuaj në vendin ku jeni ulur tashmë. Nuk e bëj për ju, por për ata qindra njerëz të njohur e të panjohur e lexuesit e mi, një pjesë edhe të ngarkuar me shqetësim të drejtë për sjelljen time politike të sotme dhe të nesërme. Në respekt të atyre që më votuan, mes tyre edhe shumë te majtë dhe pa simpatira politike, e bëj këtë sqarim.

​Si grua, edhe pse jam kundër çdo diskriminimi, qoftë ky edhe pozitiv, nuk do ta kisha bërë kurrë; si shkrimtare as do të më kishte shkruar në mendje ta bëja, sepse duke jetuar me fiksionin dhe vetminë që të shkakton ai, më të shumtën e kohës jam në një botë iluministe; si politikane, do ta kisha përsëritur aktin me po të njëjtën bindje.

​Sepse, vota ime nuk është kundër saj personalisht, por kundër mjedisit që ju zgjodhi, sektit që ju rriti, mazhorancës ilegjitime nga vjen ajo. Kjo më vjen ngaqë jam dëshmimtare e një fushate të padrejtë, të pandershme, e cila e deformoi vullnetin e shqiptarëve.

​Këtu, në këtë sallë dhe për këtë detyrë, nuk jam për të demonstruar idealizmin tim, por të bëj atë që ndiej se është më e mira, më e arsyeshmja, më drejta dhe më e dobishmja për ata që besojnë ende te politika në këtë vend. Ndokush prej faqezinjve mbase po shpotit me mendjen e tij të cekët, se edhe unë do të mësohem me rutinën e privilegjeve, me ethen e sharjeve, a të tjera sjellje që janë familjare te ky parlament, i cili në sytë e mi nga atje jashtë, është perceptuar përherë si vend mëkati. Në atë zone mëkati unë nuk do të bëj pjesë kurrë. Do të jem jashtë gjithçkaje që nuk më ngjan e që urrej t’i ngjaj.

​Kjo është gjëja më serioze që po them, gjëja më serioze që po bëj, gjëja më serioze që po më ndodh. Sepse, pas kësaj, nuk kam asgjë për të humbur dhe asgjë për të fituar, poseduar apo përjetësuar. Unë thuajse jam diku tjetër dhe i shoh gjërat e kësaj bote nga një tjetër thjerëz dhe uroj që atje kurrë të mos ketë fatin të hyjë njeri.
​Këtë largësi, do ta përdor si këmishe force për të mos bërë asnjë kompromis me këdo, me çfarëdo që do të kërkojë prej meje të tradhëtoj përbetimin tim publik: të bëjmë një politikë më të mire se e derisotmja për shqiptarët!

Sepse nuk jam këtu për asnjë lloj tanxhente financiare, politike, monetare, protokollare, ligjore… edhe seksuale po të doni, e nënvizoj këtë për shkak se politika shpesh është një panair i madh instinkti. Shembujt i keni me shumicë, ju duhet vetëm të vini emrat e gurëve në skakierë.

​Nuk do të flas këtu as për kabarenë e dekretimit të qeverisë suaj, sepse e di tashmë se Politika dhe Etika jetojnë në botëra të ndryshme, dhe sot për të përmbushur kushtin e parë të demokracisë, Etikën, duhet të ishin dekretuar vetëm 5 ministra, vetëm ato vajza të reja që nuk kanë lidhje me votën tuaj kundër presidentit, të cilit, me paturpësinë më të madhe të mundshme, i kërkuat t’ju dekretonte. Vetëm ato vajza, për të cilat pata keqardhje që u diskriminuan nëpër rrjete sociale e nëpër studio televizive për gjininë dhe moshën, kanë sot moral të quhen ministre, sa kohë do të provojnë se nuk janë kukulla të dizenjuara prej jush. Kam durimin t’i pres të provohen, edhe pse kam shembujt se nuk kam pse t’i pres të provohen. Të 12 tjerët, bashkë me kryeministrin, nuk kanë as moral e as etikë ta quajnë veten të dekretuar prej presidentit, sepse ai, presidenti pra, për ta nuk ekziston moralisht. Ndaj refuzoj publikisht ta votoj këtë qeveri.

​Do t’u flas sot këtu shqiptarëve në një formë tjetër, hiç fare parlamentare, mbase e papraktikuar deri më sot në këtë sallë. Siç di unë.

Kështu, me mënyrën me prozaike të mundshme të poezisë sime dhe për herë të parë pa u kujdesur fare për rima e ritëm po e mbyll kështu, duke ju sjellë në kujtesë një kryevepër të teatrit absurd, ku për herë të parë nuk jam më spektatore:

Ishin ata të dy, Mercier dhe Kamier,
E udhë të gjatë për Europë a Skëterrë,
Kur shiu i lagte e vetja iu dukej herë qen e herë minj
Ndalnin nën një strehë, e veten pyesnin: ku shkon, o njeri?
Ecim, i thosh tjetri, mbërrijmë një ditë atje për ku ende s’jemi nisur!
Çadra Mercierit i përgjigjet majtas,
Era Kamierit ia kthen djathtas,
Mbi ta e lodhur vështron nata,
Krijesat pa kokë
Pa vertebra
Pa shputa
Pa hije
Rrënuar nga bryma e përjetshme e hutimit,
Që nga qielli u bie.
Kujdes,
Asaj mase pa masë i thonë popull,
Dhe jashtë kësaj salle asnjëri prej tyre,
Nuk po kërkon të blejë zemërgjerësinë tuaj,
Shihni si zjen,
A e ndjeni vrajën që i keni shkaktuar,
Apo s’jua ndien?
Ç’bëni këtu?
Duke kërcitur gishtërinjtë e kuruar,
Papagallë që rënkoni nga vetkënaqja!
Është koha ta ndërroni kostumin shik,
Është dita ta kurdisni zemrekun dhimbjes,
Është ora ta vrisni akrepin e ngimjes.
Ndaj shpejt,
Ndërrojeni garderobën e gjakut
Para se gjaku i fundit shqiptar ta braktisë Shqipërinë!
Demokracia nuk është mbretëri
Që kur të ikni ju të fiket në zi!
Ju s’jeni Shqipëria,
Ju jeni një hiçgjë, që do t’ju fshijë historia,
Edhe mua bashkë me ju, po të sillem si ju!
A ju pëlqen kah jugu? Po ju beszdis kur fryn veriut thëllimi,
Po pse pra, po ecni drejt Lindjes,
Që t’i bini më gjatë për kah Perëndimi?
Ja kështu bujare gjindja me Mercierë e Kamierë,
me Europë e Skëterrë,
me ata që kujtojnë se janë zotër të gjithçkasë,
Por s’janë veçse hamej të mjerë të asgjasë.
Deri kur ta kuptojnë këtë,
Do të vazhdojnë të tyren mjeshtëri,
Dhe qentë e lagur nga shiu i paprerë
Dhe mijtë e tkurrur nga acari
Do t’u përmjerin
një ditë te varri
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku19/09/2021 23:59

Çfarë emocioni të lexosh këtë poezi të krijuar nga një Vajzë Shqiptare, të gufon shpirti nga kënaqësia dhe vetëdija që nuk jemi të gjithë dele, që ka bij e bija Shqipëria që një ditë të shpejtë do ta nxjerrin nga gjirizi ku e kanë futur “ridhjerësit” për ti kthyer shkëlqimin që ka pasur në kohët e herëshme e të lavdishme të rinisë. Mos u dorëzo por vazhdo të FLUTUROSH në ajrin e pastër të Atdheut i cili ka shumë nevojë për njerëzit si ty të dalin nga anonimati e të përqafojnë misionin.

krasasi tp19/09/2021 09:54

Mos thoni që Lulzim Basha është stërr i zi. Fal tij, më në fund qytetarët shqiptarë do kenë në Parlament një Deputete që ku ju dhëmb i dhëmb. Të shohim nëse do ketë të tjerë deputetë të këtij formati. Por edhe nëse do ketë disa, mjafton, që të konkludojmë që ky parlament do jetë jetëshkurtër. Fakti që për 30 vjetë pluralizëm, parlamenti është dominuar nga sharlatan, hajdutë,mediokër dhe njerëz me vese, mjafton për ta shtruar para qytetarëve nevojën e ndryshimeve rrënjësore, kudo e mbi gjithçka.

Skrapari17/09/2021 13:33

E lexova shkrimin(jo diskutimin e Znj. Acka), me mahniti. Po kush nga trutharet e kuvendit e kupton? U acarova deri tash ku askush nuk ka komentuar per kete fjalim te arte te saj. Sa keq per te ashtuquajturit intellektualle qe nuk jane prononcuar. Fatkeqesi qe nuk arrijne ta kuptojne zonjen.

Qytetar Shqiptar.17/09/2021 09:21

Te lumte z . Flutura .

Shto koment

Denonco