Raporti i OSBE/ODIHR: ‘Demokracia është në dorën tuaj...!’

Raporti i OSBE/ODIHR: ‘Demokracia është në dorën tuaj...!’

Nga Kastriot Islami - 01/08/2021

1. Misioni i OSBE/ODIHR është mision vëzhgues e monitorues; por s’është as vendimmarrës, as arbitër dhe as këshillues. Ky është përcaktimi zyrtar që i është bërë nga vendet anëtare të OSBE dhe s’mund të ndryshojë në asnjë rrethanë, pra s’mund të jetë ndryshe. Prandaj askujt, që ka një minimum eksperience me zgjedhjet apo me marrëdhëniet ndërkombëtare, s’i lejohet të ketë pritshmëri me të lartë nga një mision faktmbledhës me “kornizë” qartësisht të përcaktuar. “Korniza” e pritshmërive do të përcaktohej së pari nga fakti që Shqipëria vlerësohet nga vendet e BE dhe SHBA si një vend demokratik, me probleme të mëdha funksionaliteti; dhe së dyti, gjithnjë e më shumë “ndërkombëtarët” po i japin më shumë peshë stabilitetit, ndërkohë që “demokracinë” po ua lënë në dorë qytetarëve të vendit, sidomos në një vend si Shqipëria. Natyrisht shqiptarët s’duhet të jenë “naivë” të kuptojnë se në përcaktimin e kësaj “kornize” futet edhe subjektivizimi i “ndërkombëtarëve” vendorë, për shumë arsye...?!

2. Raportet e vëzhgimit do të jenë edhe për disa vjet të “balancuara” me elementë “arritjesh” dhe “mangësish të mëdha”... me shpresën që arritjet të rriten dhe mangësitë të zvogëlohet, ndryshe nga çfarë ka ndodhur me raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet e vitit 2021, i mbushur me “mangësi” të shumta. Do të jenë po ashtu të formuluara edhe për ca kohë me një gjuhë të drunjtë, në mënyrë që të gjitha palët të deklarohen, se raporti ishte në “favorin e tyre”, gjë që këtë radhë s’është aspak e vërtetë sepse edhe përmes gjuhës së drunjtë dallohet qartë se partia-shtet ka penguar plotësimin e shumë standardeve për zgjedhjet të lira e të ndershme, por këtë gjë as e thotë dhe as mund ta thotë troç ky raport?! Dhe në fund, raporti përmbyllet me disa “rekomandime” që për “ndërkombëtarët” kanë më shumë rëndësi sesa pjesa tjetër e raportit, sepse bazuar në vlerësimin e tyre për Shqipërinë, “hera e ardhshme” është më e rëndësishme sesa “hera e kaluar”, pra për ta “loja në Shqipëri vazhdon” me “fituesin” (qoftë edhe hajdut) që qeveris dhe “humbësin (qoftë edhe të vjedhur) që përgatitet/stërvitet për herën tjetër? Kështu është e do të jetë, ndonëse më parë ka qenë pak më ndryshe!?...

3. Gjithashtu duhet pasur parasysh se në një vend anëtar të NATO, e që kërkon prej 10 vjetësh të hapë negociatat me BE, mangësitë e problemet e konsiderueshme, qoftë edhe shumë të mëdha si në zgjedhjet e 2021, që mund të arrijnë deri në cenimin e rëndë të “standardeve” të demokracisë, s’do të zgjidhen më nga “ndërkombëtarët”, as me një raport apo disa raporte të OSBE/ODIHR, as me një raport shumë të fortë të DASH, as me një artikull plot me skandale në Bild, por vetëm nga vetë shqiptarët të cilët do të jenë të vetmit përgjegjës për “demokracinë” e tyre... Natyrisht pas 30 vjetësh, shqiptarët kërkojnë si gjithnjë nga “ndërkombëtarët” vlerësime/përcaktime e deri vërejtje/kritika me një gjuhë më ‘troç’, me mesazhe më direkte, dhe me përcaktim më realist të përgjegjësve të mangësive...por as kjo s’ka ndodhur këtë radhë dhe do të ndodhë gjithnjë e ma pak ose aspak në të ardhmen?!

4. Pavarësisht se pritshmërive legjitime të shumë personazheve publike, mediatike, politike për më shumë “kritika” konkrete, që është e vështirë të nxirren nga raporti i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit 2021, opozita, me “argumentet” e saj, ka arritur në përfundimin se: Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, vullneti i shqiptarëve u tjetërsua deri në pengimin e rrotacionit politik nga partia-shtet. Në realitet ky raport ku jepen “parregullsitë” kryesore mund të jetë veçse një udhërrëfyes për veprimet e ardhshme të opozitës e të qytetarëve shqiptarë...

5. Më konkretisht, raporti lejon të lexohen këto “mangësi”: i) blerja masive e votave; ii) presioni ndaj votuesve; iii) shkrirja në një e partisë në pushtet me shtetin; iv)keqpërdorimi i aseteve publike në avantazh të partisë në pushtet; v) abuzimi me pushtetin e funksionet publike; vi) rritje e punësimit në administratën publike me qëllime elektorale; vii) presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet; viii) përdorimi i fondeve të rindërtimit për të orientuar votën; ix) legalizime në këmbim të votës; x) keqpërdorimi i të dhënave private e personale të shqiptarëve nga partia në pushtet duke ushtruar përmes këtij sistemi presione e shantazhe ndaj zgjedhësve; xi) përdorimi i grupeve kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve. Për “ndërkombëtarët” këto “mangësi” janë vetëm parregullsi që s’ndikojnë në rezultat dhe që duhen adresuar sipas “rekomandimeve” në të ardhmen...

6. Por ajo që është më e rënda dhe që me të drejtë shumë qytetarë mund ta klasifikonin si “mangësinë” më të madhe, me ndikim në rezultatin zgjedhor, lidhet ne faktin që “ndryshimet kushtetuese ishin arrogante e të njëanshme dhe në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias e parimet e CoE për zgjedhje të lira e të ndershme”. Por edhe kjo “mangësi” e thënë me “gjuhë të sofistikuar” nga OSBE/ODIHR, dhe përsëritur nga BE si “parregullsi”, kërkohet të kthehet në objektiv të rëndësishëm të zgjedhësve shqiptarë, të cilët s’duhet në asnjë moment të mos harrojnë se “demokraci do të thotë qeverisje e popullit” duke i hequr kështu çdo qytetari të “alibinë” të presë duarkryq që “hallet e shqetësimet” e tij të zgjidhen nga raportet e vëzhguesve, apo nga deklaratat e “partnerëve”, që kanë interesat e tyre dhe shumë halle e probleme me demokracinë në vendet e tyre...

7. Shqiptarët, veçanërisht ata që janë në opozitë, ndoshta edhe të dëshpëruar në ekstrem se nuk arritën në 2021 objektivin që iu duk shumë i afërt, duhet të kuptojnë se hall i tyre s’do të mund të zgjidhej me raportin e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit. Mesazhi i raportit të OSBE/ODIHR, por edhe nga BE e SHBA, është i qartë: demokracia është vetëm në dorën tuaj... Ne ju monitorojmë! Ne ju “mbështesim”!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari05/08/2021 20:56

I NDERUAR Z. ISLAMI!
DEMOKRACIA NUK ESHTE AS NE DOREN E OSBE-ODIHR, AS TE SHBA DHE AS TE BE!
OSBE-ODIHR E BERI PUNEN E VET, I SHKROI TE ZEZAT MBI TE BARDHE GJITHCKA QE NDODHI NE ZGJEDHJET E 25 PRILLIT DHE SITUATEN PARAZGJEDHORE. E SHKROI SHUME QARTE DHE ME FAKTE KONKRETE RAPORTIN ME TE ZI TE SHKRUAR NDONJEHERE PER ZGJEDHJET NE SHQIPERI GJATE KETYRE 30 VITEVE.
TANI DEMOKRACINE NE DORE E KA PD DHE OPOZITA. ATO E PERCAKTOJNE TE ARDHME E TYRE DHE TE SHQIPERISE. NESE DUAN TE MBROJNE DEMOKRACINE DHE VETEN E TYRE ME MJETE PAQESORE DHE POLITIKE NUK DUHET T'I NJOHIN, NUK DUHET T'I PRANOJNE KETO ZGJEDHJE DUKE MOS HYRE NE ATE PARLAMENT DHE DUKE I REFUZUAR MANDATET E DEPUTETIT E DUKE NISUR PROTESTAT DHE DEMONSTRATAT ANEMBANE BRENDA DHE JASHTE VENDIT, NE BRUKSEL, NE BON, NE NEW YORK, NE WASHINGTON, NE LONDER, NE PARIS E KUDO. NESE DUAN QE TE ASGJESOHEN PERGJITHMONE NESE DUAN QE TA VARROSIN PERFUNDIMISHT DEMOKRACINE DHE ENDRRAT E SHQIPTAREVE, LE TE DEGJOJNE DHE TE ZBATOJNE URDHERAT E YURI KIM! PAS KESAJ SHQIPTARET E KANE TE SIGURTE SE DO TE HANE BAR EDHE PER 45 VITE TE TJERA, NESE DO TE MBETET NDONJE FIJE BARI!!!
DUHEN VETEM LEVIZJE RADIKALE SI NE 1990!

Shto koment

Denonco