Një platformë rajonale për BE-në si shpëtim nga OB-ja Vuçiq-Rama

Një platformë rajonale për BE-në si shpëtim nga OB-ja Vuçiq-Rama

Nga Vehap Kola - 29/07/2021

Tezat që hodhi sot Edi Rama në Shkup në samitin që ai bashkë me Vuçiq dhe Zaev kishin organizuar për të çuar përpara projektin e minishengenit ballkanik duhet të përbëjnë një alarm për të gjithë faktorët politikë e shoqërorë shqiptarë në rajon.

Me një sfond ku bluja e flamurit serb dominonte mbi të kuqen e flamurit shqiptar me ndërmjetësimin e shiritave të ylberit maqedonas dhe përmes manipulimeve logjike ai u përpoq ta paraqiste Jugosllavinë e re si një mini-BE, e cila nuk kërcënohet nga ato që ai i quan problemet e brendshme të BE-së. Në vijim të falsitetit të tij logjik, ai u premton shqiptarëve se kjo do ta bëjë më të lehtë hyrjen tonë në BE dhe bashkëjetesën në kushtet e një unioni.

Në momentin që ne integrohemi në Bashkimin Europian – u shpreh Rama – do të bëjmë ekzaktësisht këtë që po bëjmë sot pa Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë, Edi Rama na shpalos njëkohësisht se si e sheh ai BE-në dhe se çfarë forme do të ketë minishengeni, që ai nuk pranon ta quajë Jugosllavi e Re.

Meqë integrimi në BE do të na qenkërka një replikim i procesit të Open Ballkan (OB), logjikisht i ashtuquajturi minishengen krahas integrimit shoqërohet edhe me heqje dorë nga sovraniteti i plotë. Por nëse në rastin e integrimit europian, ky sovranitet kalon në Bruksel, në Komisionin Europian, Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian, në rastin e minishengenit, sovraniteti nuk thuhet se kujt dhe ku i kalon. Fakti që nuk thuhet, nuk do të thotë se nuk dihet dhe nuk është vendosur.

Justifikimet e tjera të Ramës janë të thurura që të rrisin mbështetjen për minishengenin e tij dhe të mikut të tij Vuçiq, por nuk kanë asnjë rëndësi për sa kohë ato nuk kanë për të patur fat më të mirë se premtimet elektorale që ai i nxjerr nga sirtari të paprekura çdo katër vjet.

Sulmet e tij ndaj Kosovës, mosguximi i tij për të artikuluar e madje guximi për ta përqeshur kërkesën ndaj Serbisë për njohje të Kosovës janë po aq ogurzeza sa edhe dakordësia 100% e Vuçiq me fjalët e tij ende të pashqiptuara në podium, që siç duket më parë i janë pëshpëritur në vesh Aleksandarit.

Tani që ligjërimi jugosllav i Ramës si antitezë e integrimit europian dhe njohjes së shtetit të Kosovës janë kristalizuar plotësisht, është koha që opozita në Shqipëri dhe faktorët politikë shqiptarë në rajon të bashkohen për të mbrojtur perspektivën europiane të dy shteteve shqiptare në Ballkan.

Për opozitën shqiptare Europa është e lidhur ngushtësisht me rivendosjen e legjitimitetit të institucioneve dhe rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Për faktorët politikë shqiptarë, veçanërisht në Kosovë, mbrojtja e rrugës euro-atlantike është jetike për ekzistencën e vetë shtetit të ri.

Opozita shqiptare ka edhe rastin e artë për t’u treguar e sinqertë me shqiptarët dhe e drejtpërdrejtë me burokracinë e Brukselit. Është koha që qëndrimet hipokrite të burokracisë europiane të mos mbulohen me gjuhë politike të mjegullt.

Ndryshe nga çfarë ankohet Rama, hipokrizia e Europës me Shqipërinë qëndron në njohjen e zgjedhjeve jodemokratike të 25 prillit dhe në fshehjen e arsyeve të vërteta për mungesën e një datë për konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri – BE.

Kështu, Europa shpik ose celebron një veto bullgare dhe humb shansin të ndihmojë spektrin politik europianist në Tiranë. Me një Europë të tillë të pafuqishme, Rama ka guximin të luajë cic-mic më fatin e shqiptarëve në të gjithë rajonin.

Me premisa të tilla, Platforma Qytetare për Demokracinë e shpallur nga Lulzim Basha në Kuvendin e fundit të Partisë Demokratike mund të ridimensionohet në një platformë rajonale për Europën dhe të bashkojë parti politike, qeveri si ajo e Kosovës dhe e Malit të Zi dhe të gjithë faktorët shoqërorë europianistë në rajon.

Vetëm kështu, plani okult i OB-së shfaqet me tërë lakuriqësinë e tij përballë projektit të gjithëmbështetur të BE-së. Atëherë, do të jetë e qartë se OB nuk është një BE në miniaturë, por një minë ruse anti-BE në Ballkanin Perëndimor. Sepse siç e thotë vetë Rama, kjo nuk është një nisëm ekskluzive e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gjergj Fishta31/07/2021 15:17

Drita duel, dielli s’ ká lé,
Alí Pasha, ‘ i trim rrfé,
Heret sod na kênka çue,
Kênka veshë, kênka shterngue,
Paska mathë çizmet dér m’ giû,
Edhè u ulka ne katue,
Kû nisë gjokun me shílue,
I vên frênin prej florinit,
I vên shalen talatinit,
I a shterngon me tre kollana:
Hidhet gjoku porsi Zâna,
Porsi Zâna n’ mal t’ Tomorrit:
Edhe’ e zier te dera e oborrit,
Nânes s’ vet aj kû po i thrret,
Kû po i thrret e kshtû po i flet:
Po ndigjo, morí ti loke,
Bânmu nderë miqve edhe shok’e,
Bânmu nderë, kush te jetë per nderë,
Mos lên t’ vobeg me t’ kjá n’ derë,
Mos lên t’ vobeg n’ derë me t’ kjá,
Por t’ m’i dalsh moter e vllá,
Por t’ m’ i dalsh ti nânë e tatë,
Si të parët na lanë zanát;
Se kan bîjtë do pûnë të reja
E do t’ dal un dér kah Peja,
Dér kah Peja, dér kah Reka,
Per me u pjekë te Haxhi Zeka;
E nuk diej kur ká me m’ rá,
Me u kthye dalë, me tý me u pá,
Persè shtegu orok nuk ká.
Nuses s’ vet, mandè’ i ká thânë:
Nji amanet jam tue t’ a lânë:
Rritma djalin djale bujár,
T’ me dalë burrë e burre Shqyptár,
T’ m’ bahât trim e kuvendtár,
Me qindrue per kanû t’ vet,
Me luftue per Atme e Mbret:
T’ diej me prî e me ndigiue,
Armët e besen mos me i lshue,
Kudo pûna me i qillue.
Por në kje se Mali i Zí
Erdh e rá kurr ne Gucí,
Dér sá t’ jét djali kerthi,
Pâsh njat Zot, qi te ká falé,
M’ a ndigio ti, grue, nji fjalë:
Bâne zêmren gúr e krep,
Premia djalit kryet ne djep:
Mos m’ i a lsho Knjazit n’ dorë gjallë;
S’ due t’ a lâ n’ Shqypní un prrallê,
Se nji biri i Alì Begut,
Se nji i nipi i Skenderbegut
Knjaz Nikollës i ká sherbye
Se ká vû kapicë mbí krye,
Se ká ndêjë per t’ gjallë nen shkjá,
Pagë e t’ dheta atij tue i lá.
Mâ mirë n’ vorr m’ u kjá per mâll,
Se nên Shkjá me ndêjë per t’ gjallë!
Kshtû tha Alija e i hypi kalit,
Edhè u nis terthores s’ malit,
Porsì breshni me duhí.

Shto koment

Denonco