Lajmi i fundit

LIVE/ Nis protesta e qytetarëve para Bashkisë së Tiranës

A do të funksionojë edhe këtë herë forca brutale në Kubë?

A do të funksionojë edhe këtë herë forca brutale në Kubë?

Nga Frida Ghitis - 13/07/2021

Regjimi kuban po përdor praktikat e vjetra në përgjigje të protestave që shpërthyen të dielën në të gjithë ishullin. Siç mund t’ua thotë kushdo që ka raportuar nga Kuba, përqasja e qeverisë është familjare dhe e përsëritur. Është një manovër me tre hapa që ka funksionuar në të kaluarën, duke i lejuar regjimit të qëndrojë në pushtet edhe pse nuk iu përgjigjet nevojave të popullit. Këtë herë, nuk ka garanci se do të funksionojë.

Strategjia që kam parë me sytë e mi gjatë raportimeve nga Kuba për CNN në vitet ’90 është e thjeshtë: Së pari, kur protestuesit ndërmarrin rrezikun duke dalë e ngritur zërin në masë, autoritetet iu bëjnë thirrje përkrahësve të qeverisë për të mbytur zërin e kritikëve. Turmat pro-regjim e mbytin me plot kuptimin e fjalës zërin e protestave. Gjatë një proteste të dështuar që kam përcjellë, para samitit ibero-amerikan në Havana më 1999, qeveria nuk u mbështet vetëm në zërin e përkrahësve të saj, por solli altoparlantë gjigantë që nxirrnin muzikë në volum aq të lartë sa që askush nuk dëgjohej. Pjesa e dytë e strategjisë është pranimi i problemeve, por të gjithë fajin e ka SHBA.

Pjesa e tretë është forca brutale. Gjatë protestës së dështuar në një park në Havana, erdhën makina vetëshkarkuese që sollën shumë persona, të cilët rrethuan këdo që guxonte të fliste. Më kujtohet një burrë që tregonte kartën e identitetit, me zë të dridhur, që thoshte: Jam kuban, kam të drejtë të flas. Pa e mbaruar mirë fjalinë, u rrethua nga një grup që e hodhi përtokë duke e goditur. Më pas, erdhën policë civilë që rrëmbenin protestues dhe i fusnin në makina pa targa që largoheshin me shpejtësi. Ajo protestë nuk zgjati shumë.

Në mbrëmje, isha në një takim me presidentin Fidel Castro. Ai i tha një grupi të vogël gazetarësh se kritikët e regjimit ishin të lirë të flisnin, por u bënë të heshtnin nga kubanët patriotë që u ngritën spontanisht në mbrojtje të revolucionit të tyre të dashur.

Tani kohët kanë ndryshuar.

Castro nuk jeton më prej kohësh, bashkë me të edhe karizma dhe figura që bindi shumë kubanë të duronin mungesat e gjërave më elementare, përfshirë lirinë.

Durimi ka marrë fund në Kubë për shkak se ekonomia, gjithmonë në vështirësi, tashmë po shembet krejt. Venezuela e pasur me naftë, dikur mbështetëse bujare e regjimit, tani mezi po mban veten, viktimë e keqmenaxhimit dhe shtypjes së vet. Mungesat e ushqimeve, rrymës elektrike dhe gjërave të tjera të nevojshme po përkeqësohen. Dhe ndërsa koronavirusi po vërshon – më keq se kurrë më parë – sistemi shëndetësor është përtokë. Tregu i turizmit, një nga shtyllat e ekonomisë, u shkatërrua nga koronavirusi më 2020. Tani, me variantin Delta që po përhapet në ishull, përpjekjet për të rindërtuar turizmin kanë ngecur në vend.

Në kohën e Fidelit, media sociale thuajse nuk ekzistonte në Kuba. Por këtë herë, falë videove të hedhura e shpërndara në rrjet, nuk është një thjesht një grup i vogël aktivistësh guximtarë të opozitës që proteston. Mijëra kubanë marshuan në rrugët e shumë qyteteve të dielën me thirrjet ‘Libertad! Libertad!’.

Demonstruesit thanë se s’kishin shumë për të ngrënë, megjithatë nuk po ngriheshin për ushqim, strehim apo punë. Ata kërkonin liri.

Prandaj edhe fjalimi në televizion i presidentit Miguel Diaz-Canel – shih hapin e dytë në manovrat e së kaluarës – tingëllon bosh. Ai fajësoi sanksionet e SHBA për vështirësitë e vendit, duke akuzuar Uashingtonin dhe ‘mafian kubane’ në Majemi – referimi i regjimit për kubanët e larguar nga vendi – për nxitje të trazirave. Duke zbatuar hapin e parë, sigurisht, ai iu bëri thirrje përkrahësve të regjimit të dilnin kundër protestuesve. ‘Urdhri për betejë është dhënë. Revolucionarët duhet të dalin rrugëve’, tha.

Është e vërtetë që Uashingtoni ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike mbi Kubën. Donald Trump i shtrëngoi sanksionet dhe Joe Biden i ka vazhduar. Por sikur protestat të ishin vetëm për ekonominë, thirrjet për ‘Libertad’ nuk do të ishin kaq të fuqishme.

Biden lëshoi një deklaratë të fortë në mbështetje të kërkesave të protestuesve. ‘Ne jemi me popullin kuban dhe thirrjet e tyre për liri dhe shpëtim nga mbërthimi tragjik i pandemisë dhe nga dekadat e shtypjes’. Ai iu bëri thirrje liderëve kubanë ‘ta dëgjojnë popullin e tyre’. ‘Në fund të fundit, ky është një rast – ndonëse i largët – për ndryshime paqësore.

Kubanët kanë kaluar edhe më parë ditë të vështirë. Kjo valë protestash mund të vijë e të ikë, ashtu si të tjerat më parë. Por ajo që ndodhi nëpër ishull vështirë se ishte rutinë. Demonstrata të kësaj magnitude nuk janë parë për dekada. Herën e fundit, më 1994, Castro e liroi presionin duke lejuar kubanët të largoheshin nga vendi. Atëherë, qeveria nuk i ndaloi qytetarët të iknin, duke iu kërkuar të pajiseshin me viza daljeje më parë. Por thjesht hapja e dyerve nuk do të funksionojë tani, sepse më 2012 qeveria e hoqi ndalimin shumëvjeçar të daljes nga vendi.

Kjo sjell hapin e tretë: Forca brutale. Kjo pjesë e strategjisë kërkon vëzhgim nga afër. Nëse protestat vazhdojnë, regjimi do të përballet me vendimin e vështirë se sa fort të godasë. Kuba është regjim autoritar, por e vesh veten me mistikë. Sa më e ashpër dhuna, aq më e vështirë është mbrojtja e imazhit si qeveri para popullit. Nëse shohim shumë dhunë nga forcat e sigurisë, atëherë do të kuptojmë që autoritetet janë thellësisht të shqetësuar për humbjen e kontrollit. Deri tani, kemi parë arrestime e pak dhunë, por në shkallë ende të kufizuar.

Fjalët e Biden janë menduar me kujdes për të mos i dhënë Havanës shkak për të fajësuar SHBA për trazirat. Por këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan ka paralajmëruar kundër ‘dhunës apo shënjestrimit të protestuesve paqësorë që shprehin të drejtat e tyre universale’. Ndërkaq, Kremlini, përkrahës i regjimit kuban, ka nxjerrë një deklaratë kundër ndërhyrjes në punët e brendshme, një kujtesë e rezonancës gjeopolitike të Kubës.

Praktika e ndjekur nga regjimi kuban e ka ndihmuar të qëndrojë në pushtet për më tepër se gjashtë dekada. Ndoshta do të funksionojë sërish, por, siç e kemi mësuar, historia është plot kthesa të papritura.

Marrë nga CNN-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari13/07/2021 16:40

Shembullin e rregjimit kuban e ke ne prag te deres. Asnje ndryshim nga rregjimi ne Kube ketu tek ne. Shikojini pamjet e pordhicise bashkiake te bastardit te Terpanit nga Berati me emrin Ronke Velliaj. Patronazhistet e Edvinit a nuk jane njelloj si horrat e rregjimit kuban? Asnje ndryshim nuk kane. Ndaj jam i revoltuar me kete mut milet qe kur ka radhen te ushtroje sovranitetin e tij ai shet voten e tij per 50 mije leke te vjetra. Tani le te haje mut dhe drurin e pordhicise se bastardit trutharit Ronka Veliaj.

Shto koment

Denonco