Rama ‘ngelës’ për të çuar vendin në Europë, por ‘kalues’ për të qeverisur në Shqipëri?!

Rama ‘ngelës’ për të çuar vendin në Europë, por ‘kalues’ për të qeverisur në Shqipëri?!

Nga Kastriot Islami - 05/07/2021

1. Shqiptarët janë të varfër por aspak naivë, kanë pak eksperiencë demokratike por nuk janë budallenj dhe as të trashë. Kjo është një nga temat kryesore të çdo bisede që zhvillohet në shumë nga tavolinat shqiptare.

Ky duket paradoks për shumë njerëz të ndershëm, por në fund të fundit kjo është një situatë reale që po i detyron shqiptarët të mos kenë besim te askush, të mos kenë shpresë për asgjë,  e për rrjedhojë të largohen nga vendi pa e kthyer kokën prapa. Këtë e dinë mirë edhe Edi Rama, edhe socialistët, edhe demokratët, por edhe ata që mbështesin nga brenda e jashtë të keqen...

2. Autokrati është ‘ngelës’ për shqiptarët, edhe për të qeverisur në Shqipëri edhe për të çuar vendin në Europë. Autokrati është ‘ngelës’ sepse ende shqiptarët mendojnë që demokracia është ende një opsion i mundshëm në Shqipëri. Autokrati është ‘ngelës’ sepse çdo shqiptar, mbështetës apo kundërshtar i tij e ka të qartë se vendi drejtohet nga hajdutë, kriminelë dhe trafikantë... Bëhet pyetja: atëherë përse e mbështesin nga jashtë këtë autokrat ‘ngelës’?

E vërteta është se ai konsiderohet prej tyre ‘kalues’ për të qeverisur shqiptarët dhe ‘ngelës’ për të hapur negociatat... Shumë shqiptarë racionalë e të ndershëm mendojnë se ai edhe për pak kohë do të konsiderohet ‘kalues’ derisa të realizojë disa ‘detyra sekondare’ të tilla si i) ndryshimi i kufijve tokësorë e detarë, ii) boshatisja e vendit nga shqiptarët’ iii) dhe zëvendësimi i tyre me ‘bangladeshas’ apo emigrant të tjerë lindorë...Ndërkohë që për të justifikuar ‘ledhatimet’ që i bëjnë ‘ngelësit’ përdoret argumenti i penetrimit të ‘faktorëve të tretë’...?!

 3. Autokrati konsiderohet me të drejtë ‘ngelës’ nga vendet e BE për ta futur vendin në BE sepse nuk ka kryer asnjë ‘detyrë shtëpie’ por që në realitet është kundër hapjes së negociatave me BE sepse autokrati ka shumë frikë nga hapja e negociatave që i konsideron një darë e fortë për të realizuar detyrat e shtëpisë...Por çuditërisht po këta që e cilësojnë ‘ngelës’ për në Europë, pra për ta pranuar në ‘shtëpinë’ e tyre, nga ana tjetër e konsiderojnë ‘kalues’ për të drejtuar vendin në mandatin e tretë?!

4. Autokrati cilësohet pa asnjë rezerve ‘ngelës’ për tu pranuar në Europë, sepse i) ka kryer masakrën zgjedhore, ii) ka tjetërsuar rezultatin zgjedhor, iii) është cilësuar në të gjithë raportet e tyre ‘i korruptuar dhe i inkriminuar’, iv) ka vënë nën kontroll sistemin gjyqësor; v) po kryen pastrim të parave me klientelën e tij përmes ndërtimit të kullave shumëkatëshe e tjerë e tjerë... Por po këta e cilësojnë ndërkohë, sigurisht edhe me ndihmën e disa të ‘kompremtuarve’ si ‘kalues’ duke i dhënë ‘certifikatë’ për mandatin e tretë qeverisës brenda vendit...

5. Në këtë mënyrë mashtrohen qytetarët shqiptarë me mbështetjen nga jashtë dhe ndërkohë që po këta qytetarë fajësohen për paaftësinë për të larguar vetë të keqen... Ndërkohë që vetë autokrati përhap ‘lajmin fake’ se ai ka mbështetjen për të qëndruar në pushtet sepse është i vetmi që ka garantuar realizimin e ‘detyrave sekondare’...Ky paradoks apo standard i dyfishtë për shqiptarët e ndershëm ka filluar të lexohet qartë e të kuptohet nga shumica.

6. Shqiptarëve ju thuhet ndërkohë gjithashtu se ‘ledhatimet’ i jepen ‘ngelësit’ edhe për një arsye madhore: që të mos penetrojnë ‘faktorët e tretë’?! Por si është e vërteta në këtë rast...

7. Si është e ‘vërteta’ e penetrimit të ‘faktorëve të tretë’ në Shqipëri? Arsyet janë evidente e të thjeshta pavarësisht përpjekjeve gjigante për tu maskuar ato nga autokrati. Arsyet janë: i) Shqipëria, duke qenë oligarkike menaxhohet nga drejtues autoritar, i korruptuar e i inkriminuar; ii) shteti ligjor është inekzistent sepse autokrati në krye të vendit favorizon lidhjet e korrupsionit, krimit e trafiqeve me qeverisjen mediokre; iii) drejtësia mungon sepse mbizotëron pandëshkueshmëria për autokratin dhe klientelën e tij të korruptuar e kriminale, kurse ndëshkimi është i rreptë për të varfërit, të pamundurit e të pambrojturit... Këto janë hapësirat eventuale që ky regjim autokratik, i korruptuar dhe i inkriminuar mund të krijojë për penetrimin e faktorëve të tretë sepse po të ishte Shqipëria, vend me demokraci funksionale si vendet e tjera të BE, kjo çështje/ pyetje/ shqetësim as që do të shtrohej fare...

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari05/07/2021 17:06

Profesor i nderuar. Ne kete vend nuk ka popull por dele. Rregjimi enverian per 50 vjet e ka tjetersuar njeriun e ashtuquajtur te ri. Duhen edhe 50 vjet te tjera derisa brezi i lindur dhe rritur ne ate rregjim te mos jetoje me dhe perseri do te jete e veshtire qe Shqiperia te behet vend demokratik normal. Pse? Sepse pjella e komunizmit ka lene mbrapa mbesa dhe niper perverse si eterit e tyre komuniste.

Shto koment

Denonco