Surprizë! BE di si të përballet me Kinën

Surprizë! BE di si të përballet me Kinën

Nga Bruno Maçaes - 02/07/2021

‘A kemi nevojë për ndonjë kundërshtar të ri?’ Me këto fjalë, Armin Laschet përmblodhi përgjigjen evropiane për përpjekjet e Joe Biden për të bindur evropianët të ashpërsojnë qëndrimin me Kinën.

Si politikani me shanset më të mëdha për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, qortimi i hapur i Laschet për Presidentin e SHBA ishte shembulli më i freskët në një seri mosmarrëveshjesh politike midis dy shtyllave të aleancës transatlantike se si duhet vepruar me superfuqinë aziatike në rritje.

Ajo që shpesh nuk vihet re, sidomos në Ëashington, është që evropianët nuk hezitojnë të bashkohen me përpjekjet e Biden ngaqë nuk duan të konfrontohen me Kinën. Ata e presin ftohtë idenë për shkak se kanë një plan të tyrin, dhe deri tani po funksionon.

Plani u hartua fillimisht pak më tepër se dy vjet më parë, në kohën kur Amerika e Trumpit u ktheu shpinën partnerëve evropianë. Siç përshkruhet nga një zyrtar i lartë në Bruksel, vendimi për të quajtur Kinën një ‘rival sistemor’ në mars 2019 ishte gjithçka që politika e jashtme e Bashkimit Evropian përpiqej të arrinte, pothuajse gjithmonë pa sukses.

Këshilli Evropian i kishte dhënë Komisionit Evropian dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm mandatin për të hartuar një strategji të re për Kinën. Dy institucionet e shfrytëzuan plotësisht, duke hartuar një dokument të fortë që nuk u dërgua kurrë në kryeqytetet kombëtare për miratim.

Në atë kohë jetoja në Pekin dhe mund ta konfirmoj se sa shumë i irritoi dhe i bëri konfuzë zyrtarët kinezë. Dhe kjo salvo fillestare nuk ishte një lëvizje e izoluar. Një muaj më pas, BE i dërgoi një ultimatum Pekinit, duke i bërë thirrje të përfundonte bisedimet mbi marrëveshjen e investimeve Kinë-Evropë, njohur si CAI, deri në fund të 2020.

Ato bisedime ishin zvarritur për pesë vjet. Brukseli kërkonte rezultate.

Deri më sot, logjika pas këtyre lëvizjeve mbetet pak e kuptuar. Siç shpjegoi këtë javë një person i përfshirë nga afër në diskutimet e 2019-ës, fjala ‘rival sistemor’ synonte të përcaktonte diçka krejt të ndryshme nga formulimi i përdorur në Ëashington: ‘rival strategjik’.

Me nocionin e rivalitetit sistemor, Bashkimi Evropian shpresonte të ndante diferencat politike dhe lidhjet ekonomike. Në rivalitetin strategjik udhëheq konflikti. Në rivalitetin sistemor konflikti limitohet në sferën politike. Është pjesë e trapisë politike të BE të besojë se politika dhe ekonomia mund të ndahen nga njëra-tjetra. Edhe brenda vetë bllokut, diferencat politike me Poloninë dhe Hungarinë nuk lejohen të ndërhyjnë me tregun e përbashkët.

Të luash të njëjtin truk me Kinën është shumë më e vështirë, por Komisioni ka qenë i angazhuar në vënien e planit të jetë. Gjatë dy viteve të fundit, ka aprovuar një breshëri rregulloresh të reja që limitojnë aftësinë e shtetit kinez të ndërhyjë në kuadrin e lidhjeve ekonomike midis dy blloqeve. Këto përfshijnë barriera mbrojtëse për investimet, instrumente për mbrojtjen e tregtisë, një paketë ligjore kundër subvencioneve shtetërore dhe një instrument për prokurimet publike.

Në të njëjtën kohë, Brukseli – me shtysë nga kancelaria gjermane Angela Merkel, e cila përsëriti ultimatumin në qershor 2020 — lëvizi përpara me bisedimet mbi CAI-n, që më në fund u miratua nga të dyja palët në dhjetor. Zyrtarë të lartë në Komisionin Evropian, të cilët kërkuan të mbeten anonimë, e përshkruan miratimin e marrëveshjes nga Kina si një ‘dhuratë nga Pekini’.

Marrëveshje përfshinte lëshime të rëndësishme nga Pekini, përfshirë një nivel më të madh aksesi e disiplinash tregu në kompanitë shtetërore, transparencë të subvencioneve dhe rregulla që ndalojnë transferimin e detyruar të teknologjisë. ‘Duke na bërë një dhuratë të madhe, ata shpresonin që të parandalonin një front të bashkuar me administratën Biden’, tha zyrtari.

Ajo që befasoi Kinën ishte që BE nuk e konsideroi kurrë CAI-n si një marrëveshje politike. Duke detyruar Pekinin të bënte lëshime në pika kyç, blloku nuk hezitoi të kapërcente vijat e kuqe më të rëndësishme të Kinës. Më 22 mars, BE u bashkua me Britaninë dhe SHBA në vendosjen e sanksioneve mbi zyrtarët kinezë të dyshuar për përfshirje në shkeljen e të drejtave të njeriut në provincën Xinjiang.

Lëvizja e çekuilibroi Pekinin, siç vërtetohet nga reagimi i tij. Shumë në Bruksel besonin se Kina do të ishte tepër e preokupuar me ruajtjen e CAI-t për të reaguar, ose do ta bënte në mënyrë tepër të limituar. Përkundrazi, Ministria e Jashtme e Kinës reagoi me brutalitet të verbër.

Ambasadat kineze në Evropë u ngarkuan me detyrën të përpilonin një listë të padëshiruarish, e cila përfshinte eurodeputetë nga pothuajse çdo grupim politik. Kjo listë duket se është miratuar nga udhëheqja më e lartë në Zhongnanhai (selia e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës) duke e studiuar pak ose aspak, dhe pa u shqetësuar shumë për fatin e marrëveshjes.

Ky reagim zbuloi shumë rreth marrëdhënieve midis BE dhe Kinës, dhe rreth faktit që Pekini e ndjeu që ia kishin punuar. Ndërsa një zyrtar tjetër në Komision më tregoi se udhëheqja e lartë në Pekin ishte këshilluar keq, asnjë zyrtarët kinezë me të cilët fola nuk shprehu ndonjë dyshim se më 22 mars udhëheqja kineze vendosi të vriste marrëveshjen e investimeve me Bashkimin Evropian. Zgjedhja ishte e vetëdijshme dhe e qëllimshme.

Xi Jinping kishte luftuar shumë për ta bërë të mundur marrëveshjen. Atëherë, pse ndryshoi mendje? Çelësi qëndron në diçka që më tha këtë javë akademiku influencues Cui Hongjian: ‘Partnerët strategjikë nuk vendosin sanksione mbi njëri-tjetrin’. Pala kineze e shihte CAI-n si një marrëveshje politike.

Si marksistë të devotshëm, zyrtarët kinezë nuk besojnë në ndarjen e politikës nga ekonomia. Por vendimi i Brukselit për të vendosur sanksione mbi katër zyrtarë politikë tregoi se ‘rivaliteti sistemor’ ishte ende i vlefshëm dhe funksional. Sipas një zyrtari në Këshillin Shtetëror të Kinës, Xi kishte vendosur që evropianët e kishin tradhtuar shpirtin e marrëveshjes dhe që Kina duhej të mbante qëndrim të ashpër.

Liu Zuokui i Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore u hap më tepër mbi ndjesinë e irritimit gjatë një bisede të kësaj jave: ‘Me fjalë të tjera, nga njëra anë dy palët duhet të kapërcejnë dallimet mes tyre e të bisedojnë. Nga ana tjetër, BE mund ta ndëshkojë Kinën në çdo kohë, bazuar në nevojat e veta, me bindjen që Kina duhet ta pranojë pa kundërshtuar ndëshkimin’.

Ajo çka do të thotë kjo është që Brukseli — jo Ëashingtoni, as Pekini – ka një vizion të qartë se cilat duhet të jenë kushtet e marrëdhënies midis Perëndimit dhe Kinës: integrim ekonomik, por sipas modelit evropian, jo kinez.

Zyrtarët kinezë mund të ankohen për termin ‘rivalitet sistemor’, por ata besojnë tek ai po aq sa edhe Brukseli. Ndryshimi është se për Pekinin nuk ka ndarje midis tregut dhe shtetit. Në mënyrë interesante, kjo është pikëpamja edhe në Ëashington — por evropianët janë të bindur se kanë një plan më të mirë.

Ata do të vazhdojnë të këmbëngulin që për të vazhduar të bëjë biznes në territorin e tyre, Kina do të duhet ta bëjë sipas kushteve të evropianëve. Dhe vërtet, zyrtarët kinezë kanë dërguar mesazhe se duan të vazhdojnë të bisedojnë. ‘Ne jemi shumë të qetë’, thotë zyrtari në Bruksel.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco