Plani për të nxjerrë jashtë shkollave tona teoritë përçarëse dhe radikale

Plani për të nxjerrë jashtë shkollave tona teoritë përçarëse dhe radikale

Nga Donald J. Trump - 21/06/2021

Premtimi numër një i Joe Biden i kandidat ishte ‘bashkimi’ i Amerikës. E megjithatë, në muajt e tij të parë si president, përparësia numër një ka qenë përçarja e vendit tonë sipas racave e gjinive gjatë gjithë kohës.

Nuk ka shembull më të qartë se përpjekjet e reja të administratës Biden që synon indoktrinimin e fëmijëve amerikanë me disa nga idetë më helmuese e anti-amerikane të para ndonjëherë. Është jetësore që amerikanët të kuptojnë se çfarë do të sillte kjo iniciativë, çfarë e shtyn atë, e, mbi të gjitha, si mund ta ndalojmë atë.

Për dekada, e majta fajësuese e Amerikës ka përhapur një imazh që e shfaq historinë, kulturën, traditat tona dhe dokumentet themeluese në dritën më negative të mundshme. E megjithatë, në vitet e fundit, kjo përpjekje thellësisht jonatyrale ka avancuar nga të treguarit fëmijëve se historia e tyre është e keqe në të treguarit amerikanëve që ata janë të këqij.

Nëpër shkollat e vendit, nxënësit janë bërë subjekt i një programi të ri mësimor të dizenjuar për t’u shpëlarë trurin dogma qesharake të majta të njohura si ‘teoria kritike e racave’. Aspekti kryesor i kësaj doktrine të mbrapshtë është se është komplet antietike karshi gjithçkaje që amerikanët normalë të çfarëdo ngjyre do të donin t’u mësonin fëmijëve të tyre.

Në vend që të ndihmojnë të rinjtë të zbulojnë që Amerika është vendi më i madh, më tolerant e më bujar në histori, programi iu mëson që Amerika është sistematikisht e keqe dhe se zemrat e amerikanëve janë plot urrejtje e ligësi. Larg nga realizimi i ëndrrës së Martin Luther King Jr. – që fëmijët tani ‘nuk duhet të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri’ – teoria e poshtër e së majtës predikon që gjykimi i njerëzve sipas ngjyrës së lëkurës është në të vërtetë ide e mirë.

T’i mësosh qoftë edhe një fëmije të vetëm këto mesazhe përçarëse shkon deri në kufijtë e abuzimit psikologjik. Indoktrinomi i brezave të fëmijëve me këto ide ekstreme nuk është thjesht imoral – është një program për vetëvrasje kombëtare. E megjithatë pikërisht këtë përkrahu administrata Biden kohët e fundit në një vendim të publikuar në Regjistrin Federal (Fletorja Zyrtare e SHBA – Syri.net) me synim imponimin mbi nxënësit amerikanë të një programi mësimor të frymëzuar nga teoria kritike e racave.

Vendimi përmend si motivim ‘Projektin 1619’ të diskredituar të New York Times. The Times e ka përshkruar qëllimin e përpjekjes së saj si ‘riedukim’ i popullit amerikan, madje projekti përfshin edhe një plan mësimor që inkurajon studentët të praktikojnë ‘fshirjen’ e pjesëve të Deklaratës së Pavarësisë. Vendimi i Bidenit përmend direkt edhe një aktivist të majtë dhe promotor kryesor të teorisë kritike të racave, libri shkollor i të cilit thotë se ‘e vetmja kurë për diskriminimin e kaluar është diskriminimi i sotëm. E vetmja kurë për diskriminim e sotëm është diskriminimi i ardhshëm’.

Kjo është ajo çka dëshiron t’u mësojë fëmijëve të Amerikës administrata Biden.

Vendimi i Departamentit të Arsimit rrjedh nga një urdhër ekzekutiv që Biden firmosi në ditën e parë në detyrë. Urdhri i Biden anuloi Komisionin 1776 të cilin e krijoi në nderim të parimeve themeluese të Amerikës, dhe ktheu mbrapsht aktin ekzekutiv që ndërmora për të ndaluar imponimin e këtyre teorive të pamoralshme.

Fatmirësisht, shumica e amerikanëve e kundërshtojnë këtë çmenduri. E majta ia ka dalë deri tani sepse jo mjaftueshëm sa duhet prindër i kanë kushtuar vëmendje dhe kanë ngritur zërin. Por kjo po ndryshon me shpejtësi. Nga Loudoun County, Va., në Cupertino, Calif., prindërit po nisin ta ngrenë zërin kundër revolucionit kulturor të së majtës. Ajo që u duhet tani është një plan për ta ndalur realisht.

Ja reformat që duhet të kërkojë çdo prind i preokupuar në Amerikë.

Së pari, legjislatura e çdo shteti duhet të miratojë ndalimin e financimit me dollarë të taksapaguesve të shkollave apo vendeve të punës ku mësohet teoria kritike e racave, e cila shkel rëndë ligjet ekzistuese anti-diskriminim. Të frymëzuar nga urdhri im ekzekutiv i vitit të kaluar, Florida, Texas, North Carolina, Oklahoma dhe shtetet të tjera tashmë kanë ndërmarrë hapa për të miratuar ligje të tilla. Duhet që kjo të ndodhë kudo dhe edhe Kongresi duhet të kërkojë vendosjen e bllokimit federal përmes miratimit të ligjeve

Së dyti, çdo shtet duhet të krijojë Komisionin e vet 1776 për të ekzaminuar programin mësimor të arsimit publik dhe të sigurojë që nxënësit marrin arsim patriotik, pro-amerikan, jo të mësohen që SHBA është vend i keq.

Së treti, prindërit kanë të drejtën të dinë me saktësi se çfarë iu mësohet fëmijëve të tyre. Vjet, shumë prindër patën mundësinë të dëgjonin për herë të parë se çfarë mësimi bëhej në klasë, për shkak të mësimit online. Teksa nxënësit kthehen në klasa, shtetet duhet të miratojnë ligje që kërkojnë që planet mësimore të jenë në dispozicion të prindërve, gjithçka duhet postuar online për t’u mundësuar prindërve të dinë se çfarë mësojnë fëmijët. Për më tepër, në shumë vende, ka rregulla që i ndalojnë nxënësit të regjistrojnë çfarë thonë mësuesit. Shtetet dhe bordet e shkollave duhet të vendosin ‘Të drejtën për të regjistruar’.

Së katërti, prindërit duhet të organizohen lokalisht – në çdo zonë shkollore në Amerikë – për të eliminuar ‘Aksionin qytetar’ dhe versione të tjera të përpjekjeve për të shtrembëruar arsimin tradicional në një mjet për indoktrinim politik. Argumenti i ri i së majtës është që ‘përçarjet’ tona vijnë nga mungesa e ‘arsimit qytetar’ – një problem që ata përpiqen ta ‘zgjidhin’ me shumë pará taksapaguesish dhe një ripërkufizim të ‘qytetares’ në shkolla, ashtu siç po përpiqen të ripërkufizojnë kuptimin e ‘infrastrukturës’. Pikërisht tani, Kongresi po punon për një paketë 1 miliard dollarë të njohur si Civics Secures Democracy Act. Asnjë Republikan nuk duhet t’i besojë një miliard dollarë administratës Biden për t’i shpenzuar në programe të tilla. Edhe më keq, legjislacioni kërcënon të vendosë një program mësimor de facto kombëtar për historinë dhe qytetarinë, efektivisht duke i korruptuar shtetet për  adoptimin e programit mësimor anti-amerikan të së majtës.

Së pesti, çdo prind që kundërshton materialet që iu mësohen fëmijëve në shkollat publike duhet të marrë automatikisht një kupon që iu mundëson zgjedhjen e një tjetër shkolle. Qeveria nuk ka të drejtë t’u bëjë shpëlarje truri nxënësve me ideologji polemizuese kundër dëshirës së prindërve të tyre.

E gjashta, shtetet duhet të rimarrin kontrollin e shkollave dhe organeve të përzgjedhjes për t’u siguruar që nuk do të prodhojnë mësues të radikalizuar. Për të qenë i qartë, shumica dërrmuese e mësuesve tanë janë ndër njerëzit më altruistë e më të mrekullueshëm të mundshëm, por për fat të keq shumë janë diplomuar në shkolla tepër të njëanshme dhe mund të mos jenë as vetë të vetëdijshëm për shkallën e depërtimit të ideologjisë majtiste në programet e tyre mësimore. Shtetet duhet të ngrenë organe verifikuese alternative që mund të certifikojnë mësues të shkëlqyer që dinë si të kultivojnë dashurinë për Amerikën. Shkollat duhet të kenë përparësi punësimin e mësuesve me këto certifikata, sidomos për anglishten, historinë dhe studime shoqërore.

E fundit, shtetet duhet të thyejnë monopolin e paprekshmërisë në arsimin deri në klasën e 12-të. Paprekshmëria u ideua fillimisht për të mbrojtur mësuesit e aftë nga ndikimi i politikës, por u shndërrua në një mekanizëm për mbrojtjen e mësuesve të paaftë që ushtrojnë ndikim politik mbi fëmijët tanë. Edukatorë që armiqësojnë fëmijët me vendin e tyre nuk duhen mbrojtur me paprekshmëri të përjetshme, ata duhen larguar për të ndjekur karrierën si aktivistë politikë.

Mos u gaboni: Motivi prapa gjithë kësaj çmendurie majtiste është diskreditimi dhe eliminimi i pengesave më të mëdha në rrugën e transformimit fondamental të Amerikës. Për të pasur sukses me axhendën ekstreme, radikalët e dinë që duhet të zhdukin përkushtimin tonë ndaj Kushtetutës, Deklaratës së Pavarësisë e mbi të gjitha ndaj vetë identitetit të amerikanëve si njerëz të lirë, krenarë e vetëqeverisës. E majta e di që nëse ia arrin të shkrijë identitetin dhe memorien tonë kombëtare mund të fitojë kontrollin total politik për të cilin është e uritur.

Një vend është aq i fortë sa shpirti i tij. Për fëmijët tanë, duhet të veprojmë para se të jetë shumë vonë.

*Presidenti i 45-të i SHBA

Marrë nga realclearpolitics.com-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp.22/06/2021 08:44

Dhe kur kjo ndodh në SHBA ,si kjo mos të reflektohet edhe në shtetet partnere, si Shqipëria. Kjo trashëgimi majtiste në fushën e arsimit, domosdo është përçuar edhe në vëndin tonë nga Xh.Soros ,Shoqëria Civile dhe 'kuadrovikët' e saj, që drejtojnë qeverinë sot dhe me gjasa edhe atë të nesërme, edhe atë të së ardhmes, qeverinë hije. Ndaj një fitore e Republikanëve në SHBA dhe nënëshkrimi i Presidentit të 47 në SHBA nën siglën e Donald J.Trump do sillte refleksione pozitive dhe zhvillime demokratike kudo në botë. U kujdesa në këtë koment që mos të dal jashtë teme.

Lek 22/06/2021 07:12

Këto teori nuk po mësohen vetëm në shkollat Amerikane ato janë futur si helm në gjitha shkollat e botës aty mësohet të drejtat e njeriut që janë në kundërshtim me hyjninë e Zotit që promovojnë të drejtat e homoseksualëve të drejtën e abortit të divorcit martesave të gjinive të njejta etj.Kjo sjell fundin e atyre kombeve që fusin të tilla ligje në kushtetutat e tyre.Kush lufton kundër Zotit do dalë i humbur.

Shto koment

Denonco