‘Shteti paralel’ i PD dhe paradoksi i vendimeve të KAS dhe Kolegjit

‘Shteti paralel’ i PD dhe paradoksi i vendimeve të KAS dhe Kolegjit

Nga Enton Palushi - 18/06/2021

Në një shtet pak më normal se Shqipëria, kjo javë do të ishte dominuar nga diskutimet për atë që ndodhi me Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve dhe Kolegjin Zgjedhor, që i mbyllën derën me shpejtësi të gjithë ankesave të Partisë Demokratike për procesin skandaloz të 25 prillit. Me një lehtësi të pabesueshme, lajmet për këto vendime treteshin në morinë e raportimeve për vrasje, plagosje, aksidente, vetëvrasje, protesta, skandale ekonomike dhe një mijë e njëqind të zeza të prodhuara edhe nga mëkati origjinal që vazhdon të konsumojë Edi Rama duke dëmtuar themelet e demokracisë me manipulimin zgjedhor.

Kur e kupton se manipulimi i proceseve zgjedhore është bërë kaq i parëndësishëm dhe kaq rutinë, e beson plotësisht sa të drejtë kishte filozofi i preferuar i Vladimir Putinit, fashisti i ‘rilindur’ Ivan Ilyin që u propozonte një shekull më parë autokratëve se demokracia duhet bërë një ritual i bezdisshëm, ku qytetarët vetëm sa ratifikojnë atë që është vendosur diku larg kutive të votimit dhe vullnetit të qytetarëve. Askund nuk shihet kjo më qartë se në vendimet e KAS dhe Kolegjit.

Që të kuptohemi, nëse do pyesni ekspertët e manipulimeve zgjedhore, ata do të thonë se ky është një proces ligjor dhe antiligjor që nis kohë përpara se njerëzit të shkojnë te kutitë e votimit. Ndaj periudha kur duhej reagimi më i fortë, qoftë nga drejtësia, qoftë nga ata që merakosen për demokracinë e vendit, ishte disa javë e muaj përpara se të vinte 25 prillit. Tani nuk është çudi që krimet zgjedhore të na dalin përpara syve kur hetohen dosje të tjera kriminale, siç ka ndodhur me rastet më të bujshme në të shkuarën. Nuk është aspak rastësi që të enjten u raportua se teksa SPAK po hetonte një bandë të trafikut të drogës, zbuloi mes të tjerash se ata blinin edhe vota. Bash si në të shkuarën, vjedhja e votës del aty mes krimeve të tjera, por si një krim ‘i dorës së dytë a të tretë’.

Megjithatë, nuk mund të mos komentosh mënyrën se si janë rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike nga KAS dhe Kolegji Zgjedhor në kohën kur Bashkimi Europian dhe Perëndimi kërkon me ngulm që të gjitha institucionet e drejtësisë të punojnë së bashku për të zbardhur krimet zgjedhore pasi kjo është jetike për demokracinë. Të besosh se Ilir Rusmali me shokë do forcojnë demokracinë, kjo është më shumë se marrëzi. Ata bënë të kundërtën e asaj që kërkonte BE, jo vetëm duke vepruar secili si institucion më vete dhe jo si një ansambël siç ndodh në vendet normale, por dukej sikur kishin nisur një garë të ethshme se kush do mburrej përpara Edi Ramës se ua mbylli derën kërkesave për transparencë të opozitës. Madje Kolegji Zgjedhor të krijonte idenë se ndjehej edhe i bezdisur se duhej të merrej edhe me ankesa zgjedhore. Njësoj si ata kriminelët që trafikojnë drogë e kryejnë vrasje, por merren edhe me këtë krimin e lehtë dhe të parrezikshëm të blerjes së votave.

Kulmi ishte kur kërkesat e opozitës rrëzoheshin me argumentimin se nuk ka prova dhe se janë bazuar mbi akuza politike. Edhe kjo përpjekje për të krijuar neveri për politikën, është pjesë e strategjisë për rrënimin e zgjedhjeve. Sigurisht që PD është parti politike dhe do ngrejë pretendimet e saj politike.

E gjitha kjo na vendos në një situatë paradoksale. A e mbani mend se çfarë ndodhi pas ngjarjes tragjike në Elbasan, kur u mësua se PD kishte ngritur një strukturë për mbrojtjen e votës, e cila më së shumti ishte një strukturë për transparencën e krimit zgjedhor. Koha tregoi menjëherë se PD kishte të drejtë pasi policia e thirrur për të dokumentuar krimin, u zbyth përpara plumbave të krimit, kurse prokuroria u zbyth nga mashtrimet live të Ardi Veliut. Menjëherë pas ngjarjes, të parët që reaguan të alarmuar ishin ambasadorët, që ishin të shqetësuar se PD kishte ngritur struktura paralele. Sipas tyre, shteti nuk duhet të dublohet, pasi ai po funksionon normalisht.

Kurse tani që shtetit i kërkohet të funksionojë normalisht, PD-së i kërkohet të reagojë si një shtet paralel që provon, dokumenton dhe fakton krimet zgjedhore. Së pari, kjo shkon krejt kundër frymës me të cilën janë ngritur këto institucione të drejtësisë për shkeljet zgjedhore, të cilat kanë pasur si qëllim parësor të bëjnë transparencë të plotë për atë që ndodh me procesin zgjedhor. Përndryshe pse duhet të ulemi sërish për të diskutuar ndryshime në Kodin Zgjedhor? 

E dyta, kjo histori nuk ka dy zgjidhje. Ose duhet ta lejoni PD-në që të ngrejë shtetin e saj paralel, ku të dokumentojë, faktojë, madje edhe të dënojë krimet zgjedhore, ose të funksiononi si një shtet që ka për qëllim të bëjë drejtësi. Rrugë të mesme nuk ka.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Lek19/06/2021 16:09

Ambasadat e huaja pèrshèndesin zgjedhjet nè Shqipèri si tè lira dhe tè ndershme ashtu siq nxituan ti pèrshèndetnin nè SHBA.Ky èshtè njè plan global i mirèmenduar i forcave tè errèta globale qè po shpejtojnè tè vendosin rendin e ri botèror qè do tè pèrbèhet nga liderè tè zgjedhur me kujdes dhe nuk èshtè çudi fakti se lideri i tyre tè dalè nga Shqipèria pasi shumè gènjeshtra po u duken tè èmbla dhe po u shijojnè ndèrkombètarève dhe dalngadalè po e ftolnè gènjeshtrèn qè tè ulet nè BE.Duhet tè lexoni me kujdes Librin e sè Vèrtetès qè gjendet nè internet nè gjuhèn shqipe ku shpjegohet me detaje komploti qè planifikojnè kèto forca tè errèta qè po pèrgatiten ta ekspozojnè liderin e tyre.Janè 1000 e mè tepèr mesazhe qè Jezus Krishti ja komunikon Marias sè Mèshirès Hyjnore pèr ngjarjet e fundit qè do ndodhin nè botè.Njerèzimi duhet tè pregatitet pasi ditè tè vèshtira po vijnè.Ata qè i shèrbejnè djallit duke shtrembèruar tè vèrtetèn do tè kenè pak kohè pèr tu penduar para se paralajmèrimi tè ndodhè kur çdo njeri mbi moshèn 7 vjeç do jetè ballè pèr ballè me Zotin Jezus.çdo njeri do ti shikojè mèkatet e tij ashtu si Zoti i sheh ato, disa do vdesin nga tronditja prandaj njerèzimi ti rrefejnè mèkatet e tyre dhe tè ndryshojnè rrugè sa nuk èshtè vonè.

Skrapari19/06/2021 09:56

Ne cdo vend demokratik besoj se shteti paralel ekziston. Kjo eshte logjike. Ndaj PD te mobilizoje te vetet dhe sot ne opozite te kete gati strukturat per neser ne pushtet. Per kete nuk i jep llogari kurkujt.

Balo Bna18/06/2021 22:27

O Palushi....
Non grata dhe shporrje brenda 24 orësh nga territori i kurvës koreane.....
Hapi i parë drejt shpëtimit.....

krasasi tp18/06/2021 21:30

Shteti paralel ka funksionuar dhe lidershipi majtas dhe djathtas bashkarisht, ka dhënë një kontribut të konsiderushëm në mrë funksionimin e tij. U kap, biznesi,bankat,shoqëria civile,media dhe sistemi i drejtësisë.Mos të bëjmë sikur sot po zbresim nga mali për të bër ndryshimin, të vetëm. Të çkapim partitë dhe ti reformojmë ato. Për mua ky proçes në PD sapo ka filluar dhe është një hap pozitiv.Të kalojmë në sitë kapsit e shtetit kushdo të jenë ata.Të ringremë Shtetin funksional, moderrn ,demokratik, me dhe për qytetarët. Re-for-ma. Sot kishim një lajmë të mirë nga kryeministri. Në spitalet publike të paisur me laborator ultramoderrn, do kryen analizat falas për qytetarët . Lajm i keq për oligark që ushtrojnë aktivitet në fushën e barnave , duke abuzuar me shëndetin dhe rjepin qytetarët.E kam fjalën që po të duan qeverisësit, mund të shkëputen nga oligarkia dhe mafija. Kush nuk ka vullnet do ti imponohet.

Shto koment

Denonco