Politika e Biden për Kinën po del në pah dhe i ngjan shumë asaj të Trumpit

Politika e Biden për Kinën po del në pah dhe i ngjan shumë asaj të Trumpit

Nga Alex Leary & Bob Davis - 11/06/2021

Politika e Presidentit Biden ndaj Kinës është bërë më e qartë gjatë javës së kaluar, me iniciativa që sugjerojnë se ai planifikon të mbajë pozicionin e ashpër të paraardhësit të tij kundrejt Pekinit, pavarësisht diferencave në zbatim.

Administrata rinovoi përpjekjet e Presidentit Donald Trump për të bllokuar aplikacione kineze, përfshirë TikTok, vetëm pak ditë pasi shtoi të tjera kompani kineze në listën e zezë të erës Trump.

Administrat bëri të ditur edhe nisjen e bisedimeve tregtare dhe për investime me Taivanin, duke irrituar Pekinin që e konsideron ishullin si një provincë që kërkon të shkëputet.

Zyrtarë të administratës e pranojnë se në përgjithësi hapat e fundit janë bazuar në aktet e ndërmarrë nga Trump. Në rastin e listës së zezë të investimeve dhe urdhrat që prekin TikTok e aplikacione të tjera, thonë ata, Biden synon që masat të jenë më të zbatueshme.

“Administrata Biden thotë ‘Ne mendojmë se një pjesë e punës së kryer nga administrata Trump ishte thelbësore’”, thotë një zyrtar i lartë. “Por ato u bënë në një mënyrë që nuk ishte domosdoshmërisht e vlefshme dhe nuk ishte ndërtuar brenda një kuadri që mund të zgjerohej për të përfshirë aleatët dhe partnerët”.

Lëvizjet e fundit vijnë pas muajsh reflektimi të brendshëm në Shtëpinë e Bardhë për mënyrën e veprimit me Kinën, që ishte fokusi i politikës së jashtme të Trumpit.

Administrata ka shumë çështje për të shqyrtuar. Një prej tyre është se si të veprojë me miliardat e dollarëve në tarifat që Trump vendosi mbi mallrat kineze, të cilat paguhen nga bizneset amerikane që i importojnë ato.

Derek Scissors, studiues në institutin konservativ American Enterprise, tha se lëvizjet e Presidentit Biden iu shtojnë një përqasje më profesionale akteve të Presidentit Trump, si për shembull forcimi i listës së zezë të investimeve kineze kundër sfidave ligjore.

Të tjerë druhen se kjo mund të ketë efekt të kundërt.

“Të përpiqesh të izolosh Kinën nuk do të pritet mirë nga pjesa më e madhe e botës”, tha eksperti për Kinën në Brookings Institution, David Dollar, duke iu referuar ekonomive të ndërthurura me Pekinin. “Më duket si strategji vetëvrasëse. Duhet të anojnë më tepër nga ana e bashkëpunimit”.

Shtëpia e Bardhë e sheh politikën e saj për Kinën si të mbështetur në tre shtylla: fuqizim i ekonomisë dhe demokracisë amerikane; rindërtim i marrëdhënieve me aleatët, të cilat u dobësuan nën drejtimin e Trumpit; dhe përcaktim i zonave të konfrontimit e të bashkëpunimit me Kinën.

E treta është punë në proces, tha zyrtari, duke shtuar se mori pjesën më të madhe të kohës për t’u zhvilluar.

E megjithatë, administrata ka nisur t’i përcaktojë ato zona dhe një prej tyre është Tajvani.

Administrata Trump i anashkaloi negociatat tregtare me Tajvanin për t'u përqendruar te Kina. Biden, bashkë me rinisjen e bisedimeve tregtare me ishullin e vetë-qeverisur në mënyrë demokratike, lëshoi deklarata pas samiteve me udhëheqësit japonezë dhe koreanojugorë të jugut ku u diskutua sigurimi i  stabilitetit në ngushticën e Tajvanit.

"Ka përpjekje të vazhdueshme nga SHBA për ta bërë të qartë që nëse Pekini ka pasur ndonjë dyshim në lidhje me angazhimin e kësaj administrate [ndaj Tajvanit], duhet ta mendojë edhe njëherë”, tha zyrtari i lartë.

Disa nga mbështetësit e Tajvanit në Kongres duan që SHBA të shkojë më tej e të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe tregtare me Taipein. Zyrtari i lartë i administratës tha se administrata nuk kishte marrë një vendim për këtë.

Administrata ka kërkuar për disa fusha në të cilat do të bashkëpunojë me Kinën, kryesisht në lidhje me ndryshimet klimatike. Dhe në javët e fundit, përfaqësuesja tregtare SHBA Katherine Tai dhe Sekretarja e Thesarit Janet Yellen kanë biseduar me zëvendëskryeministrin kinez Liu He, por pasi pritën disa muaj para se të bënin lëvizjen e parë.

Tregtia "nuk futet qartësisht në një kategori ose në tjetrën", tha zyrtari i lartë. “Ne kemi shqetësime në lidhje me praktikat shtrënguese tregtare. Hapësira për bashkëpunim mund të jetë më e vogël nga sa do të dëshironim”.

Në një deklaratë, zëdhënësi i ambasadës kineze në Pekin tha se SHBA duhet “ta shohë Kinën nën një dritë objektive e racionale, dhe të bëjë më tepër për nxitjen e besimit dhe bashkëpunimit reciprok, e për të përmirësuar lidhjet dypalëshe në vend të të kundërtës”.

Biden mori këtë javë një raport të gjerë që synon lehtësimin e varësisë së zinxhirit furnizues të SHBA nga Kina dhe nisi udhëtimin në Evropë me synim bashkimin e aleatëve në konfrontimin me Pekinin, i cili është zemëruar pas ngritjes nga ana e Presidentit të SHBA të tezës se pandemia Covid-19 ishte rezultat i një aksidenti në një laborator kinez.

Biden ka përvojë të gjatë me Kinën. Dekada më parë ai mirëpriti hyrjen e Kinës në skenën globale. Më pas, si zëvendëspresident, u ngarkua nga Presidenti Barack Obama të përmirësonte lidhjet me Kinën.

Marrë nga Wsj.com-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco