‘Marifetet’ për uljen e pjesëmarrjes për pengimin e rrotacionit politik...

‘Marifetet’ për uljen e pjesëmarrjes për pengimin e rrotacionit politik...

Nga Kastriot Islami - 09/06/2021

1. Nga literatura për zgjedhjet por edhe nga praktikat elektorale, në shumë vënde të botë, por edhe në Shqipëri, rezulton një lidhje e fuqishme mes pjesëmarrjes në votime dhe mundësisë së realizimit të rrotacionit politik: sa më e lartë pjesëmarrja në votime, aq më e lartë mundësia e kryerjes së rrotacionit politik.. Po ashtu e kundërta është e provuar: sa më e ulët pjesëmarrja në zgjedhje aq më e ulët mundësia që opozita të realizojë ‘rrotacionin politik’...

2. Kjo ka ndodhur edhe në 2021: ndërkohë që qytetarët kanë qënë relativisht të angazhuar (kjo duhet provuar nga opozita, përmes një analize të thelluar të shifrave të pjesëmarrjes nga nivel qarku deri në çdo QV...) për të marrë pjesë masivisht në zgjedhje, dhe partitë politike opozitare janë përpjekur ‘maksimalisht’ (edhe kjo duhet analizuar nga çdo parti/koalicion opozitar) për të nxjerrë mbështetësit e tyre në votime; qeveria dhe maxhoranca, pavarësisht retorikës gjoja pro pjesëmarrjes në zgjedhje, kanë përdorur shumë ‘marifete’ për të ulur pjesëmarrjen në votime ose thënë ndryshe për të penguar qytetarët të votojnë. Kjo duket në pamje të parë ‘konspirative’ por nëse i referohemi lidhjes pjesëmarrje në votime me mundësinë e rrotacionit politik, është evidente që maxhoranca duke synuar me çdo mjet të ruante pushtetin, ka aplikuar shumë ‘marifete’ për të penguar zgjedhësit të votojnë, pra të ulë pjesëmarrjen, kurse opozita duke synuar të realizojë ‘rrotacionin’ politik është përpjekur të ngrejë frymën (duhet analizuar nëse përpjekjet e saj kanë qënë të mjaftueshme) për të siguruar një pjesëmarrje sa më të lartë.

 3. Opozita duket nuk ja ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen mjaftueshmërisht të lartë në zgjedhje, sepse ajo ndër të tjera është ndodhur përballë ‘marifeteve’ antiligjore të qeverisë për të penguar zgjedhësit të votojnë masivisht dhe/ose ndoshta nuk ka mundur, për arsye të ‘brendshme’, (kjo duhet analizuar me qetësi e konstruktivitet për të nxjerrë ‘mësime’ jo vetëm për të përballuar të tashmë por mbi të gjitha për të qenë e suksesshme në të ardhmen) të motivojë zgjedhësit të votojnë. Përfundimisht, nisur nga fakti se në 25 prill 2021 nuk ndodhi rrotacioni politik, mund të thuhet se opozita nuk ka mundur të pengojë/frenojë ‘marifetet’ e shumta të qeverisë që kanë çuar në tjetërsimin e shifrës së pjesëmarrjes në zgjedhje. Gjë që natyrisht ka pasur ndikim edhe në rritjen e numrit të mandateve të qeverisë dhe uljen e mandateve të opozitës.

4. Së pari, në listën zgjedhore të 2021 ishin 3 588 869 qytetarë, pra 316 984 qytetarë më shumë se në listën zgjedhore të 2013, pra vihet re që në 8 vjet, numri i zgjedhësve (që jetojnë në Shqipëri e nëpër botë) është rritur me 9,7 % gjë që duket normale, por ti referohemi shifrave të vdekjeve dhe të lindjeve. Ndërkohë që s’dihet me saktësi sesa zgjedhës jetojnë në Shqipëri, është deklaruar në media se mbi 400 mijë qytetarë shqiptarë janë larguar nga vendi ynë gjatë këtyre 8 vjetëve...Mesa duket qeveria prej 8 vjetësh, nga 2013 deri në 2021, duke programuar edhe uljen e pjesëmarrjes në votime, me keqqeverisjen e saj ka nxitur largimin e shqiptarëve nga vendi, duke ja arritur të ulë me të paktën 400 mijë numrin e zgjedhësve që jetojnë në Shqipëri...Sa prej tyre janë votues opozitarë duhet të ishte vlerësuar nga ekipet elektorale opozitare për të pasur një ide, qoftë edhe të përafërt mbi madhësinë e rezervuarit të zgjedhësve opozitare në listat zgjedhore; dhe më tej mbi këtë bazë të mund të organizonte më mirë punën për nxjerrjen në votime të zgjedhësve (prezentë në Shqipëri), më shumë apo të paktën po aq sa në 2013?!

5. Së dyti, po ti referohemi shifrave të KQZ (jam dakord që këto shifra janë të pasakta, por për momentalisht nuk ka të tjera, përveç i) shifrave më të sakta që mund/duhet të zotërojnë partitë opozitare, ii) ose shifrave të hamendësuara që duhen marrë me shumë rezerva), rezulton se në 2021, kanë votuar (pjesëmarrja në shifër absolute) 1 661 298, ose rreth 87 760 votues më pak se në 2013 kur kanë votuar 1 749 058 qytetarë, pra rreth 5,3 % më pak se në 2013 kur ndodhi ‘rrotacioni politik’. Ndërkohë që zgjedhës brenda e jashtë Shqipërisë ka pasur në 2021 rreth 9,7 % më shumë se në 2013?!. Kjo duhet hetuar dhe analizuar më qetësi e në thellësi nga partitë opozitare; për të përcaktuar shkaqet konkrete, disa prej të cilave mund të ishin: i) ose vetëm ‘marifetet’ e qeverisë; ii) ose vetëm puna e pamjaftueshme ose besimi i ulët i votuesve tek drejtuesit apo kandidatët e partive opozitare; ose iii) të dyja bashkë.

6. Së treti, ekziston perceptimi (që duhet hetuar dhe provuar) se shumë votues që janë prezentë në Shqipëri janë penguar të marrin pjesë në zgjedhje, duke ju marrë kartën e identitetit në shkëmbim të një shumë parash apo premtimesh të ndryshme (kjo mund të quhet blerje e votës apo e ‘abstenimit’), të tilla si dhënia/rritja e pensionit apo asistencës sociale, oferta të kundraligjshme për vende pune, e tjerë...apo edhe kërcënimesh nga të ‘fortët’...

7. Së katërti nuk është më sekret një ‘marifet’ tjetër i qeverisë për të ulur pjesëmarrjen në zgjedhje: dy javë para zgjedhjeve, shumë zgjedhës që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë në vendet fqinje, por jo vetëm, por që dëshironin eventualisht të merrnin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, siç kishin marrë pjesë në të gjithë vitet e fundit, u penguan në mënyrë të qëllimshme nga qeveria të merrnin pjesë në zgjedhje (partitë opozitare përmes grumbullimit të fakteve dhe provave duhet të saktësojnë përmasën e këtij ‘marifeti/manipulimi’).

8. Së pesti, pavarësisht ‘akuzave’ false të qeverisë kundër opozitës apo ‘manovrave’ të saj tinëzare për tu hequr ‘dashamirëse’ me emigrantët, është fakt ‘kokëfortë’ që qeveria apo shumica parlamentare ( e cila së bashku me ‘matrapazët antiopozitarë në kuvend mund të miratonin votimin e emigrantëve) ‘ edhe në këto zgjedhje nuk pranoi të mundësojë ‘votimin’ e emigrantëve në vendet ku ata jetojnë dhe/ose punojnë. Edhe ky është një ‘marifet’ tjetër që ka ndikuar në uljen e pjesëmarrjes në votime.

9. Së gjashti, përveç ‘marifeteve’ të qeverisë për rritjen artificiale të shifrave të pandemisë duke i frikësuar zgjedhësit të votojnë nga gjoja niveli i lartë i infektimit me COVID, mund të jenë aplikuar edhe ‘marifete’ të tjera për të ulur pjesëmarrjen. Prandaj, partitë opozitare duhet të hetojnë dhe analizojnë me prova e fakte i) prezencën e këtyre ‘marifeteve’ nga nivel qarku deri në cdo QV; ii) duke bërë edhe një vlerësim mbi ndikimin e tyre në pjesëmarrjen në votime. Po ashtu është shumë e rëndësishme që partitë opozitare, duke vlerësuar përmasën e uljes së pjesëmarrjes në votime në çdo qark, të ‘llogarisin’ se çfarë ndikimi konkret (në numër mandatesh) kanë pasur këto ‘marifete’ të uljes së pjesëmarrjes në votime, në ‘grabitjen’ e mandateve të opozitës nga qeveria...

10. Së fundmi, nga këto të dhëna mund të nxirren disa përfundime, ‘mësime’ dhe detyra për veprimet e opozitës, për të tashmen por kryesisht për të ardhmen. Opozita, në ditët, javët e muajt në vijim duhet të mendojë, programojë dhe të gjejë mënyrat për të mbyllur të gjithë shtigjet ligjore që kanë favorizuar ‘marifetet’ për uljen e pjesëmarrjes në votim, duke cuar ndërkohë para gjykatës provat/faktet e rasteve të ‘marifeteve’ të kundraligjshme. Duke bërë ndërkohë publike sasinë e ‘mandateve’ të grabitura’ nga aplikimi i këtyre ‘marifeteve’ për uljen e pjesëmarrjes në votim...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

muti bajga15/06/2021 03:55

miremengjes inteligjenca shqiptare ha ha ha shqiptar dhe inteligjent nuk shkon

Shto koment

Denonco