'Pse qeveria nuk i humbi zgjedhjet' - në vend të 'pse nuk i fitoi opozita'

'Pse qeveria nuk i humbi zgjedhjet' - në vend të 'pse nuk i fitoi opozita'

Nga Belina Budini - 17/05/2021

Thënia e njohur sipas të cilës “zgjedhjet nuk i fiton opozita, i humb qeveria” është konfirmuar shpesh në kontekste të ndryshme elektorale.

Tri javë pas zhvillimit të zgjedhjeve, kur kartat janë të hapura, ajo që mund të lexohet qartë është rikonfirmimi i shprehjes së mësipërme.

Qeveria nuk i ka humbur zgjedhjet përsëri dhe pavarësisht të gjithave!

Ndërsa të gjitha debatet pas-elektorale u orientuan tek pyetja se pse opozita nuk fitoi, pakkush është përqendruar tek pyetja parësore se pse qeveria nuk i humbi ato.

Tek e fundit, dihet që problemi mbetet gjithnjë qeveria, nëse pretendojmë se jemi të orientuar kah demokracia dhe jo kah regjimi.

Nisur nga kjo premisë, në qendër të analizës dhe të reflektimit duhet të vijë qeveria dhe arsyet pse ajo nuk i humbi zgjedhjet, jo e anasjellta. Kjo është çështja më me interes për opinionin publik, pasi na përket të gjithëve dhe jo një pale.

Ndaj kjo temë vlen të jetë në axhendën e mediave shumë më tepër sesa tema e opozitës, të cilës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të rifutet në lojën sfiduese të pritjes përballë një qeverie që vijon të mos i humbasë zgjedhjet në të gjitha mënyrat.

“Si nuk i ka humbur qeveria zgjedhjet” është madje një pistë kërkimi më tërheqëse në pikëpamje gazetareske, investigative, por edhe sa i përket analizës dhe opinionit.

Aq më tepër kur bëhet fjalë për një qeveri me rekorde jo-demokratike në rritje.

Cilat ishin pra mekanizmat që penguan humbjen e këtyre zgjedhjeve nga një qeveri e tillë?

Kërkimi dhe hetimi rreth tyre mund të kërkojë kohë dhe resurse, por të paktën disa syresh janë tanimë mjaft evidente. Identifikimi i këtyre faktorëve është i domosdoshëm, përpara se të flasim për reformim të partive opozitare, që sigurisht mirë është të ndodhë vazhdimisht, për të qenë gjithnjë e më elektorale dhe konkurruese, në funksion të demokratizimit.

Por a është reformimi i opozitës garanci për rrotacionin demokratik?

Vështirë të besohet në kontekstin e një qeverie si ajo që pamë në këto zgjedhje. Madje një kërkesë e tillë është si ta shtrosh problemin së prapthi.

Opozita nuk fitoi sepse nuk humbi qeveria dhe jo e anasjellta.

Ndaj, prej këtej duhet të nisë diskutimi. Në vend të tij, në media ka zënë vend një lloj ligjërimi triumfalist qeveritar, madje edhe në spektrin e analizës dhe të komentit, a thua se bashkë me qeverinë kanë fituar edhe analistët apo opinionistët pro-qeveritarë.

Numerikisht, votat negative ndaj qeverisë i tejkalonin ato pozitive ndaj saj, në totalin e tyre.

Megjithatë, në saje të përvetësimit të rregullave të lojës në mënyrë që t’i shërbenin plotësisht formulës garuese të partisë në pushtet, qeveria arriti të parandalojë humbjen e këtyre zgjedhjeve.

Ky mekanizëm elektoral që i dha qeverisë një avantazh të lartë në tavolinë, në formën e një kodi zgjedhor të miratuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensusin e opozitës, prodhoi automatikisht 11 mandate më shumë për qeverinë me vetëm rreth 38 mijë vota diferencë ndaj opozitës.

U takon juristëve, ekspertëve të kodit elektoral dhe të shkencave politike që të shprehen në lidhje me shkallën e deformimit të vullnetit popullor, shndërruar në mandate të pamerituara, që buruan prej përdorimit të këtij mekanizmi.

Por është e arsyeshme të pyetet gjithashtu: Çfarë lloj përmase duhej të kishte fitorja e opozitës për të mundur një mekanizëm të tillë?

A është legjitim avantazhi i krijuar me anë të këtij mekanizmi aq sa për ta përligjur opozitën si humbëse dhe qeverinë si fituese?

Nga ana tjetër, fushata elektorale e orkestruar me maksimumin e energjive dhe mjeshtërisë nga ana e qeverisë shfaqet në retrospektivë si alibia e përsosur e këtyre zgjedhjeve.

Dihet që fushatat përdoren edhe në regjimet autokratike, për të treguar forcë dhe për të testuar ujrat opozitare.

Mirëpo, narrativa qeveritare e Ramës përveçse denigronte kundërshtarët me një gjuhë shtypëse, përçmuese dhe frikë-ndjellëse përkundrejt tyre, shërbente gjithashtu për të mbuluar përdorimin prej specialistëve të tij të mekanizmave elektorale jashtë-institucionalë dhe në mjaft raste edhe në shkelje ligjore.

Mjaft të kujtojmë këtu sa për shembull përdorimin e jashtë-ligjshëm të të dhënave personale të pamiratuar nga qytetarët, për markim elektoral nga ana e Partisë Socialiste, ose shpërndarjen e parave shtetërore në kundërshtim me ligjin pikërisht në kulmin e fushatës elektorale, përpos dhjetëra denoncimeve për shkelje të tjera sistematike.

Duke groposur anomali të tilla përmes përdorimit të mjeteve të vjetra shtetërore por edhe të PR-it të ri e modern, është e qartë se kjo qeveri ka punuar për shmangien e humbjes së këtyre zgjedhjeve me çdo kusht, mjet dhe mënyrë, përpara se të mbërrinte dita e zgjedhjeve.

Por a e bën zgjedhja e kësaj rruge të akaparuar qeverinë fituese morale të këtyre zgjedhjeve, aq sa problemet t’ia kërkojmë opozitës dhe jo qeverisë?

Sado ironike të duket, shpesh zgjedhjet shërbejnë për t’u zgjatur jetën regjimeve të cilat mandej e përdorin “mandatin popullor” për të rinovuar narrativën e tyre të pushtetit. Madje edhe në sytë e aktorëve ndërkombëtarë!

Edhe pse mund të tingëllojë komike për një kryeministër që del nga zgjedhje problematike të shprehet se “populli më do, prandaj i fitova zgjedhjet”, kjo bëhet narrativa e re e regjimit.

Në zgjedhje të tilla koordinimi i burimeve njerëzore, individëve dhe grupeve të pushtetit, arrin shkallën më të lartë.

Megjithatë, zgjedhjet janë gjithashtu një mundësi për aktorët opozitarë që të nxjerrin në pah vulnerabilitetin e regjimit duke ekspozuar mekanizmat elektoralë që ka përdorur partia në pushtet për të projektuar mbështetjen popullore që i nevojitet.

Zgjedhjet mund të shfaqen kësisoj edhe si momenti më vulnerabël për qeverinë, megjithëse nuk i ka humbur ato.

Megjithëse analiza e këtyre zgjedhjeve duhej të kishte filluar nga pyetja “përse nuk i humbi zgjedhjet qeveria” në vend të asaj se “pse nuk i fitoi ato opozita”, kjo nuk do të thotë që partitë opozitare nuk kanë përgjegjësitë e tyre për faktin se nuk e realizuan rrotacionin e shëndetshëm demokratik pavarësisht të gjitha pengesave.

Të gjitha bashkë ato duhej dhe mund të kishin qenë më konkurruese përkundrejt një qeverie që sidoqoftë ishte konsumuar në pushtet prej dy mandatesh dhe një lideri politik edhe më jetëgjatë në pushtet personal sesa vetë Partia Socialiste që ai udhëhoqi në zgjedhje.

Opozita gjysmë e bashkuar nuk e ngriti dot “cunamin” e votave negative ndaj një qeverie prej të cilës kjo që ndodhi pritej.

Nuk e markoi territorin mjaftueshëm për t’iu përgjigjur makinacioneve elektorale të partisë-shtet.

Fundja në garën me aparatin qendror dhe lokal të gjithin në duart e PS dhe me një administratë shtetërore më të fryrën në historinë e post-komunizmit, të përfshirë gjerësisht në fushatë, dihej që do ta kishte të vështirë të fitonte.

Çfarë rruge lipsej të ndiqte opozita përballë një qeverie të gatshme për gjithçka në funksion të ruajtjes së pushtetit përtej narrativës së qytetarisë të Lulzim Bashës dhe asaj agresive të Ilir Metës?

Përpara një mandati të tretë qeverisës me Edi Ramën, opozitës do t’i duhet të ndahet një herë e mirë nga iluzioni i fitores pa krijuar parakushtin e humbjes potencialisht të kundërshtarit.

Tek e fundit, edhe këto zgjedhje si shumë të tjera na e provuan të vërtetë aksiomën e vjetër politike sipas të cilës është qeveria ajo që i humb ose jo zgjedhjet dhe jo opozita ajo që i fiton ose jo ato.

Një fitore realiste e opozitës vjen vetëm përmes humbjes potenciale të qeverisë, ndaj kësaj vështirësie duhet t’i përgjigjen ende partitë opozitare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari18/05/2021 18:07

Mos u merrni kot me detajet dhe labirinthet teknike, sepse armiku i betuar i PD, Rusmajli (ish-ministri i Drejtesise dhe zv/Kryeministri i qeverise Berisha. Fajin vertete qe e ka Saliu), KAS dhe SPAK jane vegla te bindura te Regjimit te Satrapit te Surrelit! KAS nuk po zbaton ligjin, por po shfrytezon shumicen ne marrjen e vendimeve te tij kunder PD dhe LSI.
PD dhe e gjithe Opozita e Bashkuar nuk duhet t'i njohe keto zgjedhje, edhe sikur AN dhe LSI se bashku te arrijne 71 mandate, me procese gjyqesore deri edhe ne Strasburg. Mosnjohje e zgjedhjeve do te thote MOSPRANIM I MANDATEVE dhe MOS-HYRJE NE PARLAMENT. MOSNJOHJE e ketyre Zgjedhjeve do te thote qe nuk u arriten standartet demokratike nderkombetare dhe evropiane, qe ishte edhe pika kryesore e kushteve te hapjes se negociatave per antaresim, sic kerkohet edhe nga BE. Opozita e Bashkuar duhet te kerkoje perseritjen e zgjedhjeve brenda nentorit me qeveri teknike. Ky vendim te merret nga KK i PD dhe Opozita e Bashkuar menjehere pas zgjedhjeve te reja ne PD. Masakra zgjedhore eshte e faktuar perpara te gjithe shqiptareve dhe te gjithe institucioneve nderkombetare dhe atyre te BE dhe OSBE/ODIHR vetem me 4 faktet me flagrante te provuara edhe me VKM.
1) Prishja e marreveshjes se 5 qershorit dhe ndryshimi fletes se votimit perpara fytyrave te znj. Kim, BE dhe OSBE.
2) Shperndarja e 125 milione eurove ne 11 bashki 3 dite perpara zgjedhjeve.
3) Dhenia e 6315 lejeve te legalizimeve gjate afatit te ndaluar me ligj.
4) Punesimi i 13 mije punonjesve vetem ne administratat qendrore, pa llogaritur ato lokale.
Te gjitha keto sollen 150 mije vota me teper per PS, pa llogaritur fare 85 mije votat e pavlefshme apo 13 mije qe iu blene kartat ID e nuk votuan. Nese pranohen keto zgjedhje, nese pranohet e nuk ndeshkohet rende kjo masaker zgjedhore, me skandalozja ne boten demokratike, atehere regjimi diktatorial i satrapit te Surrelin nuk bie kurre me zgjedhje. Vendimi per mosnjohjen e zgjedhjeve dhe mospranimin e mandateve duhet te merret duke firmosur dhe duke u betuar burrerisht te gjithe kandidatet ne listat e kandidateve dhe te mos ndodh si me plehrat qe mbeten ne kete mender Parlament dhe u bene sherbetore dhe ushtrare te bindur te Rames.
Kjo eshte e vetmja rruge nese PD duhet te ekzistoje dhe te forcohet me teper!

tirana18/05/2021 17:58

Nje material amalgam pa koke dhe pa fund , i cili mundohet te " shpjegoje " arsyet pse nuk humbi qeveria sipas " aksiomes " ne fjale dhe ne fund e kthen titullin e shkrimit ne " zgjedhjet i humbi opozita " ....????!!!!

ReBo18/05/2021 15:52

Une nuk flas per ER, pasi ai stan ate bulmet prodhon. Ai prape pas 4 vitesh do te vjedhe. Mua me intereson fitorja e opozites, jo humbja e qeverise. Vetem ketu kam shprese, apo shpresoj te kem shprese. Edi Rama nuk ndryshon dhe pike. Duhet te ndryshoje opozita. Pse e them kete. Sepse me sa duket akoma PD eshte nen ndikimin e Berishes. Ndryshe nuk ka psa PD te prese qe Basha te behet me domosdo kryeminister, qofte edhe ne moshe te thyer( te themi rreth te 70-tave). Eshte e habiteshme se di ndodh me Berishen! Ne vend qe te ishte babai i PD, ai po sillet si mamaja e saj. Nje baba ka ne baze te sjelljes te ashtuquajturin gjestin e Hektorit. Hektori e mban me duar lart djalin, duke e lartesuar ate me nje gjest qe supozon dhe shpreson qe djali te ngjitet lart, me lart se babai. Perkundrazi, nena, e mban femijen te shtrenguar ne gji, a thua se nuk e pranon rritjen dhe shkeputjen e femijes se vet. Ka ardhur koha qe Berisha t'i lejoje te jetojne jeten e tyre krijesave te veta, qofshin bioligjike, qofshin politike. Ndryshe te na thote qe eshte mama dhe jo baba.

MANI,USA.18/05/2021 07:38

PSE HUMBI OPOZITA DHE PËR KATËR HERË! SEPSE SHKRUMBI HORRORZITA O GJËR
KËTE VATËR VRERË,PRERË!! NËSE MË MASHTRON HERËN E PARË,OR HERËN E DYTË
MUND TA FALI;PSE NUK TË NJOHA MIRË; PORSE, HORRSE; NËSE MË MASHTRON OUH
MË TRADHTON,PËR HERËN E TRETË,SI DHE PËR HERËN E KATËR; AUH, DUHEJ ME TA
FALË,PA U NDALË; FAJI ËSHTË TEK VETËVETJA;PSE? PORSI GJARPËRI TEK KRYMBEJ
NGA KOKA; OSE, VETË KOKA ËSHTË TRADHTUAR,DHE MASHTRUAR,PRANDAJ O KJO FITORE E TRETË POZITA- QEVERIA; NUK FITOJË OPOZITA! ËH, NEVERIA; ATËHERË OR
DIKUSH ËSHTË DUKE U TALLË, APO SHI KUSH,SIKUR TË ISHTE BUDALLË! EDHE, DUKE
LUAJTUR, SHUAJTUR,ME FATIN,TË NGRATIN E TERË POPULLKOMBIT SHQIPTARË AUH,
MBRËNDA DHE JASHTË KUFIRIT; MË E RËNDA NGRE VRAZHDË ZU HIRIT; NGUSHTOJË,
KUSHTOJË,DUKE SHKELUR DHE NGELUR,BRAKTISJEN, PRAGKRISJEN, KËSAJ TROHË
MOHE SHQIPËRIE LONDINEZË-SHTIPEGRIE HORDHIBREZË;AH,KOSOVË T'AHTISARIT,
HORRPROVE ATI VARRIT!- KUKU PËR NE; STRUKU NËN DHE; PËRSËGJALLI NA KALLI!"
MANI,USA.

Shqiptari17/05/2021 18:49

Analize e shkelqyer,e prekeshme,realiste e,kuptueshme per te gjithe lexuesit e ketij portali,urime autores se shkrimit qe me penen e saj ka ditur vertet te vendosi pikat mbi i .Dhe jo si disa te ashtuquajtur analist qe sjane kurre te tille po sahan lepires te pushtetit te radhes ,medja dhe shtypi Shqiptar e ka te domozdoshme sherbimin e shkrimeve te tlla realiste.

Kasemi17/05/2021 16:20

Eshte shume e vertete, qe qeveria me sakte regjimi, i beri te gjitha ato qe shkruhen ne artikull.
Por keto te verteta te gjitha pa perjashtim nuk kane ndodhur ne daten 25 prill apo 26 prill, dite qe u votua dhe u numerua nga numeruesit pa asnje kundershtim.
Driteshkurtesia e opozites ia mundesoi te gjitha ato qe numerohen.
Ishte kjo opozite qe braktisi luften per ndarjen administrative.
Ishte kjo opozite qe ia la parlamentin me ca kukulla psh Rudina Hajdari, qe askush nuk e di se cfare merite kishte qe hyri ne parlament. Ne nuk e dime qe pd ka ndonje nen ne statut qe ndokush mund te trashegoje kete apo ate te drejte.
Kur la mandatet opozita u sterbetua qe nuk ben zgjedhje me kryeminister Edi Ramen, perseri drtishkurtesia e opozites ia dha mundesine Rames te beje si te doje ligjin e zgjedhjeve.
Opozita u sterbetua se nuk do lejonte te beheshin zgjedhje lokale, ia dha 100% Rames.
Eshte afer cdo mendje qe Rama nuk ka asnje lidhje me demokracine.
Por gjithashtu dhe kjo opozite i ngjan fiks ne kete drejtim, ne k ete pd qe lindi per fjalen e lire, pikerisht askush nuk degjohet, fjala eshte gjeja me pavlere. Aty vendos kryetari i katapultuar pa qene asnje dite antar i pd, u be minister ...etj.
Kuzhdo qe lufton sot duke thene qe Rama beri kete dhe ate, ta dije se ai me shume do beje, prandaj ben lojen e Rames.
Problemi eshte si mund te jete ndryshe opozita nga ky Rame, pra te jete vertet demokratike, te kete vlere antari, simpatizanti, vetem keshtu do zmadhohet, vetem kjo e veterte mund te turbulloje e friksoje regjimin .
Te luftoje dhemb per dhemb me regjimin per cdo ligj, Vkm, ne te mire e ne te drejte te qytetarve, e mos te braktise ne asnje moment betejat per te cilat ajo ekziston.

Shto koment

Denonco