Votuam apo zgjodhëm?

Votuam apo zgjodhëm?

Nga Ndriçim Mehmeti - 30/04/2021

 Kjo është një pyetje, dilemë, pandehmë, hipotezë, në varësi të këndvështrimit që e sheh.

Ka shumë njerëz, që nuk u bën ndonjë përshtypje, madje në sinqeritetin, padijen dhe mosnjohjen e ndryshimit mes votimit dhe zgjedhjes, thonë: “Ku është ndryshimi mes votimit dhe zgjedhjes?!”

 Pas 30 e kusur vitesh, unë së paku prisja që njerëzit të zgjidhnin dhe jo të votonin.

Përse mendoj se në një shumicë të dukshme, në mendimin tim modest, njerëzit votuan por nuk zgjodhën?

Sepse ne jetojmë në Shqipëri dhe do të ishim të pasinqertë, të pandershëm, thellësisht hipokritë që të thoshim se ne zgjodhëm e jo votuam.

Por më shumë se fjalët le t’i referohemi fakteve.

Në pak ditë, në Shqipëri ndodhën çudira.

U legalizuan me dhjetëra e qindra shtëpi, pavarësisht se “kalorësi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”- Lame, na tha se bëhej fjalë për biseda të vitit 2017.

E ndoshta nuk është faji i të ngratit Lame.

Me legalizimet ç’është e vërteta u morën vetë ministrat, derë më derë: Balluku, Ahmetaj, Denaj, Manastirliu e shumë të tjerë, sipas zonave u ishin caktuar.

Për “nevoja emergjente”, administrata lokale dhe ajo qendrore u mbush dingas me 90 mijë punonjës më shumë.

Me një shumëzim të thjeshtë me 2, 180 mijë vetë u lumturuan brenda pak ditësh, e ndërsa kishin vite që prisnin majë divanit a duke gjerbur një kafe qyl apo me listë në klubin e lagjes.

Të gjithë këta duhet të shlyenin borxhin duke votuar bamirësin e madh: Hyqymetin.

Pale fermerët.

Kishin aplikuar për karburant që në gusht të vitin 2020 e ndoshta dhe më herët, po aha, gjë nuk dukej në horizont.

Befas në datë 24 prill ora 24.00, zogu i trokiti tek dritarja dhe iu dha haberin: “Nesër ende pa u gdhirë, çoniu, lahuni, rruhuni, hidhni livando në gjithë trupin e vrap tek zyrat e komunës për naftë falas për të tërë, nga 30 deri në 300 qillo për kokë sipas nevojës. Traktor e zetor nuk keni, ama Benz-in e nipit a të kushëririt e mbani me bukë për nja dy muaj rresht”.

U paguan e u lanë listat e dyqaneve.

Dyqanxhinjtë po aq hallexhinj sa ata që u kishin shkruar emrat me borxhet e pafundme, u ngazëllyen dhe shpallën një ditë festë familjare, për të falënderuar Hyqymetin, që u kujdes e vuri dorën në zemër nga data 18-25 prill 2021.

Madje në muajin prill, si asnjëherë tjetër ndryshuan gjëra që vetë I Plotfuqishmi nuk i ka menduar.

Iftari për besimtaret myslimanë, sipas Hyqymetit, duhej shtruar dy herë: njëherë kur e kishte vaktin me të drejtën dhe zakonin fetar e njëherë pas orës 12.00 të natës me urdhër qeveritar.

Makinat e gjetura plot me ushqime, patën justifikim iftarin në mes të natës dhe madje na prekën shumë kur shpërndarësit e “kësaj mirësie, u ndien të fyer në dinjitetin e tyre fetar”.

Po shërbimi i natës për plakat e pleqtë?

Hyqymeti vendosi njëzëri, që shpërndarja e pensionit do të rriste shumë moralin dhe do të ishte mirë në shëndetin e pensionistëve, sikur të bëhej nga ora 23.45 e natës deri në 4.50 të mëngjesit.

Në ditët madje muajin e fundit, Policia Bashkiake sidomos këtu në Tiranë , ishte fshehur e nuk dukej gjëkundi.

Ta lije makinën si të doje, ku të doje e kur të doje, nuk e gjeje më fletën e gjobës në xham.

Përkundrazi, me plot finesë të vinin fletën plot shkëlqim “Votoni nr.12”.

Kreu i qeverisë si në çdo vend demokratik, nuk na bëri asnjë bilanc. Shau, u tall, diskriminoi, ofendoi këdo, pa asnjë dallim. Premtoi gjëra që vetëm ai i kupton, me bindjen e thellë se njerëzia nuk do të zgjidhnin, por do të votonim.

Ne votuam pasi edhe ata që mburren si analistë apo ekspertë të komunikimit na thanë “do t’ia jepja votën numrit dy të x partie, edhe pse nuk e njoh fare.”

A e kishim mundësinë të zgjidhnim dhe përse nuk u shfrytëzua si e tillë? Padyshim që mendoj se po.

Kishte parti me programe, me plane pune, me premtime pse jo, që mund dhe duhet të kishim peshuar, nëse ia vlenin ose jo.

Mundet që dikush të thotë: “I bën qejfin vetes. Nuk kishte programe dhe as premtime të qenësishme dhe prandaj votuam e nuk zgjodhëm”.

Por nëse jemi kaq të mprehtë në gjykim, nëse nuk do të kishte programe të partive opozitare, atëherë elektorati i këtij kalibri do të kishte dy rrugë të njohura dhe aspak të shpikura sot: Bojkoton ditën e ashtuquajtur të zgjedhjeve ose i jepte fuqi partive të panjohura e që mund të ngjallnin entuziazëm.

Në fakt nuk ndodhi as njëra e as tjetra.

Pra, ne nuk zgjodhëm.

Thjesht votuam njeriun që mori timonin i vetëm, i ankohej vetes, bënte opozitë me veten, nuk përfillte asnjë kundërshtar, mori gjithçka që mund të ketë në një vend prej pushteteve e deri tek paratë nga xhepat tanë.

Ne nuk zgjodhëm jo se nuk kishim alternativë, por se na pëlqeu më së shumti të votonim, ndoshta edhe për faktin se pas kaq vitesh në mënyrë paradoksale, por që ia vlen të studiohet, u velëm deri në alivani prej lirisë, na humbi dëshira për ndryshim, për më shumë llogaridhënie, për protestë kundër paudhësive, hajdutllëkut, kriminalitetit në rritje, dhunës ndaj fëmijëve dhe grave.

Pra, programi nuk vlejti asnjë grosh, ndonëse u shpalos më shumë se njëherë me idenë dhe besimin e plotë që njerëzit do të gjenin veten aty, por përsëri, ne votuam dhe nuk zgjodhëm.

Mos e ka fajin vetëm populli apo ne jemi të pakuptueshëm për të?

Nuk mund të them asnjërën e as tjetrën.

Ama dy gjëra i di mirë: Na duhet shumë shpejt, reflektim dhe analizë, e cila kërkon kohën e vet.

E që të jem i drejtë me vetën e publikun, ka shumë nevojë për një analizë të thellë, jo thjesht me thirrjet për dorëheqje;

të flasim hapur për arsyet e përse erdhëm deri këtu;

t’i lemë mënjanë, evropianët e të tjerë se ata kanë kusuret e ta dhe të vëmë gishtin mbi plagë për ta shëruar dhe jo ta mbulojmë e të mahiset; të shohim njëri-tjetrin në sy e të vëmë pikat mbi i e pastaj kollaj ajo punë se kush do të jetë në karrigen e kryetarit të opozitës.

Por, më duhet të them pa asnjë mëdyshje dhe hezitim, se është koha e madje dhe është tejkaluar, që të diskutojmë së pari si shoqëri, pa asnjë kompleks se më kë jemi apo si do të na etiketojnë: Në 25 prill 2021, votuam apo zgjodhëm?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

cuf dabjoni30/04/2021 13:26

Zgjodhët të zgjedhurit e Kryetarit.... e votat i ngatërroj e i bleu kush mundi

Shto koment

Denonco