Në 25 prill të mendojmë për të ardhmen, pa harruar të kaluarën

Në 25 prill të mendojmë për të ardhmen, pa harruar të kaluarën

Nga Ndriçim Mehmeti - 22/04/2021

Është një thënie e njohur, jo vetëm tek ne, por kudo në vendet demokratike, tek popujt që kërkojnë një jetë më të mirë, të ardhme më të sigurt, ndryshim thelbësor për ta, se këtë mundësi për të ndryshuar ta japin zgjedhjet. Dhe ne në 25 prill, kemi pikërisht në dorën tonë, gjithkush, kudo që ndodhet, të mendojmë për të ardhmen, që kur marrim fletën, kur e plotësojmë, e hedhim në kuti e derisa të dali rezultati.

Ne në 25 prill votojmë të ardhmen, por pa harruar atë, që kaluam deri në rastin kur do të zgjedhim.

Ne kemi shansin e madh të vendosim në duart tona të ardhmen me një prej mënyrave më demokratike të deri më tanishme: Zgjedhjeve përmes votës së fshehtë. Sigurisht që ky është detyrimi që i kemi vetes, por edhe prindërve dhe të parëve tanë, që nuk arritën ta kishin kurrë këtë mundësi, ose e shijuan shumë pak. Prandaj më 25 prill vështrojmë nga e ardhmja duke kthyer kokën pas. Është koha të reflektojmë thellë për shumë gjëra që kemi kaluar apo dëgjuar gjithsecili në jetët tona.

Mbase në 1990, nuk e mendonin se në 2021, do të riktheheshin për të qeverisur, përsëri mbiemrat e ‘harruar’ të Byrosë Politike, Komitetit Qendror apo Presidiumit të Kuvendit Popullor të diktaturës: Rama, Ruçi, Gegprifti, Balluku, Bushati, etj.

Ne nuk kishim si ta mendonim apo përfytyronim se Enveri do të lartësohej më shumë se edhe në vitet kur ai praktikisht vegjetonte e jo udhëhiqte. Si mund ta mendonim se djali i njeriut që firmosi të varej poeti Havzi Nela, do të ndihej krenar për veprimin e babait? Nuk e përfytyronim veten, se mund të iknim më shumë shqiptarë, vëllezër, motra, kushërinj, fëmijët tanë, (për të cilët besonim se Shqipëria do të bëhej shumë herë më e mirë se ajo që kishim jetuar ne) do të merrnin arratinë, Madje këtë të fundit, ikën pa na folur, nuk pranonim t’i përcillnim, e ndonjëri prej tyre me zemër të thyer por me kurajë lavdëruese, na drejtoi gishtin duke na bërë fajtor ne, prindërit, që duronim e durojmë ende diktatin, gënjeshtrën, paturpësinë, vjedhjen, korrupsionin, pafytyrësinë, imoralitetin,respektin ndaj horrave, që e kemi vënë si vlerë të shoqërisë.

Duruam dokrrat për shëndetësinë falas, gënjeshtrat e mashtrimet për mijëra vende pune, ujë të pijshëm 24 orë, e madje po të na kishte thënë Komandanti i Legjionit të Nderit, se në çezma do të rridhte qumësht çdo mëngjes, e birrë e verë në darkë, rrezik do ta kishim besuar.

Na gënjeu mendja se një mësues vizatimi i fillores dhe një zyshe e mbetur një vit në matematikë, do të na sillnin ndryshimin në arsim. U magjepsëm nga bollëku i Ballukut dhe sharmi i shoqes Spiropali dhe ëndërruam me sy hapur deri sa na ra glasa e zogut dhe atëherë e kuptuam se nuk ishim në qiellin e shtatë, por në fakt po thitheshim nga gropa ku na yshtën, diku me qejf e diku me hu.

Buzëqeshjen pa doganë të Pandit e mishëruam si në romanet franceze me mjerimin, na dukej Braçe 20 cm më shumë kur fliste në podiumin e bërë enkas për të dhe rripat e të fortëve që vringëllinin në korridoret e parlamentit na dukeshin si qimet e luleve që frynim kur ishim të vegjël që të ikte pushi në qiell e ne të gjenim një copëz lumturi.

Po tani që besoj e shpresoj shumë se jemi zgjuar e nuk na e hedh kush, si e duam të ardhmen?

Duam arsimin që kanë vendet fqinje, me shkolla të ngrohta, me korridore që shkëlqejnë nga pastërtia, me më shumë hapësira, me ushqim, me lojëra, me dëshirën e madhe për të rritur fëmijë të mirë e të ditur. Kërkojmë mësues më të paguar, të motivuar, të qeshur, e të dashur. Nxënësit të jenë miq të mirë, të rrinë larg drogës, alkoolit, grindjeve, fyerjeve sharjeve pa asnjë kuptim. I duam të qeshur, të shëndetshëm pa lot, se nuk blejnë dot librat, që ndërpresin shkollën se nuk paguajnë transportin, e braktisin dijen nga varfëria në familje.

Shikojmë me bindje të ardhmen e një universiteti për studentët e të gjithë njerëzve të varfër e të pasur, të mundur nga na fizike ose jo. Të harrojmë orët e gjata pa ngrohje, me një llambushkë, pa ujë, pale më kompjuter e internet.

Bujqësi, turizëm, njerëz që ecin të sigurt, biznese, që nuk ngrihen e erren me frikën e gjobë vënies nga shteti, me familjarë që nuk presin të mbyllet tregu dhe të luten për pak perime të mbetura për të bërë një supë me kockat që duhet ti hante qeni.

Me sytë nga e ardhmja, do të ishim të qetë, nëse do të shihnim më pak njerëz që gërryejnë në kazanë dhe të falënderojnë edhe për një shishe plastike që ju ofron. Duam ti shikojmë në sy gjyshërit dhe të dallojmë sa më pak dhimbje, dëshpërim, lot e ngashërim, kur shohin nipërit që i kanë larg, kur i çojmë ndonjë ushqim, apo u marrim librezat e dritave dhe të ujit që ti paguajmë edhe për një muaj tjetër. Dëshiroj të çohem në mëngjes e të shkoj në punë, cilado qoftë puna që do të bëj, me bindjen e fortë se edhe në rast se zgjedhjet e tjera do të humbas partia që unë votoj, nuk do të më ngërdheshen tek dera e zyrës, sahanlëpirës, burra pervers, maniak seksual, tamahqar të pakufishëm të lekut, që shesin gjithçka përfshi edhe familjen e tyre të afërt, e të thonë: ‘Bëj gati gjërat e ik në shtëpi se partia jote humbi’.

Le të ndalemi një minutë, një moment në 25 prill, e para se të hedhim votën të mendojmë qoftë edhe ngushtësisht për fëmijët tanë e të besojmë se duke zgjedhur me mençuri për të ardhmen mes horrave, banditëve, të korruptuarve dhe atyre që kërkojnë të sjellin ndryshimin, do të ndodh ajo që presim çdo ditë.

Fëmijët që ikën zemër thyer pak vite më parë, të kthehen, të pranojnë faljen tonë dhe së bashku të nisim një tjetër rrugëtim atje ku e meritojmë, në gjirin e vendeve të zhvilluara. Ne jemi një popull, plot traditë, dëshirë, vitalitet e motivim për të arritur ëndrrën e të parëve që Shqipëria të jetë zonjë e përmbi zonjë siç e meriton dhe jo një lopë që shërben për të ngopur deri në nxjerrje nga hundët të pasurisë, makutërisë e harbutërisë, të një grupi që vështirë se meritojnë fjalën njeri.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

kilimanxharo22/04/2021 19:12

Di kushte thote si morem kete rruge dhe peerfunduam KETU?Shum u paskerkemi besuar Rrena-Politikes!

Shto koment

Denonco