Në 25 prill zgjedhja është mes autokracisë dhe demokracisë

Në 25 prill zgjedhja është mes autokracisë dhe demokracisë

Nga Nga Altin Gjeta - 12/04/2021

Në më pak se dy javë Shqipëria do të mbajë zgjedhjet e 10-ta të përgjithshme që nga rrëzimi i një prej regjimeve më staliniste pas Perdes së Hekurt. Gjatë viteve të para të tranzicionit vendi kaloi nëpër momente të vështira si pasojë e papjekurisë politike dhe mungesës së traditës demokratike.

Megjithatë, Shqipëria arriti të bënte përparime të prekshme në vitet 2000. Në 2006 qeveria shqiptare nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në dhe tre vjet më vonë vendi u bë anëtar me të drejta të plota në NATO. Progresi i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar u shpërblye nga Këshilli Europian në vitin 2010 me heqjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë në zonën Shengen.

Nga fundi i viteve 2000 kriza financiare botërore nxorri në pah dobësitë strukturore të ekonomisë së dobët parakapitaliste shqiptare, duke e çuar vendin afër recesionit ekonomik. Për më tepër, korrupsioni endemik në administratën publike, sistemin gjyqësor dhe të gjitha nivelet e qeveritare u bë dukuri e përhapur gjerësisht. Gjithashtu, goditja e lirisë së shprehjes, arroganca e qeverisëse dhe erozioni i shteti të së drejtës arriti nivele shqetësuese për të ardhmen demokratike të vendit.

Në këto rrethana, Edi Rama u zgjodh kryeministër i Shqipërisë me një fitore të thellë në zgjedhjet e vitit 2013-të pas tetë vitesh në opozitë. Ai erdhi në pushtet me premtimin për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, sigurimin e shërbimeve shëndetësore falas, krjimin e 300,000 vendeve të reja pune dhe përshpejtimin e integrimit europian të vendit.

Por, në vend që ta çonte vendin përpara, tetë vitet e tij në pushtet janë shënjuar nga dështime enorme dhe regres eksponencial për Shqipërinë në të gjitha drejtimet. 

Vetëm pak kohë pas ardhjes në pushtet, qeveria e socialiste filloi të shfaqë mungesë vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Individë me të kaluar kriminale u promovuan nga PS në Parlament dhe qeverisjen lokale.

Kjo bëri që Partia Demokratike në opozitë të propozojë dhe të miratojë me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë një ligj të paprecedentë në historinë e Parlamentit shqiptarë, i njohur si paketa e de-kriminalizimit, e cila synonte të shkarkonte nga zyrat e shtetit dhe postet politike zyrtarë të lartë apo politikanë me rekorde kriminale. Në vitin 2017 raporti i Departamentit të Shtetit mbi drogën dhe trafiqet ilegale e konsideronte Shqipërinë vend burimi për marjuanën, si dhe një rrugë tranziti për kokainën dhe heroinën e destinuar për në tregjet europiane.

Si për të konfirmuar këtë, në 2017-ën përgjimet e antimafias italiane çuan në ndjekje penale ish-ministrin e brendshëm të qeverisë Rama për trafik ndërkombëtarë droge, duke rrënuar kësisoj në mënyrë të pakthyeshme reputacionin e Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve.

Në këtë kontekst, nën presionin e skandaleve qeveritare, kryeministri Rama filloi ta transformonte demokracinë e dobët shqiptare në një regjim autoritar të njëshit, intolerant ndaj lirisë së shprehjes dhe shtypit. Kryeministri personalisht ka sulmuar, ofenduar dhe ngritur padi për shpifje ndaj gazetarëve. Në 2019 qeveria e tij propozoi një paketë ligjore antidemokratike në Parlament, me qëllim shtypjen e zërave kritik në hapësirën mediatike.

Vetëm para pak javësh qeveria shqiptare u dënua me 110 milion euro në arbitrazh pasi Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve e cilësoi mbylljen e televizionit Agon Chanel të investitorit italian Francesco Becchetti si të motivuar politikisht.

Qeveria Rama ka humbur totalisht betejën (nëse ka patur ndonjëherë një të tillë) kundër korrupsionit. Raporti i fundit i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Transparency International e cilëson Shqipërinë si shtet të kapur, ku Parlamenti miraton ligje të porositura nga interesa private në kurriz të interest publik.

Rrëshqitja e Shqipërisë në autoritarizëm ilustrohet edhe më qartë nga dështimi i vendit për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kur Rama erdhi në pushtet në 2013 u zotua se do të rivendoste demokracinë dhe rikthente besimin e publikut tek zgjedhjet. Përkundrazi, gjatë qeverisje së tij zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë minuar me përdorimin efikas të kutisë së veglave të diktatorit, analizuar nga studiuesit e zgjedhjeve Cheeseman dhe Klass në librin ‘Si Manipulohen Zgjedhjet’.

Përgjimet e publikuara nga tabloidi gjerman BILD nxorën në pah skema perfekte të blerjes së votës dhe intimidimit të votuesve nga deputetë dhe ministra socialist. 

Rrënimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë ka çuar në bllokimin procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Pas tetë vitesh në pushtet, qeveria Rama ka arritur të hapë vetëm formalisht negociatat me BE-në. Në mars 2020 Këshilli Europian, me një akt sui-generis vendosi të mos ulet në konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë pa përmbushur një sërë kushtesh në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar si dhe zbatimin e rekomandimet të OSBE-ODHIR në kuadër të reformës zgjedhore.

Për shkak të performancës së dobët e ekonomike, papunësisë së lartë, veçanërisht tek të rinjtë dhe pagat e ulta, Shqipëria ka vuajtur nga shpopullimi masiv gjatë viteve të fundit. Sipas Eurosat, mijëra të rinj shqiptarë janë larguar nga vendi në drejtim të shteteve antare të BE-së në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Nën qeverisjen e Ramës Shqipëria u rendit mes vendeve kryesore të origjinës për azilkërkues në hapësirën e BE-së.

Kundër rrëshqitjes së mëtejshme të vendit në një spirale të tillë po garon Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha në një koalicion të gjerë me partitë e vogla të opozitës dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në manifestin e saj elektoral PD angazhohet të rimëkëmbë ekonominë, reformojë sistemin shëndetësor dhe arsimor, rivendosë balancat kushtetuese, ashpërsojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të përshpejtojë procesin e integrimit të Shqipërisë.

Megjithatë, në optikën time lidershipi i zotit Basha përballet me tre sfida të mëdha përpara. Së pari, fitimin e zgjedhjeve, çka do të duket asgjë krahasuar me dy sfida të tjera që e presin pas 25 prillit: modernizimin e partisë dhe shkëputjen e saj nga garda e vjetër, si dhe hapja e një cikli të ri politik për ti dhënë fund tranzicionit kronik.

Adresimi i këtyre sfidave bëhet edhe më i mprehtë ndërsa tranzicioni i tejzgjatur demokratik, stagnacioni ekonomik, korrupsioni i kapilar dhe ngecja e procesit të integrimit në BE ka sjellë një zhgënjim masiv ndaj përfitimeve të proklamuara të demokracisë liberale. Një studim i fundit i BiEPAG, Qendër e Studimeve të Europës Juglindore, tregon se vetëm 38% e shqiptarëve besojnë se mund të ndryshojnë qeverinë përmes zgjedhjeve, përqindja më e ulët në Ballkan.

Zhgënjimi në rritje ndaj politikës dhe demokracisë rrezikon të mbajë qytetarët e zonës gri dhe të neveriturit nga politika larg kutive të votimit në 25 prill, çka në fund të ditës do të avantazhonte qëndrimin e Ramës në pushtet dhe për rrjedhojë instalimin zyrtarisht të një autokracie Erdoganiste.

Prandaj, zgjedhja kësaj here duket të jetë ekzistenciale; mes instalimit të autoritarizmit ose rithemelimit të demokracisë. Basti për të ardhmen është shumë i lartë për të qënduar në shtëpi apo ikur për piknik në mal në 25 prill.

*Chevening fellow. Hulumtues pranë Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco