Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Barbarizmi ekonomik i Rilindjes

Barbarizmi ekonomik i Rilindjes

Nga Artan Hoxha - 11/04/2021

Në shtatë vite të plota fiskale rilindëse, 2014-20, Prodhimi i Brendshëm Bruto Nominal (PBBN) arriti nga rreth 1350 miliard lekë në vitin 2013, në rreth 1572 miliard lekë në vitin 2020. Në shtatë vite, nën qeverisjen e Rilindjes, PBBN u rrit me 222 miliard lekë, një rritje rreth 16% në raport me PBBN e 2013, mesatarisht 32 miliard lekë rritje çdo vit apo 2.3%.

Buxheti 7-vjeçar i shpenzimeve rilindëse 2014-20 kapi shifrën e 3275 miliard lekëve, mesatarisht 468 miliard lekë në vit dhe rritje prej afro 30 miliard lekë çdo vit.

Siç shihet, rritja e ekonomisë në shtatë vitet rilindëse nuk arrin as gjysmën e një buxheti mesatar vjetor rilindës. Nga ana tjetër rritja mesatare e përvitshme e buxhetit rilindës është thuajse sa rritja e gjithë ekonomisë kombëtare mesatarisht në vit. Pra, të gjithë rritjen ekonomike të vendit, siguruar kryesisht nga sektori privat, e ka kullufitur qeveria rilindëse, pa lënë gjë për bizneset dhe familjet.

Ç’ka është më e rëndë, rritja e borxhit publik-nga 885 miliard lekë në fund të vitit 2013 në 1224 miliard lekë në fund të 2020, pra me 339 miliard lekë më shumë apo me afro 38%, tejkalon me mbi 50% shifrën e rritjes se PBBN prej 222 miliard lekësh në këto 7 vite, apo me afro 117 miliard lekë më shumë.

Ndërsa nga një anë kredia për Qeverinë e Rilindjes ka njohur këtë rritje kaq të lartë në raport me rritjen ekonomike të dobët, (rreth 48 miliard lekë mesatarisht çdo vit më shumë borxh publik), kredia për ekonominë në 7 vitet rilindëse u rrit me vetëm 60 miliard lekë gjithsej, apo me më pak se 11% krahasuar me vlerën e kësaj kredie në dhjetorin 2013, e me rritje më pak se 9 miliard lekë mesatarisht çdo vit. Në konkluzion, ekonomia i ka shërbyer qeverisë më saktë, është vënë me përdhunë në shërbim të pushtetit te rilindësve.

Sa për krahasim, PBBN në 7 vjeçarin 2006-2012 u rrit me 518 miliard lekë apo me 64%, me një mesatare vjetore prej 74 Miliard lekë apo rreth 9.1% çdo vit. Buxheti 7 vjeçar i shtetit kapi shifrën prej afro 2371 miliard lekë, me një mesatare vjetore prej 342 miliard lekë dhe rritje vjetore prej afro 18 miliard lekë. Kredia për Qeverinë në 7 vite u rrit me 360 miliard lekë me një mesatare vjetore prej 51 miliard lekë ndërsa ajo për ekonominë me 430 miliard lekë dhe rritje mesatare vjetore prej afro 61 miliard lekë.

Siç shihet, qeverisja demokrate në shtatë vitet e veta i ka shërbyer ekonomisë dhe rritjes së saj. Politika e taksave të ulëta, e burokracisë së lehtësuar, përqendrimi i fondeve në ndërtimin e infrastrukturës bazë dhe nxitja e konkurrencës më të hapur e më të fortë mes operatoreve i dhanë frymëmarrje ekonomisë e cila, mbështetur edhe nga rritja e fortë e kredisë bankare, u rrit me ritme të larta duke i dhënë mundësi, Qeverisë Demokrate të rriste të ardhurat, shpenzimet dhe borxhin, por pa i rënë në qafë ekonomisë e pa i hyrë në pjesë bizneseve dhe familjeve, përkundrazi duke ju lënë këtyrëve pjesën më të madhe të përfitimit.

Rilindësit bënë të kundërtën në të gjitha drejtimet-rriten taksat, shtuan burokracinë; përqendruan fuqinë ekonomike në pak operatorë duke dëmtuar konkurrencën si dhe shpenzuan edhe më shumë edhe kryesisht për fasadë se për thelb-një shfrytëzim ky barbar i burimeve dhe ekonomisë kombëtare. Rezultati duket qartë në fund të 7-vjeçarit rilindës siç del edhe nga shifrat e dhëna me lart. Edhe kaq, falë ca kontratave me vlera të mëdha të trashëguara nga qeveria demokrate si TAP, apo falë parasë kriminale të shtuar ekspotencialisht së fundmi e qe, në vetvete, përbën një tjetër trashëgimi rilindase të rrezikshme për teë ardhmen.

Kryerilindësi po rreket të gjejë justifikim se e ka penguar pandemia dhe tërmeti. Natyrisht që këto dy fenomene tronditën ekonominë dhe buxhetin në vitin 2020, por jo më pak tronditëse, në fakt shumë më fort se kaq, ishte fuqia goditëse e krizës në fundin e vitit 2008 që shpërtheu fillimisht në SHBA, që përfshiu gjithë Evropën, preku ca më rëndë vendet më ndikuese në ekonominë e Shqipërisë-Italinë dhe Greqinë-duke i shkaktuar shumë vështirësi ekonomisë shqiptare në vitet 2009-2013.

Gjithsesi e për merak, çdokush mund të bëjë edhe krahasimin 6-vjeçar 2006-2011 kundrejt 2014-2019 (ia heqim nga hesapi Rilindjes vitin e vështirë 2020) e do t’i rezultojë që edhe 6 vjeçari rilindës, pa krizë në Eurozonë e pa andrralla, del thuajse po aq sterrë krahasuar me 6 vjeçarin demokrat nën krizën e rëndë të Eurozonës dhe fqinjëve në ato vite.

Kush përton e gjen krahasimin me fakte e shifra në shkrime të mëparshme të miat në SYRI.net.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco