Mos harroni edhe Fatmir Xhafajn, ai është Kampioni i vërtetë i Drejtësisë së re

Mos harroni edhe Fatmir Xhafajn, ai është Kampioni i vërtetë i Drejtësisë së re

Nga Ermal Mulosmani - 24/02/2021

Ardian Dvorani, një ish-prokuror i kohës së komunizmit (gjatë viteve 88-91), u përzgjodh nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së si Kampion në luftën kundër korrupsionit’ me motivacionin :

‘Si nismëtar kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë, gjyqtari Ardian Dvorani zhvilloi mekanizma për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e Drejtësisë, hapa që ndikuan në vendimin e BE-së në Mars 2020 për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe çuan në mbrojtje kushtetuese për institucionet e reja antikorrupsion të Shqipërisë’.

Po a i ka të merituara fjalët e motivacionit zoti Dvorani?

Gjyqtari i Lartë Ardian Dvorani është një ndër emrat më të lakuar të drejtësisë shqiptare. Me një karrierë profesionale prej 33 vitesh, me gjithë ulje-ngritjet, ai gëzon një reputacion profesional të gjithpranuar.

Dvorani ishte mjaft i ri në kohët kur ushtroi detyrën e Prokurorit të diktaturës në qytetin e Shkodrës (22-25 vjeç) dhe nuk u shqua në atë kohë për ndonjë zell të tepërt (siç bie fjala spikati Kryetari i Reformës në Drejtësi, ish- hetuesi Fatmir Xhafa). Megjithatë, një dënim me 15 burg që dha për rrëzuesit e bustit të Stalinit, në ditët e fundit të diktaturës, tregon shumë për frikën dhe konformizmin sesa për profesionalizmin e tij.

Fatmir Xhafa dhe Ardian Dvorani duhej të ishin viktimat e para të çdo Reforme për Drejtësi. Ata ishin xhelatët ndëshkues të një padrejtësie të sanksionuar me ligj, ishin të përkëdhelurit e diktaturës dhe humbësit moralë të betejës me sistemin e ri të drejtësisë. Ata që kishin bërë Padrejtësinë nuk mundet të bënin edhe Drejtësinë.

Një drejtësi e re kishte nevojë më së shumti për moral dhe morali nuk mund të vinte nga Padrejtësia e vjetër. Këtu është zanafilla e së keqes në Drejtësinë tonë të re. Atë e bënë ish-xhelatët e diktaturës.

Në kriteret e vetingut ata hoqën çdo kufizim për sivëllezërit e tyre të diktaturës së proletariatit. Si mundet të shkruanin Fatmir Xhafaj dhe Ardian Dvorani fjalinë e tmerrshme: ‘Prokurorët, hetuesit dhe gjyqtarët e diktaturës nuk mund të jenë në postet e larta të politikës dhe drejtësisë së re?’

Pasi i shpëtuan paq ndëshkimit nga vetingu moral, njëri në drejtësi e tjetri në politikë, dy strategët tanë të Reformës për Drejtësi, ishin më të zellshmit për të ndëshkuar kolegët e tyre përmes instrumenteve KPA dhe KPK. Xhafaj emëroi ish-këshilltarin e tij si Komisioner Publik që kundërshtonte ndonjë tip të papëlqyer që i kishte shpëtuar rrjetave të KPK dhe KPA.

Tani dinin ata sesi e hidhnin vallen.

Ardian Dvorani shkoi në vetingun e krijuar prej tij me një neglizhencë të skajshme, harroi të deklaronte rreth 10 milionë lekë të reja kursime ndër vite. Ky nuk ishte ndonjë veprim që synonte fshehjen, jam i bindur për këtë. Dvorani i kishte deklaruar ato para në deklaratat vjetore të pasurisë, edhe e kishte justifikuar burimin e tyre. Por, aq joserioze, mospërfillëse, sfiduese ishte sjellja e tij ndaj krijesave të veta (KPK dhe KPA) saqë harroi të deklaronte një pasuri të tërë! Sepse ai po shkonte si shefi te vartësat jo si nxënësi në provimin e jetës. Vartësit e tij me përulësi e pranuan këtë ‘harresë’ skandaloze dhe e ‘falën’ shefin e madh. Në fund të fundit kush ishin ata përpara tij!

Ata ishin aty për të tjerët jo për Dvoranin.

Kjo kapardisje prej vetëdijes së rëndësisë dhe paprekshmërisë arriti kulmin në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese në Nëntor të vitit 2019. Duke qenë prej 15 vitesh anëtari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i KED(Këshillit të Emërimeve në Drejtësi), Dvorani ishte autoriteti që firmoste dërgesën e propozimeve tek organet e emërtesës (Presidenti dhe Kuvendi), sipas një radhe të caktuar, një herë njërit e pastaj tjetrit. Megjithëse Kushtetuta e Shqipërisë e detyron të zbatojë rigorozisht radhën, Dvorani bën të kundërtën, dërgon dy propozime me kandidatura menjëherë te Presidenti. Shkelja e Kushtetutës bëhej me vetëdije dhe në bashkëpunim me Parlamentin dhe maxhorancën qeverisëse.

Presidenti kishte dy rrugë: 1. Të bëhej bashkëfajtor me Dvoranin dhe të zgjidhte dy kandidaturat dhe 2. Të zgjidhte njërin e të priste radhën për tjetrin pasi Parlamenti të zgjedhë kandidaturën e vet siç shkruante Kushtetuta.

Duke shkruar sa më sipër nuk kam ndërmend aspak të bëj apologjinë e Presidentit. Mundet që veprimi i duhur të ishte shmangia e Presidentit nga zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta shprehja e përmendur në motivacion: ‘zhvlloi mekanizmat e duhur për të zvogëluar ndikimin politik’ i referohet pikërisht këtij veprimi. Ama, për këtë gjë, duhej më parë të ndryshohej Kushtetuta. Për një gjyqtar karriere, anëtar 15 vjeçar të Gjykatës së Lartë, jurist-hartues ligjesh, kjo shkelje është e pafalshme. Dvorani po bënte politikë me postin e lartë të drejtësisë. Kjo është e palejueshme për cilindo.

A e mori dekoratën amerikane Dvorani pikërisht për këtë veprim antikushtetues, për këtë nuk jam i sigurtë. Ama jam krejt i sigurtë që ky veprim duhej të ishte arsyeja që ajo dekoratë të mos jepej! Dvorani ishte kthyer haptas në një shërbëtor të vullnetit politik të maxhorancës.

Tani mbetet të dekorohet edhe Fatmir Xhafaj, konceptuesi, frymëzuesi, drejtuesi dhe zbatuesi kryesor i Reformës në Drejtësi. Nëse ka një meritor kjo Reformë, i pari në radhë është Fatmir Xhafa.

Hetuesi komunist që burgoste, torturonte dhe internonte njerëz vetëm se ata qeshnin kur vdiq Enver Hoxha është kumbara i kësaj drejtësie. Nëse ajo ka pasur sukses Kampioni i vërtetë i saj ai.

Ne jemi bërë imunë nga këto zhvillime, na është squllur nervi, maksimumi qeshim ironikisht nga përbuzja, nënçmimi që na bëhet çdo ditë nga politikanët tanë . Zhgënjimi vjen vetë kur vendi Kampion i Lirisë vlerëson si Kampion të Drejtësisë një prokuror të Diktaturës.

/Express

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ilir25/02/2021 08:06

Shume pershkrim i bukur, por shoqata e te perndjekurve politik , PD dhe te gjithe ata qe besojne ne drejtesi duhet ti demaskojne me fakte keto figura qe te mos arrijme ne vleresime dhe dekorata qe ofendojne drejtesine.

Skrapari24/02/2021 19:13

Nuk dime sa milion dollare ka mare nen dore shoqja Kimete, ambasadorja amerikane. Nuk ka asnje mundesi tjeter qe krimineli Dvorani te mare medalje nga Departamwnti Amerikan. Kush e njeh ate vec kinezit Llu dhe kinezes Kimete.

Shtetrrumpalle 24/02/2021 18:29

Se shpejti do te vije edhe nje dekorate per lejedhenesit e ndrageta

Shto koment

Denonco