Rrahja e të birit të Rashiqit dhe 'disiplinimi kombëtar i kurrizit'

Rrahja e të birit të Rashiqit dhe 'disiplinimi kombëtar i kurrizit'

Nga Veton Surrroi - 24/02/2021

Rrahja e të birit të Nenad Rashiqit nuk ishte një eksces i një grupi të rinjsh, ishte rrjedhë logjike e një politike që përcakton “pastërtinë” e serbëve

1. Pashë incizimin e rrahjes së Nikola Rashiqit, të birit të Nenadit. Një turmë prej njëzet e më shumë vetash e rrihnin një 18-vjeçar në oborrin e Gjimnazit të Laplasellës, nuk ndërhynte kush ta ndërpriste këtë brutalitet, ndërkohë që dëgjohej britma inkurajuese që të bashkoheshin të rinjtë e tjerë në këtë rrahje, në “emër të Kosovo e Metohisë dhe të Eparkisë të Rashkës e Metohisë (të Kishës Ortodokse Serbe)”.

Ati Sava i Manastirit të Deçanit, pra i kësaj eparkie, shkroi një ditë më vonë se “fëmija u rrah me shufra metalike, bokserë, iu thyen dhëmbët, iu masakrua fytyra, e tëra në dritë të diellit para masës së njerëzve prej së cilës nuk i ndihmoi kush, një mizori dhe turp... Këta njerëz nuk ishin serbë, por jonjerëz”.

Dhe, me një ftesë për brendavështrim Sava Janjiq pyet: “Kur do të ndalen keqbërësit së thirruri në serbizëm e fe me të cilat nuk kanë gjë të përbashkët?”.

Druaj se përgjigjja është më e ndërlikuar dhe fillon me “jo shpejt” e për një arsye të thjeshtë: rrahja e Nikola Rashiqit, të birit të Nenadit, nuk ishte përjashtim, një aventurë huliganësh të moshës së gjimnazit që shfryjnë agresivitetin e tyre ndaj dikujt që është ndryshe prej tyre.

Rrahja ishte rregull dhe konsekuencë logjike e një veprimi disavjeçar politik që përpiqet të vërë nën kontroll operacional e të mendësisë sferën publike serbe në Kosovë.

Babai i Nikolës, Nenadi, është një politikan serb i Kosovës që nuk është pjesë e Listës Serbe në Kosovë. Prej vitesh, e posaçërisht në zgjedhjet parlamentare, u ushtrua presioni që votat e qytetarëve serbë të Kosovës të shkojnë vetëm drejt Listës Serbe.

Ky presion thuhet se u bë fillimisht me mjete sekretepjesëtarë të sigurimit shtetëror e ushtarak serb e kriminelë ordinerë, si dhe ata që janë pjesë të krimit të organizuar. Por, ka kohë që nuk ka nevojë për veprime të këtilla të fshehta a gjysmë të fshehta-tashmë prej Beogradit zyrtar porositet, siç u bë në këto zgjedhje, se vetëm “Lista Serbe” mbron serbët e se njerëzit si Rashiqi apo Rada Trajkoviqi janë “serbë të shqiptarëve”.

Nikola Rashiqi u rrah, rrjedhimisht, sepse ishte perceptuar nga një shumicë të rinjsh bashkëmoshatarë të tij, që shikojnë porositë e Beogradit në TV çdo natë, se ishte “serb shqiptar” e jo “serb serb”, jo “tamam serb”.

 2.

Pra, nëse mund të përdoret një shprehje e Serbisë së viteve shtatëdhjetë e tetëdhjetë, në Laplasellë u ushtrua disiplinimi i kurrizit. Në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë përdorimi i shufrës së gomës nga milicia e atëhershme kundër qytetarëve quhej “disiplinë e kurrizit”, një metaforë e fjalorit urban për veprimin e një sistemi represiv.

Tash, në dhjetëvjetëshin e tretë të shekullit XXI, rolin e milicisë e mori turma e gjimnazistëve: me shufra metali, boksa hekuri dhe çekanë ndërmorën ushtrimin e “disiplinës së kiçmes” të të birit të Nenad Rashiqit dhe të vetë Nenadit.

Kjo formë e disiplinimit të “kurrizit kombëtar” është e re, pasi që nuk tregoi rezultate të mjaftueshme një formë e mëhershme, ekzekutimi me plumb në kokë.

Më 16 janar të vitit 2014 u vra me rrebesh automatiku në Mitrovicën e veriut Dimitrije Janiçijeviq, një aktivist i Partisë Liberale Serbe (SLS) dhe kandidat për kryetar të asaj komune.

Katër vjet më vonë, në të njëjtën ditë, pra më 16 janar, u vra Oliver Ivanoviqi, ai që kishte kapacitet të ishte figura më e respektuar nga serbët e Kosovës e i pavarur nga Lista Serbe. Deri më sot nuk ka fajtorë të dënuar për këto vrasje, dhe mbi këtë mungesë fajësie është ngritur aureola e Listës serbe.

“Disiplinimi i kurrizit kombëtar” prej kërcënimeve private të policisë sekrete të Serbisë tek ato publike të diskursit politik e mediatik zyrtar të Beogradit kaloi në plumba ndaj kundërshtarëve politikë e tash në rrahje të fëmijëve të tyre.

Metodat mund të ndërrojnë, por ideologjia është një: ekziston një qendër në Beograd, e cila do të përfaqësojë çdo gjë serbe, e kjo qendër do të shërbejë po ashtu edhe si një “serbometër”. Në mëngjes e mbrëmje, në televizionet e afërta të regjimit, do të shfaqen emrat e personave në Kosovë që nuk janë “mjaftueshëm serbë”. Prej këtu deri te frikësimi e dhuna nuk do shumë imagjinatë.

3.

Rasti i Nikola Rashiqit hapi dritaren për fërkimet identitare dhe politike brenda komunitetit serb.

“Disiplina e kurrizit” për të definuar pastërtinë e “serbizmit” nuk është gjë tjetër pos një formë totalitarizmi (lirisht mund të gjenden emra që shpjegojnë se çfarë forme të tij). Një gjë e tillë nuk është se nuk ndodh tek shqiptarët: gjatë tërë shekullit të kaluar është zhvilluar lufta ideologjike për të përcaktuar se cila është qendra që definon se kush është më shqiptar se tjetri.

Në fakt, një luftë e tillë zhvillohet edhe në ditët e sotme, sërish për të përcaktuar se kush është më “kombëtar”, njëkohësisht duke e vendosur në portale, parti apo grup autorësh për “shqiptarometër”. Por, dallimi është thelbësor, madje aq thelbësor sa në Kosovën e vogël u zhvilluan dy procese paralele politike.

Në mesin e shqiptarëve ndodhi një proces i rregullt zgjedhor demokratik, i cili në qetësinë më të mirë qytetare prodhoi revolucion zgjedhor me përmbysjen e elitave të deritanishme në pushtet. Në mesin e serbëve të Kosovës ndodhi një ndërhyrje “disiplinimi të kurrizit”, ku të gjithë qytetarët e këtij nacionaliteti supozohej se duhej të deklaronin pastërtinë e tyre kombëtare duke votuar për Listën Serbe. Dhe, jo vetëm kaq: në mjediset serbe e me votë të dirigjuar u bë përzgjedhja edhe e “pastërtisë” së boshnjakëve e romëve.

Morën vota pastërtie ata kandidatë që janë afër Listës Serbe. Kjo tash hap një kapitull të ri që vazhdon ende të jetë temë e debatit teorik: si të definohet identiteti, gjegjësisht lidhja mes identitetit dhe fuqisë politike?

Debati nuk është abstrakt: Kushtetuta e Kosovës krijon hapësirë për përfaqësimin identitar, por çka nëse, si në rastin e Listës Serbe, hapësira identitare shndërrohet në njësit “disiplinimi kombëtar” apo të përcaktimit se kush mund të jetë i pranueshëm si boshnjak a rom?

Ky debat, që nuk është abstrakt, bën fjalë për diçka që quhet deformim kushtetues dhe që ka pasoja të mëdha për sistemin kushtetues të vendit. Për shembull, me inxhiniering të votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët mund të përcaktojnë se kush mund të jetë serb, apo serb i pranueshëm për shqiptarët. Me këtë vihen pyetje, gjegjësisht që tani janë vënë në pyetje, disa parime të diskriminimit pozitiv në sistemin kushtetues të vendit.

4.

Fërkimi i dy lëvizjeve politike - një demokratike tek shqiptarët dhe një autoritare te serbët - nuk do mend se shfaqet si problem për pushtetin e ri. Kjo gjë megjithatë nuk është e re: në një moment përputhjesh që mund apo mund të mos jenë të rastësishme, para dhjetë vjetësh në Kosovë u vodhën në formë industriale votat ndër shqiptarë, BE-ja insistoi që me vota të vjedhura a jo të formohej Qeveria që do të fillonte dialogu me Serbinë, Këshilli i Evropës miratoi raportin e Dick Martyt, ndërsa Beogradi formoi Listën Serbe.

Tash, me pritje për një Qeveri të re të pashantazhueshme me përputhjet e dhjetëvjetëshit të kaluar, përfshirë edhe me krimin e organizuar serb, shenjat “disiplinuesit e kurrizit” u përpoqën të japin një porosi force. /Marrë nga Koha.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Selman Dervishi-Mani,USA.poet25/02/2021 07:48

RRAHJA E TË BIRIT TË RASHIQIT; DHE "DICIPLINIZMI KOMBËTAR I KURRIZIT; GRAHJA
E TË NXIRIT BASHIQIT E, "DISKRIMINIZMI KORBËTAR I MURRIZIT; AH,BANDA,TRANDA,
MË KRIMINELË,SHFRIMINGELË; SI LUKURI E TËRBUAR; SHI, DUKURI E VËRBUAR; OH,
KUR TË I VËRBOJË DY SYTË PËR GJAKPRJE;DHE, KUR T'I TERBOJË TY SHTYTË AHIII,
TË MBYTË,DHE BASHKËKOMBASIT E VETË; EDHE DRSHKËKORBASIT T'I TRETË; DUKE
I RRAH,DHE DUKE U GRAH;ME MASAKRA, KASAPRA, ME THYERJE E DERRMIME AUH,
ME FYERJE DHE FERRKRIME; PORSI HORRSI, THYERJE TË PALCËS SË KURRZIT;DHE,
SHQYERJE TË GALCËS TË MURRIZIT; SI FERRA ME GJËMBA GJËMBAÇE; SHI TERRA E
SHËMBA GËRRBAÇE; AHIII,MOJ HELAQE! QË NUK DINË,DHE NUK NDINË,TË NGOPËN,
AS TË KOPEN; ME GJAK DHE ASHTA, ME PRAG DHE RRASHTA,TË VIKTIMËS NJERIUT;
TË KRIM KRIMËS MJERIUT, OUUU, NDJERIUT; SI TRISHA PRAGHIRËSE; OUUUH,BISHA
GJAKPIRËSE! AHIII, SI BISHA GJAKPRIËSE!!. REFUGJAT LUFTË,PËRZENË NGA BANDAT
TERRORISTE SERBË,QE NGA KOSOVA GJËR N'AMERIKË DHE,TERË BOTËN! MANI,USA.

Selman Dervishi-Mani,USA.poet25/02/2021 07:47

RRAHJA E TË BIRIT TË RASHIQIT; DHE "DICIPLINIZMI KOMBËTAR I KURRIZIT; GRAHJA
E TË NXIRIT BASHIQIT E, "DISKRIMINIZMI KORBËTAR I MURRIZIT; AH,BANDA,TRANDA,
MË KRIMINELË,SHFRIMINGELË; SI LUKURI E TËRBUAR; SHI, DUKURI E VËRBUAR; OH,
KUR TË I VËRBOJË DY SYTË PËR GJAKPRJE;DHE, KUR T'I TERBOJË TY SHTYTË AHIII,
TË MBYTË,DHE BASHKËKOMBASIT E VETË; EDHE DRSHKËKORBASIT T'I TRETË; DUKE
I RRAH,DHE DUKE U GRAH;ME MASAKRA, KASAPRA, ME THYERJE E DERRMIME AUH,
ME FYERJE DHE FERRKRIME; PORSI HORRSI, THYERJE TË PALCËS SË KURRZIT;DHE,
SHQYERJE TË GALCËS TË MURRIZIT; SI FERRA ME GJËMBA GJËMBAÇE; SHI TERRA E
SHËMBA GËRRBAÇE; AHIII,MOJ HELAQE! QË NUK DINË,DHE NUK NDINË,TË NGOPËN,
AS TË KOPEN; ME GJAK DHE ASHTA, ME PRAG DHE RRASHTA,TË VIKTIMËS NJERIUT;
TË KRIM KRIMËS MJERIUT, OUUU, NDJERIUT; SI TRISHA PRAGHIRËSE; OUUUH,BISHA
GJAKPIRËSE! AHIII, SI BISHA GJAKPRIËSE!!. REFUGJAT LUFTË,PËRZENË NGA BANDAT
TERRORISTE SERBË,QE NGA KOSOVA GJËR N'AMERIKË DHE,TERË BOTËN! MANI,USA.

Shto koment

Denonco