Lajmi i fundit

10 fakte dhe ‘rastësitë domethënëse’ që provojnë përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen ‘Xibraka’

A do ta dorëzojë Edi Rama ERTV-në kur të dorëzojë Kryeministrinë?

A do ta dorëzojë Edi Rama ERTV-në kur të dorëzojë Kryeministrinë?

Nga Ermal Mulosmani - 23/02/2021

Kur Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, doli në publik me një media private me akronimin e gërmave të emrit dhe mbiemrit të tij dhe prapashtesën TV, të gjithë mbetëm gojëhapur e pa fjalë.

A mundet një njeri që gëzon postin e lartë të Kryeministrit të ketë edhe një televizion privat të tij?! A ndikon posti i lartë i Kryeministrit në rritjen e audiencës dhe ndikimit të përditshëm të këtij televizioni? Sa janë të ardhurat që vijnë nga publikimet në FB e Kryeministrit përmes transmetimeve të ERTV-së? A ka të drejtë Kryeministri që t’ia japë ekskluzivitetin e lajmeve qeveritare stacionit privat të Edi Ramës? Ku mbaron Kryeministri dhe ku fillon Edi Rama? A kanë të drejtë edhe Kryeministrat pasardhës të kenë median e tyre me akronimet private në shembullin e Ramës? Sa është vlera e këtij stacioni televiziv online në momentin kur do mbyllet dhe a është shfrytëzim i lartë dhe i paprecedent i postit të tij?

Edi Rama dhe Kryeministri i Shqipërisë janë dy entitete qartësisht të ndara. Edi Rama është një person privat që për momentin ka edhe pozitën e Kryeministrit ndërsa Kryeministri i Shqipërisë është institucioni kushtetues më i lartë i qeverisë. Nëse do të ndërtosh një media për të promovuar agjendën qeveritare duhet ta bësh me emrin zyrtar të Institucionit (Kryeministri TV) dhe ai emër e ajo media i takojnë Kryeministrit pasardhës. Siç ua dorëzon dhuratat zyrtare (një gjest për tu përshëndetur) Kryeministrave pasardhës, ashtu u duhen dorëzuar edhe mediat që u bënë të famshme për arsye të qenies Kryeministër.

Edi Rama nuk ka asnjë të drejtë që audiencën e fituar nga qenia Kryeministër apo Kryetar i Partisë, ta marrë me vete, në Surrel, ditën që nuk do të jetë një më në ato funksione. Ngatërrimi i emrit të Kryeministrit me postin e tij është një ngatërresë e qëllimtë, djallëzore, për të përfituar në të ardhmen, është një konflikt i pastër interesi. Të kesh një dritare komunikimi me 1.3 milionë ndjekës, me emër personal, të krijuar nga nevojat e njerëzve për informacion qeveritar në fakt nuk është qëllimi parësor i krijimit të ERTV-së (megjithëse nuk është për tu nënvlerësuar).

ERTV ka thelb djallëzor propagandën e Ramës.

Ndërtimi i një mediumi qeveritar, në të cilin Kryeministri del sa herë t’i teket, është uzurpimi më i madh dhe i hapur që i është bërë ndonjëherë hapësirës publike të komunikimit. Transmetimi ‘live’ nga të gjitha mediat nuk është një lapsus i tyre; ai është një sofizëm i mirëmenduar për një dorëzim vullnetar të kësaj hapësire .

Ngatërrohet qëllimshëm informacioni me propagandën.

Kryeministri i Shqipërisë rri çdo ditë, me orë të tëra, në faqen private të qytetarit Edi Rama me intervista online me gazetarë. Të gjitha mediat informative e marrin sinjalin e transmetimit publik nga media private e qytetarit Edi Rama dhe e ngopin gjithë hapësirën e komunikimit me monologje propagandistike kryeminsitrore.

Jo vetëm kaq. Statuset informative, publike, të Kryeministrit të Shqipërisë, publikohen në faqen e personit privat Edi Rama dhe po aty ndodh një debat i vazhdueshëm mes qytetarëve dhe Kryeministrit të tyre. Edi Rama i bën qerpaze nëse ata nuk janë dakort me qeverisjen, vaksinimet, personalitetet, Ndragetan, Nikun e ku di unë se çfarë…

Kjo ndodh vetëm në Shqipëri, është shembull unikal në botë!

Faza tjetër që pritet të ndodhë është: Qytetari Edi Rama, me petkun e përkohshëm të Kryeministrit, të hyjë në profilet individuale të shtetasve dhe t’i demaskojë! Tu shkruajë replika tallëse, të nxisë ndjekësit e tij të raportojnë profiling e qytetarit opozitar, t’i bulizojë…. Mediat do të pasqyrojnë konfliktin, gallatën, batutat. Nuk mendoj se do të jetë e largët dita kur të ndodhë. Televizionet informative ta pasqyrojnë ‘live’ gallatën ndërsa ato gjeneraliste të na e risjellin në formën e spektakleve të humorit.

Ne qeverisemi nga Facebook-u. Kryeministri ynë ka të paktën që nga Shtatori mban takime të gjata, monotone, të përditshme me gazetarë, viziton fatkeqë të dëmtuar nga tërmeti, mbikëqyr vaksinimet, rindërtimin, spitalet, del në aeroport e pret vaksinat, na merr në telefon orë e pa orë për të larë duart, na paralajmëron për fatin e madh që kemi ne që kemi atë në krye… Të gjitha mediat i transmetojnë ‘live’ deliret e tij prej babai të kombit. Dritarja e tij ERTV është si ‘Breaking News’, çdo televizor ndërpret transmetimet rutinë për tu lidhur me Babain.

E ky është edhe kurthi ku do të zihet Edi Rama. Si Narcisi u mbyt në pusin ku po shihte pasqyrimin, i mahnitur nga bukuria e tij edhe fundi i Ramës do të jetë nga pangopësia mediatike dhe deliri propagandistik.

Njerëzit nuk janë aq budallenj sa i mendon Ai.

/Express

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco