Edvin, cilin bluzëbardhë ndëshkove me vaksinën që i bëre vetes?

Edvin, cilin bluzëbardhë ndëshkove me vaksinën që i bëre vetes?

Nga Sali Berisha - 23/02/2021

Përparësi absolute për vaksinim duhet të kenë bluzëbardhët!

Dy pyetje për Edvinin: Cilin/cilën bluzëbardhë ndëshkove me vaksinën që i bëre vetes?  Apo i përmbahesh parimit, vdisni ju që të shpëtoj unë?

Të gjitha vendet e botës së lirë kanë shpallur si përparësi absolute, vaksinimin e bluzave të bardha. Shqipëria për vaksinimin e mjekëve, infermierëve, sanitarëve dhe punonjësve ndihmës ka nevojë për së paku 40.000 doza vaksine ndërkohë që ka ardhur vetëm 1/3 e tyre. Mirëpo Edvin Xhahili, pasi solli 900 doza kontrabandë, është i pari njeri që u vaksinua jashtë çdo kriteri ligjor dhe moral dhe sikur t’i kishte blerë me paratë e tij.

Kështu ai mori dozën e vaksinës që nuk i takonte, duke dënuar me sëmundje e mundet edhe vdekje nga COVID, një mjek, infermiere apo sanitare, të cilët, për shkak të profesionit dhe kushteve në Shqipëri, kanë një sëmundshmëri dhe vdekshmëri 16 herë më të lartë se sa pjesa tjetër e popullatës.

Ndaj dhe çdo dozë vaksinë e destinuar për bluzat e bardha që merret nga të tjerë, është dënim me sëmundje dhe mundet edhe vdekje e një mjeku, infermiereje apo sanitareje që kujdesen, mjekojnë çdo ditë të sëmurë me COVID-19.

Pas këtij akti çnjerëzor antiligjor, antikushtetues që revoltoi shumë qytetarët, ai urdhëroi lëpirësit e tij, Arben dhe Karlo Malavita, Ymer Çorapja dhe tualeti i Kol Ballës etj. të ndërmarrin një fushatë dizinformuese, të paraqisnin si akt heroik vaksinimin në kundërshtim me çdo kriter të padronit të tyre.

Sipas tyre, Edvini me shembullin personal, rrezikoi i pari duke bërë vetë vaksinën ndërkohë që në radhë para tij ishin rreth 20.000 mijë personel mjekësor dhe të gjithë shqiptarët mbi moshën e tij.

Këtu madje lëpirësit vrapuan si mashtrues dhe spekulantë të sjellin edhe ndonjë shembull nga bota paçka se krahasonin të pakrahasueshmet, mbasi në ato vende ku ishin vaksinuar edhe zyrtarët më të lartë, nuk kishte mungesë vaksinash as për mjekët dhe as për popullatën.

E vërteta është se në asnjë vend të botës që do merrte 900 vaksina dorë të parë, nuk mund të imagjinohet që Kryeministri i vendit do t’i lejonte kurrë vetes të merrte vetë njerën prej tyre duke ia dorëzuar sëmundjes dhe mundet edhe vdekjes nga COVID, një anëtar të bluzave të bardha, të cilat në Shqipëri kanë një vdekshmëri 9 herë më të lartë se sa në Itali.

Ju rikujtoj këtu se Edvin Kristaq Rama, nga fillimi i pandemisë deri sot me gjithë vdekjen nga COVID të dhjetëra e dhjetëra mjekëve, midis tyre edhe ndër më të shquarit, nuk ka shqiptuar qoftë dhe në një rast të vetëm një fjalë ngushëllimi për vdekjen e tyre.

Kjo nuk ndodh kurrë në vendet e lira që mund të marrin si sasi të parë 900 apo 9000 mijë vaksina, sepse në kodin moral dhe ligjor të tyre, qytetarët janë të barabartë para ligjit.

Pikërisht për këtë arsye, kancelarja Angela Merkel me gjithë skepticizmin e gjermanëve ndaj vaksinës, nuk rendi të bënte e para vaksinën me pretekstin për të bindur qytetarët e vet me shembullin personal që të bëjnë vaksinën dhe të mos e kenë frikë atë. Kancelarja, ndonese vendi i saj mori si fillim 1 milion doza vaksine, zgjodhi barazinë para ligjit dhe jo t’i merrte vaksinën dikujt që në kodin moral, por edhe ligjor, për shkallën e rrezikshmërisë, i takonte më para asaj që sot është dhe gruaja më e fuqishme e tokës.

Ndaj dhe ajo i deklaroi gazetarëve se do të vaksinohej, por kur t’i vinte radha, sipas grupmoshës që ajo i përket.

Po kështu presidenti i Argjentinës, Fernandes, shkarkoi Ministren e Shëndetësisë se ajo u vaksinua me një vaksinë të sjellë nga një kompani private, por që sipas kriterit ligjor, ajo shkeli barazinë para ligjit dhe mori vaksinën që i takonte ta bënte dikush tjetër.

Në Francë, vendi i cili mori si fillim 1 milion doza, ka shpërthyer një polemikë e gjerë rreth vaksinimit në janar me urdhër mjekësor dhe për arsye mjekësore të ish-presidentit Nikola Sarkozi në moshën 66-vjeçare. Kjo, sepse kriteri moshor i vaksinimit ishte mosha mbi 75 vjeç.

Edvin Kristaq Rama, pasi u vaksinua vetë jashtë çdo kriteri dhe duke përdorur vaksinën sikur ta kishte blerë me paratë e tij apo trashëgimi nga gjyshi apo i ati, bëri listat e atyre që duheshin vaksinuar dhe përdori tre-katër artistë të shquar për të mbuluar vaksinim antiligjor të listës sekrete të dhjetëra e qindra qënieve sipas tij superiore për lidhjet e tyre me diktaturën, regjimin e etërve të tij mizorë apo siç flitet, familjarë dhe krushqi të narkoqeveritarëve dhe narkozyrtarëve.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe abuzimin personal çnjerëzor me procesin jetik të vaksinimit si dëshmi tjetër flagrante e keqmenaxhimit tëe pandemisë dhe kërkoj që përparësi absolute të kenë bluzat e bardha me radhë, sipas shkallës së ekspozimit të tyre ndaj rrezikut të infektimit me COVID-19.

Pas tyre, në kushtet e sasive tejet të kufizuara të vaksinës, përparësi duhet të jenë fëmijët dhe të rinjtë e sëmurë si dhe të sëmurët me shkallë të lartë rreziku nga infektimi me COVID si dhe kolektivat në shtëpitë e të moshuarve. Vetëm pas sigurimit të sasive të mjaftueshme, vaksinimi duhet të bëhet bazuar në grupmosha duke filluar nga ato më të shtyrat.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco