Borati dhe menaxherët e shëndetësisë

Borati dhe menaxherët e shëndetësisë

Nga Erion Dasho - 18/02/2021

Me intensifikimin e fushatës elektorale, ja vlen të çelet ky cikël ku analizohen premtimet elektorale të Boratit dhe boratëve në fushën e shëndetësisë.

Sot, në spitalin e Elbasanit, Borati deklaroi se kërkon mandatin e tretë "për të përmirësuar menaxhimin shëndetësor dhe për të ngritur cilësinë morale të shërbimit". Sipas Boratit, cilësia profesionale në shëndetësi është rritur, por ka ngelur ajo morale për t'u zgjidhur!!!

Pra cilësia profesionale qenka ngritur në vendin që:

1. Ka numrin e tretë më të lartë të vdekjeve nga COVID-i në Europë!

2. Ka mbetur pa teste të shpejta në kulmin e pandemisë!

3. Nuk u ofron dot mjete mbrojtëse elementare si maska dhe doreza as edhe bluzave të bardha!

4. Përcjell pacientët COVID nga një spital terciar tek tjetri pasi prishen skanerët dhe pajisje të tjera bazë!

Flet për cilësi shërbimi kryetari i qeverisë së vendit që nuk gjeti dot një epidemiolog dhe një virolog për ta bërë pjesë të komitetit të të ashtuquajturve "ekspertë"!

Flet për vizion kryeministri që në ministrinë e vet të shëndetësisë ka të punësuar vetëm dy mjekë (një prej të cilëve ka mbushur moshën e pensionit).

Flet për menaxhim shëndetësor profesional Borati që qendrën spitalore më të madhe në vend ja ka besuar një klarinetisti!

Flet për përmirësim të standardeve morale kryetari i qeverisë që ka patur lumë akuzash për tendera okultë dhe me çmime super të fryra!

Me gjithë këto poshtërsi që i ka bërë vendit, mandati i tretë i Boratit do të ishte me tepër një mandatë e tretë!

Mirë që e kërkon, por të paktën të mos përdorë si argument shëndetësinë të cilën e ka katandisur në pikën më të keqe të mundshme...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Mjek18/02/2021 17:19

1. Rregullat bazë të parandalimit të përhapjes të një sëmundjeje infektive (ngjitëse) aerogjene (me shpërndaje nëpërmjet ajrit), njohur ndryshe si “KARANTINIMI”: Distancim / Filtrim i ajrit. Por: Covid-1 & Covid-3 u vendosën në mes të QSU “Nënë Tereza”, pa asnjë infrastrukturë për filtrimin e ajrit, duke përcjellë pacientët e infektuar nëpërmjet Shërbimit të Urgjencave (atje ku mbërrijnë gjithë pacientët e tjerë...).
2. Sëmundjet infektive i trajton Specialisti Infeksionist. Por TBC (tuberkulozin / sëmundje infektive e mushkrive) e trajton Pneumologu, endokarditin (sëmundje infektive e zemrës) e trajton Kardiologu / Kardiokirurgu, osteomielitin (sëmundje infektive e kockave) Ortopedi, abceset dhe Peritonitin Kirurgu etj... Covid-19 është patologji (sëmundje) që trajtohet nga Reanimatori (asistenca respiratore / intubimi), Internisti (komplikacionet sistemike), Imazheristi dhe Pneumologu (shkalla e prekjes së mushkërive). Megjithatë tek ne ju la dorë e lirë Infeksionistëve për një sëmundje të panjohur...
3. Mbrojtja afatgjatë nga një Sëmundje Infektive është krijimi i imunitetit. Vaksinimi. Por ne kemi arrogancën të refuzojmë vaksinën Ruse, Kineze apo Indiane. Sepse një popullatë 2.900.000 si e jona është më “speciale” sesa një popullatë 146.000.000 si ajo e Rusisë apo 1.3 – 1.4 miliardët e Kinës apo Indisë. Sërbia nuk bëri naze...
4. Numri i shtretërve në Spitalet Covid nuk reflekton cilësinë e shërbimit. Numri i Mjekëve, Infermierëve, aparaturave, hapësirës së lëvizjes mes shtretërve etj, përkundrazi, po. Por strategjia e zgjedhur ishte “përqëndrimi i pacientëve në një hapësirë të tejmbushur dhe vazhdimisht jashtë kapaciteteve dhe mundësive llogjike të menaxhimit të pacientëve”...
5. Ezaurimi fizik / shëndetësor / psikologjik i stafit mjekësor dhe infermieror (burn out ose lodhje) është faktor madhor në cilësinë e trajtimit të pacientëve. Por strategjia e zgjedhur ishte “le të lodhen Covid 1-3, se mbajnë... Spitalet Rajonale nuk na duhen”...
6. Komisioni i Ekspertëve ka menaxherë, neurologe, Shefin e Madh të Gjithë Urgjencave, sekretare, një Infeksionist (zotëri burrë), por asnjë Reanimator / Internist / Epidemiolog apo ndonjë tjetër i hajrit...
7. Kemi vaksina, por nuk e dimë sa kemi, inokulojmë të moshuarit (që fare mirë mund të mbyllen në shpi) përpara Mjekëve / Infermierëve / Shoferët e Ambulancës / Oksigjenistët / Policinë / Mësuesit... pra gjithë ata që janë të detyruar të jenë në kontakt direkt me (dhe në shërbim të) qytetarëve...
8. Thyejmë protokollet (terapia spitalore në shtëpi, Xarelto e të ngjashëm, niveli i oksigjenimit në gjak që indikon shtrimin në Spitale), nxjerrim të tjera edhe më të çuditshme (maska duhet kur bën vrap nga Liqeni por jo kur ha darkë në restorant / ambient i mbyllur)...
9. Virusi nuk është vampir (të ha natën, pas orës 20.00, po ditën pa merak, s’të gjen gjë)...
10. Sa ka vrarë Covid-19 dhe sa papërgjegjësia??? Pasi virusi vret po aq sa edhe diletantizmi. Dhe Eminencat heshtin...

Shto koment

Denonco