Mos dëgjoni përgjimet, besoni sondazhet

Mos dëgjoni përgjimet, besoni sondazhet

Nga Andi Bushati - 25/01/2021

Ky mandat i dytë i rilindjes po mbyllet ashtu sikurse filloi: me përgjime që vërtetojnë atë që në fakt dihet botërisht. 

Skandali i lidhjes së Saimir Tahirit me grupin trafikant të Habilajve shërbeu vetëm për të na dhënë provën se kultivimi dhe eksportimi i hashashit ishte kthyer në një biznes qeveritar. 

Publikimi nga Bild, i dëshmive të grabitjes së votave në Durrës dhe Dibër, na shpjegoi se si arriti Edi Rama ta mbajë i vetëm tepsinë në duar.

Po kështu, edhe përgjimet e fundit të eksponentëve të Ndraghetas italiane nxorën në dritën e diellit pastrimin e parave të mafias me kullat që po ngrihen në qendër të kryeqytetit, 20 përqindshin që merret për çdo leje të re ndërtimi, shumat që duhen për të korruptuar një ministër apo një kryepolic, etj. 

Natyrisht edhe në këtë rast, avokatia e mbrojtësve të qeverisë do të jetë e ngjshme me teknologjinë që kanë përdorur më parë, se përgjimet nuk përbëjnë prova, se besueshmëria e fjalëve të mafiozëve nuk duhet marrë për bazë, se këto janë goditje nën brez, në prag të një fushate elektorale. 

Por, po të dëgjohen me vëmendje bisedat e ndraghetisëve ato duken qartë se nuk janë aq në ajër. Ata përmendin një biznesmen real, i cili siç po vërtetohet përditë e më shumë ka lidhje të forta me pushtetin dhe ka marrë shumë para publike pa garë prej tij. Pra, mafiozët kalabrezë nuk flasin dhe aq kot, ata e dinë gjendjen e lejeve të ndërtimit, tregun real të tyre, kostot dhe çmimet e shitjes, madje e kanë gjetur edhe çelsin për të depërtuar në botën e nëndheshme të vendimmarrjes shqiptare.

Në këtë këndvështrim edhe përgjimet e fundit italiane na përplasin para syve fabulën që e përshkruan më mirë se çdo gjë tjetër aventurën e rilindjes në pushtet: shkeljen e ligjit për të grabitur dhe pastaj grabitjen e zgjedhjeve për t'i shpëtuar ligjit. 

Por, puna është se rilindasit po lëvizin ç’do gur për të mos u identifikuar më këtë imazh ulëritës për këdo që ka vesh të të dëgjojë.

Ata nuk duan të pranojnë se ky tetëvjeçar ka qenë një dështim katastrofal: Se gënjyen me gjithçka që premtuan në 2013, qoftë për papunsinë, qoftë për reduktimin e pabarazisë, qoftë për sjelljen e investimeve të huaja, qoftë me buxhetin për arsimin, qoftë me hapjen e negociatave.

Ata refuzojnë të pohojnë se qenë të paaftë të absorbonin 1 miliardshin e donacioneve dhe kredive për rindërtimin, që e shitën si sukses faraonik.

Ata nuk janë në gjendje të ndërgjegjësohen se jemi vendi i fundit i rajonit që dhamë ndihmën më të vogël ekonomike për frymë dhe s’qemë në gjendje të ofrojmë kurrë paketën e tretë, për ata që u rrënuan ekonomikisht nga efektet e pandemisë.     

I gjithë ky bilanc asgjesues, i ndërthurur edhe me skandale kriminale apo financiare, është i pa përballueshëm në një debat publik normal, ku duhet të diskutohen në mënyrë racionale të arriturat dhe mosrealizimet e forcës politike që ka qeverisur vendin. 

Pikërisht për t'i shpëtuar kësaj përballjeje, socialistët kanë shpikur në prag të kësaj fushate një truk të ri: përmbytjen e opinionin me sondazhe të rreme. 

Në këtë kuptim, testimet e opinionit nga “kompanitë e mëdha”, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut në të gjitha TV Shqiptare, janë një kopje e keqe e taktikës që Rama përdori në 2017, për të bërë fushatë me dajre dhe çitjane.

Qëllimi i tyre është që të shmangin bilancin real, për t'u marrë me mirazhin e diçkaje që nuk ekziston. Synimi i tyre është që ti pengojnë qytetarët të gjykojnë për atë që kanë ndjerë mbi kuriz, për atë që kanë parë me sy, duke i bërë të joshen nga të qenit pjesë e një shumice inekzistente që ekziston vetëm në propagandën rilindase. 

Se si po ndodh kjo në praktikë është e lehtë të tregohet. Disa TV janë treguar të gatshme të publikojnë sondazhe që i vijnë direkt e nga zyra e shtypit e kryeministrit. Disa të tjerë, me më shumë skrupuj, e fshehin goditjet ndaj pushtetit përmes manipulimit të numrit të të pavendosurve dhe të atyre që refuzojnë të përgjigjen. Ndonjë i tretë pranon dhe ta anullojë fare rezultatin që ka paralajmëruar prej kohësh.

Po t'i shtosh këtyre truqeve edhe dilemen mbi vërtetësisë së sondazheve në një mjedis aspak demokratik, ku njerëzit e paguajnë me vendin e punës bindjen e tyre politike apo kritikën ndaj qeverisë, është e lehtë të kuptohet çorba që po gatuhet.

Por, në këtë pikë rilindasve aq i bën. Ata po i shohin sondazhet si të vetmen mundësi për të mbuluar me një mjegullnajë imagjinare realitetin e trishtë me të cilin njerëzit po përballen përditë. 

Ata duan të ngulin në kokën e gjithkujt, jo vetëm të atyre që i kanë ndjerë mbi shpinë mëkatet dhe gjëmat e pushtetit, por edhe të të tjetëve që i kanë parë me zë dhe më figurë skandalet e tij, se ata gabohen pasi në këtë vend janë pakicë. 

Pikërisht, si rezultat i kësaj strategjie, ne do të gjendemi deri në 25 prill në një situatë paradoksale, ku sa më keq të shkojnë punët e qeverisjes, aq më lart do na shfaqen kuotat e Ramës në ekranet televizive.

Qëllimi është i thjeshtë, që asksuh të mos reflektojë me mendje të ftohtë për atë që dëgjon në përgjime, por të ushqehet me realitetin virtual që fabrikojnë milionat e personazheve që i kemi dëgjuar të ndajnë paratë me Habilajt, Avdylajt apo Nraghetën./Marrë nga Lapsi.al      

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco