Nga shëndetësia falas, tek shëndetësia 'badjavah'

Nga shëndetësia falas, tek shëndetësia 'badjavah'

Nga Erion Dasho - 23/01/2021

Premtimet e Rilindjes për shëndetësi falas dhe sistem shëndetësor anglez nuk harrohen lehtë. Ato ishin pjesë e premtimeve elektorale bombastike që ndikuan në tërheqjen e një milion votuesve, të cilët në vijim do të njiheshin edhe si "një milion shuplakat".

Sot, kur sheh në retrospektivë, kupton se ato premtime, jo vetëm që nuk sollën mrekullinë e premtuar, por përkundrazi!

Sistemi Shëndetësor Shqiptar i vitit 2021, nuk ngjan aspak me atë anglez. Madje edhe ato pak elementë që i japin një sistemi shëndetësor emrin "sistem" sot janë duke u zbehur dhe zhdukur dita ditës. Mjafton të shohësh se si epidemia e COVID-it në vend që të luftohej nga një sistem u tentua të luftohej në mënyrë donkishoteske nga një turmë të ashtuquajturish "heronj" dhe tre departamentë të ashtuquajtur "spitale".

Qytetari shqiptar jo vetëm që nuk po përfiton falas nga "sistemi", por po vuan pasojat e një shëndetësie nga më të pabarabartat në botë. Sot, rreth gjysma e shpenzimeve shëndetësore të shqiptarëve vijnë nga xhepat e qytetarëve. Afrika Subsahariane, rajoni më i varfër i globit, e ka këtë tregues 35%, ndërkohë që Bashkimi Europian e ka më pak se 15%!

Me 100 milion eurot e shpenzuara privatisht gjatë pandemisë, ky tregues me siguri do të arrijë nivele edhe më shkatërrimtare për shëndetin dhe financat e qytetarëve shqiptarë.

Viti 2021 e rigjen Shqipërinë në fushatë elektorale. Çuditërisht shqiptarët janë duke u përballuar me një déjà vu të premtimit të 2013-ës! Vetëm se kësaj here, kaposhi është katandisur një thelë!

Së pari, Rilindja nuk premton më shëndetësi falas, por një spital të dhuruar dhe të ndërtuar si me shkop magjik! Premtimi elektoral i sivjetshëm për të ndërtuar një spital për tre muaj, nuk mund të mos sjellë ndër mend Aladinin e 1001 netëve i cili me ndihmën e shejtanit të shishes, ndërtonte një pallat mbretëror brenda natës!

Së dyti, nuk premtohet sistem shëndetësor anglez, por firmoset një marrëveshje gjysmë sekrete që mund ta kthejë atë që ka mbetur nga sistemi shëndetësor shqiptar në një furnizues me pacientë të spitaleve turke.

Spitali i dhuruar i Fierit do të drejtohet për shumë vjet nga menaxherë turq.

Në kushtet e nxitimit të pakuptimtë për ta përfunduar ndërtimin e tij në tre muaj (normalisht një spital i përmasave të tilla kërkon nga 2 deri në 5 vjet për t'u ndërtuar), pyetja që të shkon ndër mend është:

"A po ndërtohet një spital për të zgjidhur problemet shëndetësore të shqiptarëve, apo paradhoma ku mbushen formularët e kurimit në Turqi?"

Indicjet për këtë nuk mungojnë

Në marrëveshjen ndërqeveritare të sapo nënshkruar është përfshirë edhe International Health Services Inc. (USHA?), kompania shtetërore turke e specializuar në fushën e turizmit mjeksor. Duket qartë se 300 milion eurot që shqiptarët shpenzojnë çdo vit nga xhepi për trajtim shëndetësor nuk kanë kaluar pa u vënë re. Sidomos, kur vetëm gjatë muajve të COVID-it, u shpenzuan edhe 100 milion euro shtesë, rreth 50 milion prej të cilave në spitalet turke.

Tetë vjet më parë, Rilindja premtoi shëndetësinë falas për të ofruar shëndetësinë ku rripesh nga Tiret dhe matrapazët shtetërorë e privatë!

Sot premtohet shëndetësia badjavah e cila, në vend që të mendojë për zhvillimin strategjik të këtij sektori tashmë të shkatërruar, duket se synon që disa qindra milionë euro çdo vit të orientohen drejt sistemit shëndetësor turk.

Ne shqiptarët përdorim një shprehje që me shumë gjasa e kemi huazuar nga vëllezërit turq: "Më gënjeve njëherë, hallall të qoftë! Më gënjeve për herë të dytë, haram më qoftë!"

Këtë bëjnë mirë ta rikujtojnë shqiptarët kur të dëgjojnë përrallën e Rilindjes për "Shëndetësinë Badjavah"...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp23/01/2021 15:00

Marrja përsipër e shërbimit shëndetsor falas nuk përbën herezi. As prek thelbin e sistemit kapitalist ,konkurencën e lirë. as thekson apo inkurajon sistemin etatist. Spitali turk në Fier dhe financimi nga shteti turk dhe jo nga kompani private turke heq çdo mundësi që kompania private të favorizohet me tendera apo konçensione .Me shtetin turk nuk kemi probleme kufitare. Nëse, SHBA Gjermania Anglia Franca Italia apo Greqia do ofronin financime për ngritjen e një spitali me shërbime dhe personel të specializuar, derisa mjekët tanë të fitonin përvojën e duhur, unë do tu kisha thurur një këngë Presidentëve respektiv dhe Kancelares. Spitali Amerikan ai Gjerman Francez Italian i Tritanit apo edhe ai Grek i Solisit dje, punonin kryesisht me mjek dhe infermier shqiptar, që ishin të punësuar në spitalet publike. Operacionet në këto spitale shkojnë në shifra 6-8 milion euro. Specialistët tanë më të mirë me që jemi në fushën e mjekësisë morën, 'arratinë' dhe një investim shtetëror 16 vjeçar shkoi si grante jashtë. Pronarët e spitaleve private u favorizuan edhe me konçensione, me tendera , me prona dhe konkurenca privat-publikë u bë inegzistente dhe spitalet publike sigurisht do shkonin këtu ku janë. I njëjti proçes ndodhi edhe në fushën e arsimit etj.Të shpresojmë që 'investimi' juaj i përditshëm me problematikat e trajtuara gati çdo ditë do shpëblehet nga LSI duke ju ofruar ndonji vënd si kandidat për deputet.

Shto koment

Denonco