Zgjerimi me 12 milje i sovranitetit të Greqisë cënon rëndë interesat detare të Shqipërisë

Zgjerimi me 12 milje i sovranitetit të Greqisë cënon rëndë interesat detare të Shqipërisë

Nga Piro Ahmetaj - 22/01/2021

Pas opinionit të fundit në media mbi 6 arsyet madhore të dështimit të frikshëm të Surrel - Qeverisë në ikje, kisha vetëvendosur të mos përfshihesha më në këtë diskutim. Mjaft është mjaft, por të sëmurët nga mbipushteti nuk kanë as kufij, as turp as marre!

Prandaj mbas miratimit me votë unanime, 284 nga 300 deputetë të parlamentit të Greqisë si dhe kërkesës me mirësjellje të disa mediave, po paraqes shqetësimet strategjike, si vijon:

1. Siç edhe u shpreh Kryeministri Mitsotakis, “Parlamenti Grek bëri histori”, duke legjitimuar zgjerimin nga 6 në 12 milje, ose më thjesht me zgjerimin e sovranitetin detar me 13 mijë km2, të cilën e përkufizoi si realizim të një ambicjeje shekullore (legjitime!) si dhe përmbushjen e një objektivi të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare në 40 vitet e fundit.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, edhe pse i diplomuar në Harvard (USA) dhe pinjoll i një familjeje në themelet e historisë së Greqisë moderne, nuk “shitet si i gjithëditur, as udhëheqës global”, por ka punuar shumë fort, me përgjegjshmëri dhe përulje në dobi të interesave të kombit dhe popullit të tij. Dhe sigurisht, ka të drejtë legjitime të krenohet pasi falë vizionit, masave të orkestruara diplomatike, shtetërore, mediatike dhe institucionale ka përmbushur një objektiv me peshë gjeopolitike për kombin e tij.

Më tej, me meritë e vlerësoi dhe falënderoi Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë (shkollë vetëm si piktor dhe pinjoll i bllokut komunist), i cili me papërgjegjshmëri cinike ndaj interesave të vendit të tij e ndihmoi të realizojë këtë përpjekje 100-vjeçare, pra zgjerimin e sovranitetit të Greqisë fqinje me 12 milje ose 13.000 km2 (sa gati gjysma e tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë.

2. Në të kundërt, mbas kësaj vendimarrjeje (legjitimimin e sovranitit nga 6 në 12 milje), qeveria shqiptare që s’ka as ministra, as zv/ministra, as ambasadorë, as negociatorë, pra Ai dhe vetëm Ai, udhëheqësi i Plotfuqishëm, ka dështuar frikshëm në 8 vjet dhe si pasojë e tij, interesat detare dhe gjeopolitike të RSH janë kërcënuar seriozisht. Edhe më thjesht, mbas këtij vendimi, Republika e Shqipërisë kërcënon të humbasë hapësira detare me interesa kritike ekonomike në detin Jon.

E përsëris dhe do të lutesha të isha gabim, por pas legjitimimit të sovranitetit të vendit fqinj nga 6 në 12 milje (faktit të kryer, siç paskëshin kishin rënë dakord paraprakisht me PM-Rama), Republika e Shqipërisë rrezikon të shkojë me humbje në xhep në Gjykatën Ndërkombëtare.

Dhe një pyetje tjetër shtesë, për Kryeministrin në ikje: “Nëse deri në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare (procesi mundet të zgjasë me vite), a zotëron Republika e Shqipërisë, kapacitete operacionale, mjete/anije ushtarake, infrastruktura detare, etj) të afta për të ndaluar (nëse ka) shkeljet e sovranitetit, apo edhe për të mos lejuar shfrytëzimin e paligjshëm të pasurive kombëtare në hapërisat e saj detare të RSH?!

Kryeministri dhe institucionet kushtetuese, po ashtu, kanë detyrim të qartësojnë qytetarët për heqjen pa ligj nga inventari i burimeve të mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë edhe të bazës ushtarake detare të Sarandës, ndërkohë që shteti fqinj, Greqia për të mbrojtur dhe ushtruar sovranitetin detar në 12 milje planizon rritje të prezencës ushtarake edhe në Othonoi!

3. Mungesa e transparencës, sikur negociohej për bunkerin e Surrelit, mosreagimi në kohë dhe propocional i institucioneve të larta shtetërore (u thënçin), dhe propaganda cinike që u shitej qytetarëve, se “s’ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi si çdo vend edhe Greqia ka të drejte sovrane, në mos universale, pse jo “hyjnore”, për zgjerimin e sovranitetit detar nga 6 në 12 milje, etj.” si dhe arsyet “pse për këtë vendimmarrje “historike”, Greqisë iu deshën 39 vjet, mbas marrëveshjes se Montengo Bay, në mos mbi 100 vjet, mbeten ende pikëpyetje legjitime por të “bezdisshme” për udhëheqësit e sekserët e pushteteve!

E thëne më troç po të dëshironi, kur zgjoheni në mëngjes dhe gjeni se fqinji iu ka shtyrë gardhin e avllisë që bashkëndani, nuk besoj se mundet të bëhet kështu pa pyetur pasi cenon jo vetëm metrat e oborrit por edhe integritetin e fisit/familjes tuaj!

Ja kështu njësoj, shqetësimi për ne, qytetarët e zakonshëm (që s’kemi në kurriz hallet e globit), mbetet fakti që vendi fqinj, Greqia zgjerohet me ligj nga 6 në 12 milje dhe 13 000 mijë km2, pjesë e qenësishme e së cilës është edhe zgjerimi në “grupin e ishujve të Jonit verior” por për çudi “nuk na prekërka aspak interesat detare të Republikës së Shqipërisë” - ja këto duhet të na i qartësojë udhëheqësi i (pa) ndritur, institucionet shtetërore si dhe opinionistët e gjithëditur, të kudogjendur dhe shumëkeqpërdorur!

Përsa i përket dalldisjes së Spiropalëve, Bolinëve, etj. se Skënderbe-Rama, domethënë vetë Lideri Global ka marrë përsipër të ulë në tavolinë Erdoganin me Mitsotakis për të zgjidhur mosmarreveshjet turko - greke mbi Mesdheun, kalon përtej përmasave groteske të komedisë “Mbreti lakuriq”, ndërsa për njerezit normalë është për të qeshur, por për të mos u mëshiruar në 25 prill.

Ndërsa, riciklimi i diarresë politike rreth marrëveshjes së 2009-ës (e cila e theksoj në dhjetëra opinionet e mia nuk ekziston fare, pasi është e rrezuar nga Gjykata Kushtetuese) si dhe sulmet e sekserëve të pushteteve të uritur nga frëngjite e port-haleve të paguara të Athinës ose Tiranës, që më paragjykojnë si “ose të shitur te amiqtë ose kamikaz i X udhëheqësi”, përveçse shpreh neverinë, nuk i lutem Zotit t’i falë, pasi vetëm për interesa meskine, bashkë me Sulltan Surrelin ose idhullin e tyre kanë kontribuar duke kërcënuar interesat e shqiptarëve në breza.

Në të kundërt, më motivojnë më shumë, që ashtu si në 36 vjet nën uniforme ushtarake, edhe gjatë këtij viti por dhe më tej në angazhimin politik, mbetem ushtar i përunjur vetëm ndaj atdheut, familjes, vlerave demokratike, interesave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe mbarë kombit.

Shënim: bashkëlidhur gjeni: https://www.syri.net/politike/393739/kufiri-detar-me-greqine-gjeneral-ahmetaj-deshtim-i-frikshem-i-sulltan-surrelit/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp 22/01/2021 15:55

Gjykata Ndërkombëre nuk pranon asnjë gjykim në këtë çështje, pasi e pengon 'proçedura'. Ekipet negociatore ose nuk kanë rënë ndakort,ose do vazhdojnë pas një pushimi të shkurtër të rinisin nga e para. Shqetësimi që Greqia e paisur me armë moderrne do grabisë gazin dhe do tjetërsoi teritoret tona,pasi Shqiptarët janë inferior në armatim nuk është i përligjur.Konflikte të ngjashme psh Turqi - Greqi do zgjidhet me marrëveshje.Nxitja e ndarjeve dhe konflikteve është së pari, projekt antiamerikan, sigurisht edhe antishqipëtar. Me Edi Ramën mirë është të ballafaqohemi në çështje të politikave të brëndshme. Sidoqoftë Gjeneral Ju në rezervë jeni, kështu që mund të kandidoni për deputet.

Shto koment

Denonco