Kësaj here, Ramën ka kush ta rrëzojë

Kësaj here, Ramën ka kush ta rrëzojë

Nga Vehap Kola - 16/01/2021

Ata që do ta rrëzojnë Edi Ramën sivjet do të jenë pikërisht ata që votojnë kundër partisë në pushtet çdo 8 vjet. Lajmi i mirë për Shqipërinë është se kjo ushtri nuk përbëhet nga votues të gatshëm të shesin votën me para apo me qese ushqimesh. Nuk janë pjesë e saj as ata që nga kjo qeveri kanë marrë ndonjë goditje, qoftë kjo edhe burgosja për një faturë dritash të papaguar apo për një kupon të paprerë nga kasa. Rradhët e kësaj ushtrie të heshtur votuesish përbëhen pikërisht nga ata njerëz që nuk ia kanë shtrirë dorën asnjëherë shtetit apo qeverisë për jetesën e tyre.

Politikanët i quajnë shtresa e mesme duke nënkuptuar atë kategori njerëzish që siguron të ardhura nga 70% në 200% të të ardhurës mesatare për frymë. Për momentin kjo shtresë në Shqipëri nuk është aq e madhe. Më e madhe se shtresa e mesme është shtresa e njerëzve që aspiron të jetë e tillë. Tipari themelor i kësaj shtrese është se ata besojnë që nëse nuk do të kishte qenë Rilindja me politikat e saj destruktive dhe me arkitekturën e plaçkitjes së Shqipërisë, ata do të ishin sot pjesë e shtresës së mesme.

Këta njerëz i gjen me shumicë mes sipërmarrësve të vegjël të cilët kanë luftuar këto 8 vjet me mish e me shpirt për t’u mbijetuar mësymjeve gjobëvënëse të inspektorëve të taksave, policëve bashkiakë, inspektorëve të ndërtimit, inspektorëve të shëndetit publik, inspektorëve të punës, etj. Atyre u është dashur të paguajnë taksa të shumëfishuara, veçanërsiht për Bashkinë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Janë këta sipërmarrës, pronarë dyqanesh, marketesh dhe butiqesh, restorantesh dhe bar-kafenesh që u futën me përdhunë në skemën e TVSH-së, duke u gllabëruar një llokëm të madhe të fitimeve të tyre modeste.

Megjithatë, këta nuk janë të vetmit që do të votojnë kundër Edi Ramës në këto zgjedhje. Profesionistët e lirë kanë parë këto 8 vite një mur shtetëror rregullash e pengesash, taksash e tarifash për të ushtruar profesionin e tyre. Të gjithë e dimë se profesionistët e lirë, apo freelance, janë specialistë që ose nuk kanë mundur të sigurojnë një vend pune me pagë dinjitoze, ose konsulentë ligjorë, kontabël, fiskalë, e biznesi që gjatë viteve të mëparshme ishin angazhuar në projekte të financuar nga donatorë ndërkombëtarë, si Banka Botërore, FMN, BE, GIZ, USAID, SWISS Contact etj. Këtyre të vetëpunësuarve, qeveria Rama ua bëri jetën shumë të vështirë kur vendosi t’i fuste, prapë arbitrarisht, në skemën e TVSH-së.

Një tjetër kategori e shumicës së heshtur që do ta rrëzojë këtë pushtet janë administrata publike. 160 mijë shqiptarët që punojnë në shtet janë të parët mbi fytyrat e të cilëve përplaset arroganca e shefave të kapardisur të cilët i ka vënë aty partia si shpërblim për punën e bërë për të marrë pushtetin. Veçanërisht, ajo pjesë e administratës publike që bën punën e specialistit është detyruar vazhdimisht të luajë rolin bezdisës të trumpetimit të propagandës së Rilindjes.

Mijëra prej tyre marrin çdo mëngjes mesazhe në grupet përkatëse të komunikimit, që i urdhërojnë të pëlqejnë dhe shpërndajnë në Facebook dhe Instragram postimet e Ramës, Veliajt, ministrave, deputetëve dhe drejtorëve të tyre. Rilindja ka staf të dedikuar që raporton se kush i pëlqen e shpërndan, e kush jo, postimet e Ramës, Veliajt apo politikanëve të tjerë të pushtetit.

Tani përpara fushatës, partia në pushtet i është vërsulur pa mëshirë administratës për ta shndërruar në rrjetë për mbledhjen e votave, duke i kërcënuar me vendin e punës nëse nuk garantojnë një numër minimal votash. Denoncimet në media të formularëve të shpërndarë në ministri, bashki e agjensi qeveritare janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që po ndodh vërtet. Format e presionit janë nga më të shëmtuarat dhe fyeset. Telefonata e transmetuar nga gazeta gjermane BILD ku një deputet i kërkonte drejtorit të arsimit në Dibër të shkarkonte një drejtor shkolle në një fshat të Dibrës është shumë e përkorë krahasuar me neverinë që të shkakton presioni që po ushtrohet mbi administratën këtë parafushatë.

Nëse Edi Rama me makinerinë e tij të manipulimit dhe blerjes së votës mund të neutralizojë efektin që ka varfëria në votë, ai nuk do të jetë në gjendje të shërojë plagën e thellë të arrogancës dhe abuzimit me këto tri shtylla të asaj që ka potencialin të jetë nesër shtresa së mesme shqiptare. Mënyra e vetme se si ai dhe çdo qeveri mund të marrë votën e pronarit të një dyqani, butiku apo restoranti është duke i çliruar nga taksat, duke i ndihmuar të rriten ose të paktën duke mos i penguar të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: të ndjekin interesin e tyre.

Rruga më e mençur drejt votës së profesionistëve që ushtrojnë profesionet e tyre në mënyrë të pavarur është të mos kërkosh të nxjerrësh dhjam prej pleshtit duke i trajtuar ata me një logjikë fiskale plaçkitëse. Ndërsa administrata publike arrihet vetëm përmes derës së respektit për dinjitetin njerëzor dhe veçanërisht respektin ndaj lirisë së tyre për të ndjekur një jetë private sipas mënyrës që ata besojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari16/01/2021 20:13

25 PRILLI 2021, FUNDI I VERTETE I DIKTATURES KOMUNISTE!!!
25 PRILLI 2021, FUNDI I MASKARALLEKUT, HAJDUTLLEKUT, GRABITJEVE, ZHVATJEVE, IMORALITETIT, POSHTERSIVE, MASHTRIMEVE, FODULLEKUT, QELBESIRELLEKUT, ARROGANCES, INJORANCES DHE I KRIMIT QEVERITAR DHE POLITIK NE SHQIPERI! 25 PRILLI 2021, FUNDI FUKARALLEKUT, ANALFABETIZMIT DHE DISKRIMINIMIT!
25 PRILLI 2021 FILLIMI I PRANVERES SE VERTETE DEMOKRATIKE, I LIRISE, I DEMOKRACISE, SHTETIT LIGJOR, I PROSPERITETIT DHE INTEGRIMIT TE SHQIPERISE NE BASHKIMIN EVROPIAN!
25 PRILLI 2021 DITA E CLIRIMIT TE VERTETE TE SHQIPERISE DHE POPULLIT SHQIPTAR!
VOTONI O SHQIPTARE PER FUNDIN E NARKO-BANDES KRIMINALE RILINDJA!
VOTONI O SHQIPTARE PER VETEN TUAJ, PER FAMILJEN TUAJ, PER FEMIJET TUAJ, PER DINJITETIN TUAJ DHE PER TE ARDHMEN TUAJ!!!
MOS U MASHTRONI NGA MASHTRUESIT ORDINERE!!!
25 PRILLI 2021, FUNDI I PASHMENGSHEM I TIREVE NE QEVERI DHE NE POLITIKE!

tirana16/01/2021 15:47

Analize shume konkrete dhe me argumenta me se te sakte . Per opoziten per te fituar zgjedhjet eshte shume here me veshtire sot se sa ishte ne vitin 1990 .
Gjithçka ne votimet e 25 prillit do te varet nga reagimi ose jo i administrates ne raport me dinjitetin personal te gjithsecilit , te cilet do te pranojne qe edhe ne te ardhmen te mos kene rritje rrogash per 7 - 8 vite rrjesht ???!!!

Ceni16/01/2021 14:21

Tepsine vetem Allahu e permbys

Shto koment

Denonco