Pse Perëndimi nuk konfrontohet me Kinën për Coronavirusin

Pse Perëndimi nuk konfrontohet me Kinën për Coronavirusin

Nga Andrew A. Michta - 13/01/2021

U bë një vit tashmë që kemi hyrë në krizën më të keqe që ka goditur globin që nga Depresioni i Madh. Huamarrjet kanë shkuar në qiell, duke çuar deficitin e buxhetit dhe borxhet kombëtare të nivele të padëgjuara më parë, ndërsa mbylljet e përsëritura dhe shqetësimet në rritje për shëndetin publik kanë shkaktuar revolta sociale, ndrydhje të institucioneve politike dhe kanë lënë pas një seri biznesesh të falimentuar.

‘Frenimi i Madh 2020’ i ekonomisë globale nuk ka precedent. Ne thjesht nuk e kemi idenë në këtë pikë për shkallën e dëmtimit në ekonomitë tona dhe stofin e shoqërisë që me shumë gjasa do të vazhdojnë  edhe për një kohë të gjatë pas kalimit të pandemisë. E megjithatë, rrallë kemi dëgjuar ndokënd, që nga zyrtarët qeveritarë e deri te media, të përmendë emrin e shtetit që solli gjithë këtë shkatërrim mes nesh.

Pjesërisht, vetëpërmbajtja e Perëndimit për të kritikuar Pekinin mund të shpjegohet nga varësia e paprecedentë dhe e vazhdueshme ekonomike e jona nga Kina për mallra e furnizime. Pandemia ka ekspozuar shkallën në të cilën centralizimi radikal i zinxhirit të furnizimit te Kina dhe grykësia e Perëndimit e kanë bërë Kinën furnizuesin e vetëm të ilaçeve kyç, pajisje për mbrojtjen personale dhe pajisje të tjera të nevojshme për menaxhimin e emergjencës shëndetësore globale.

Ngurrimi i Perëndimit për të kritikuar Kinën ka influencuar e i ka dhënë formë drejtimin e debatit tonë të brendshëm politik, jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë e gjetkë, me Pekinin që ka siguruar akses në çdo shtresë të shoqërive perëndimore. Kina ka qenë e zonja të shfrytëzojë të çarat në politikat tona të brendshme, duke përfituar nga ndarjet e forta ideologjike që kanë thyer konsensusin kombëtar në Perëndim aq sa jemi bërë të paaftë për t’u ballafaquar haptazi  me kërcënimin ekzistencial që Kina paraqet për SHBA dhe demokracitë kudo në botë.

Së fundmi, shkalla e madhe e investimeve perëndimore në Kinë nga një numër përherë e më i madh kompanish amerikane dhe evropiane e ka bërë detyrën e konfrontimit me Pekinin për pandeminë shumë më të vështirë, sepse dhimbja ekonomike afatshkurtër e shkëputjes nga zinxhiri furnizues kinez do të ishte therëse dhe e menjëhershme.

E megjithatë, arsyeja kryesore pse demokracitë deri tani nuk janë konfrontuar me Kinën për përgjegjësinë se saj për pandeminë është sfida që kjo përfaqëson për Perëndimin dhe mungesa e konsensusit, sidomos midis SHBA dhe aleatëve evropianë, rreth natyrës së kërcënimit. SHBA e sheh Kinën si një kompleks problemesh ushtarake dhe ekonomike.

Pavarësisht faktit se si do të evoluojë politika e SHBA karshi Kinës me administratën e re, realiteti i kërcënimit ekzistencial që Kina paraqet për interesat jetësorë të SHBA, sidomos në Indo-Paqësor por edhe në skena të tjera, përfshirë në shtëpi, nuk do të largohet. Fokusi i sfidës është i lidhur direkt me përmasat e ekonomisë kineze (ende më e vogël nominalisht se ajo amerikane, por në termat e PPP-ve është tashmë disa triliona dollarë më e madhe); kjo fuqi ekonomi tani po përkthehet nga Pekini në kapacitetet të përdorshme ushtarake.

Fuqia ushtarake në rritje e Kinës dhe imponimi gjeostrategjik në Azi, Afrikë dhe në Mesdhe e Evropë tani është një tablo e plotë. Programi i ndërtimit të anijeve është burim shqetësimi në rritje për SHBA – për sa i përket numrit të anijeve, flota kineze tashmë është më e madhe se ajo amerikane, ndonëse ato luftarake janë prapa kapaciteteve të flotës së SHBA. Hendeku midis teknologjisë kineze e asaj amerikane është duke u ngushtuar.

Dekadat e transferimit të industrisë sonë e sidomos lejimi i Kinës të ketë akses në çdo nivel të shoqërisë sonë, përfshirë korporatat, universitetet dhe qendrat kërkimore amerikane, i ka dhënë mundësi Kinës të ndërtojë një bazë kërkimore shkencore që e ndihmon të krijojë e ta kapërcejë Amerikën në zonat kyç të teknologjive emergjente.

Ngushtimi i hendekut cilësor midis sistemeve të armëve të SHBA dhe Kinës është rezultat direkt i dekadave të lejimit të ideologjisë globaliste që të lërë në hije interesin tonë kombëtar dhe konsideratat strategjike pas Luftës së Ftohtë, kur u duk sikur historia ‘përfundoi’.

Ndërsa Amerika e sheh Kinën si një kërcënim për dominimin, Evropa ende e konsideron kryesisht si një kompleks problemesh ekonomike dhe në shumë aspekte edhe si një mundësi ekonomike. Aksesi në tregun aziatik konsiderohet jetësor për eksportet dhe evropiane pa të cilat model i tregut social evropian dhe konsensusi politik që mbështetet mbi të do të ishin të vështirë për t’u mbajtur. Ndaj evropianët janë të gatshëm të shmangin tërheqjen nga vorbulla e konfrontimit të gjerë midis SHBA e Kinës.

Kështu që, ndërsa BE ka zgjuar merkantilizmin grabitqar kinez dhe vjedhjen e pronës intelektual, duket  se ka synimin, të paktën për momentin, të ruajë sa më gjatë të jetë e mundur status quo-në. Fokusi i investimeve evropiane në Kinë dhe rëndësia kritike e tregut kinez (Kina është burimi më i madh i importeve për Gjermaninë) i japin Pekinit influencë të konsiderueshme mbi kontinentin. Ashtu si në SHBA, interesat e korporatave evropiane vazhdojnë të lobojnë për ruajtjen e status quo-së.

Sfida që Kina përfaqëson për SHBA dhe botën demokratike në përgjegjësi është më e madhe se kërcënimi që Traktati i Varshavës përfaqësonte për NATO-n gjatë Luftës së Ftohtë. Rritja e Kinës po ndodh në një kohë kur SHBA po del nga dy dekada luftërash të vazhdueshme në skena dytësore, të cilat jo vetëm konsumuan triliona dollarë, por edhe ristruktuan ushtrinë e saj larg gatishmërisë luftarake të nevojshme përballë një tjetër superfuqie.

Në Luftën e Ftohtë, SHBA kishte vetëm një konkurrent që i afrohej ushtarakisht, Bashkimin Sovjetik, ndërsa Kina maoiste ishte maksimumi një lojtar rajonal. Gambiti Nixon-Kissinger që e tërhoqi më afër SHBA efektivisht uli koston e mbajtjes në kontroll dhe kontribuoi në fitoren e Amerikës në Luftën e Ftohtë. Në kontrast, sot përballemi me dy kundërshtarë në arenën ushtarake, sepse Rusia është rreshtuar përkrah Kinës në kundërvënien Amerikës. Moska duket e vendosur të ndryshojë kuadrin e pas Luftës së Ftohtë, ndërsa Pekini dëshiron ta zëvendësojë plotësisht me një tjetër të ndërtuar rreth prioriteteve të veta gjeostrategjike.

Mungesa e konsensusit në Perëndim rreth kërcënimit kinez për rendin ndërkombëtar do të mbetet problemi kryesor për NATO-n dhe për ecjen përpara të marrëdhënieve transatlantike, duke prezantuar një pengesë thelbësore për ndërtimin e një strategjie funksionale të përbashkët për nxjerrë jashtë loje Kinën dhe ruajtur pozicionin tonë dominues. Për sa kohë që ky konsensus mungon, Pekini do të jetë në gjendje të shfrytëzojë në dobi të tij diferencat politike dhe prioritetet ekonomike divergjente midis SHBA dhe Evropës.

Botuar në nationalinterest.org-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco