Nuk është ashtu siç duket, dëgjoni Muhamedin nga Dubai

Nuk është ashtu siç duket, dëgjoni Muhamedin nga Dubai

Nga Ermal Mulosmani - 11/01/2021

E gjithë Shqipëria u trand dje nga një video në një mejhane të shtrenjtë të Dubait, ku Ministra e funksionarë të lartë shtetërorë, më të afërtit e Kryeministrit Rama, shiheshin të hardallosur në një drekë- siç e shpjegoi Kryeministri më vonë- pune. Mejhania ishte nga më të famshmet në botë, ata ishin “Te NusrEti”.

Mejhania “Te NusrEti” ka mallëngjyer personazhet më të njohur të kësaj bote. Mjafton të përmend që faqja e tij në Instagram i numëron mbi 32 milionë ndjekës e, qysh nga Krishtlindjet e këndej (17 ditë) në atë mejhane u mahnitën edhe Gerard Pique, Karim Benzema e Giani Infantno për të kuptuar më mirë famën. NusrEti është i mirënjohur për teknikën e pjekjes së mishit, ndarjes spektakolare të mishit nga kocka e në fund për kriposjen origjinale që i lë me gojë hapur të gjithë….

NusrEti bashkë me mishin ka kriposur bukur mirë edhe çmimet. Kriposja e çmimeve ishte një domosdoshmëri për të shmnagur kërkesat e pafundme por edhe për të shijuar zengjinët e rinj që, helbete, duan klasën e tyre afër-afër.

Të jesh te NusrEti është tashmë atraksion turistik që edhe qeveritarët tanë nuk mund ta humbnin. Aq më tepër kur ata shoqëroheshin në atë drekë nga Samir Mane dhe mund të kishin luksin edhe të mos paguanin. Çdo fjalë spjeguese që të shtoj për Samirin e ofendon famën e tij, disa emra flasin vetë. Pra ishte një drekë relaksuese, pa formalitete e protokoll pas një pune të lodhshme ku i siguruan Shqipërisë 2 miliardë Euro investime për Portin e Durrësit!

Mirëpo shqiptarët aq dijnë , aq bëjnë. U lëshuan të gjithë në folklorizma patetike me thirrje “Hani derra pini derra” ose “hani pini dhe rrëmbeni” e gjepura të tilla. Boll u përpoq Dritan Hila i ngratë tu shpjegonte që derrat janë populli, që duhet të kuptojnë se delegacionet hanë në restorante luksoze dhe flenë në hotele me 5 yje, kudo në botë, se nuk shkojnë atje për të hëngër sufllaqe, se kështu kanë bërë të gjithë etj etj. Por askush nuk pati mirëkuptim me të duke ia prishur gjithë mirëkuptimin e tij me qeverinë.

Vetë Kryeministri sqaroi njerëzit një e nga një në FB.

“Nuk është ashtu siç duket, ata nuk po harxhojnë asgjë nga taksat tua, gjithçka është financuar nga pala pritëse që është një nga investitorët më të mëdhenj në botë. Përveç qeveritarë delegacioni ka pasur edhe biznesmenë dhe përfaqësues të medias”.

Ky ishte thelbi i deklarimit të Kryeministrit. Kur e shihje ashtu mes shiut të Lezhë-Shkodrës, tek qante hallet e katundarëve të përmbytur në kontrast me  dërgatën e tij që hardallosej “Te NusrEti”, nuk është se nuk më vinte inat edhe mua, lëre më atij vetë. Por, kur e dëgjova që përmendi fjalët “Gjithçka është paguar nga pala pritëse”, thashë me vete, prit një herë…

Pse po na duan kaq fort këta biznesmenë ne? A thua për interesat e tyre apo tonat? A kanë të drejtë qeveritarët të pranojnë që shpenzimet e tyre për detyra shtetërore t’i paguajnë biznesmenët, qofshin ata edhe të huaj, a  ekziston në këtë rast konflikti i hapur i interesit? Çfarë përfitojnë ata biznesmenë në këmbim të atyre shpenzimeve? Sa është shuma e shpenzuar nga sheiku dhe sa është shuma e përfituar nga ai?! Këto gjëra mund të ishin të dorës së dytë apo të tretë të Kryeministrin, si me thënë “proçedura” dhe ai nuk është se i ka shumë qejf ato. Por njerëzit duan t’i dinë….

U bëra kurioz edhe për pjesën mediatike të delegacionit, Kryeministri ma shtoi kërshërinë. Kush përveç Samirit i shoqëronte qeveritarët?

Cili reporter mund ta kryente më me zell punën veç Muhamedit të famshëm. Meti ka edhe përkushtimin për të futë elemente poetike në kronika televizive sidomos kur bëhet fjalë për qeverinë…. Ja si e përshkroi investitorin strategjik:

”Emar është futur në garë me kohën”….

Ja pra se ça do të thotë të kesh reporterin me dell poetik. Mundet të thoshte edhe që e ka lënë kohën mbrapa por u tregua modest, i vuri paralel, herë fiton Emaar e herë koha….Nejse, po prisja të thoshte ndonjë gjë për zhurmën e Shqipërisë se, helbete, gazetarët çoç flasin edhe për ndonjë shqetësim popullor përveç atij qeveritar. Por asgjë prej gjëje.

Hyrja patetiko-emocionale e Metit u shoqërua nga intervista e Ministres Balluku e cila  dukej që i kishte kushtuar rëndësinë  e duhur estetike asaj daljeje televizive.  Nuk e di a përfshihej në shpenzimet tërësore të delegacionit edhe kurimi estetik i Belës (kam mësuar nga një kronikë e Top Channel që Kryeministri e quan kështu me përkëdheli dhe mirëkuptim) por Ministria nuk ishte kursyer. Përtej dukjes elegante e për tu përgëzuar, Balluku na sqaroi që gjithë mobilizimi i Shqipërisë për këtë përfitim financiar të pallogaritshëm do të jetë vetëm:

“Ne do të angazhojmë ligjet në fuqi, si Ligjin “Për investitorin strategjik” pra për të facilituar gjithë proçesin  si ligjin e Turizmit I cili lehtëson dhe ndihmon investitorët e huaj në vend. Duhet të pasur parasysh që shteti shqiptar do të ketë vetëm përfitime (në këtë moment Bela bëhet veçanërisht theksuese me pauza) financiare dhe sigurisht të gjithë të tjerët…(!!!)

Pra, sipas ministres “ne do të angzhojmë ligjet në fuqi”.

Angazhojmë ligjet?!!! Çfarë është kjo, si angazhohen ligjet? Ligjet zbatohen dhe kaq. Ose përshtaten, ose ndryshohen, Si mund të angazhohen ligjet?!

Prita që Meti ta pyeste për interesin e investitorit, pse atij i ka lindur në zemër të na i akordojë 2miliard dollar por hiç.

Kalova pak te lajmet e Klanit. Pamjet, atje,  siç duket ishin dërguar nga vetë qeveria, nuk kishte reporter. Ose Meti. Aty Balluku e shfrenoi fare veten qoftë si formë qoftë si përmbajtje:

“Po i krijojmë Shqipërisë edhe një mundësi tjetër për tu ekspozuar në turizmin elitar”- deklaroi me një zë të përdëllyer e përplot mëshirë ndaj mosmirënjohësve që i përmendin mejhanen e NusrEtit.

Mirëpo kujt po i a bëjmë gjithë këtë nder ishte nënteksti…

Investimi 2 miliardë Eurosh (po supozojmë që shifra është e vërtetë) është për tu përgëzuar. Durrësi, Tirana e gjithë Shqipëria ka shumë nevojë për një oksigjen të tillë. Qeveria duhet të bëjë gjithçka për ta bërë të mundur këtë investim. Kjo duhet bërë me një transparencë ndaj publikut, duhet tu përgjigjet të gjitha “pse-ve dhe dilemave” popullore.

Përndryshe fjalia “Nuk është ashtu siç duket” do  të marrë përgjigjen siç e meriton ajo fjali…

Ehh, sa gjëra nuk janë ashtu siç duken dhe popullit i shiten si të tilla. Le të gabojë edhe populli ndonjëherë…

/GazetaExpress/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco